Plot këngë u publikuan këtë fundvit, asnjë më e dobët se ajo e Yll Limanit dhe Loredanës - NACIONALE

Plot këngë u publikuan këtë fundvit, asnjë më e dobët se ajo e Yll Limanit dhe Loredanës

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Me mbi 1 milion klikime brenda tre ditëve në YouTube, "Kriminele" e Loredanës dhe Yll Limanit duhet të jetë gjëja më e keqe me të cilën jemi shërbyer për fundvit.

Siç e kemi thënë plot herë, estrada duket se ka një tendencë interesante të publikojë materiale në periudha të njëjta, duke krijuar hapësira e pauza të përçudshme ca mujore, për t'u hedhur të gjithë në sulm përnjëherë.

Sigurisht, prapa qëndron një ide marketingu e periudhash kur supozohet të "shitet" më shumë, por - marrë parasysh edhe atë çka përfaqëson pothuajse kolektivisht estrada jonë (mungesë kreativiteti e thatësi artistike, me të njëjtat materiale që ripublikohen përsëri e përsëri) - krijon njëfarë irritimi edhe më të madh kjo lloj logjike e të funksionuarit. Një herë asnjë, pastaj të gjithë përnjëherë.

Emra si Mozzik, Tayna, Majk, Dafina x Kida, Ledri etj, kanë publikuar në javët e fundit - me gjasë - projektet finale për 2022, por asnjë nuk të ngjallë më shumë ndjesi "deja vu"-je nga tingujt e melodia e stërdëgjuar se "Kriminele" e Yll Limanit dhe Loredanës.

Insistenca për të përsëritur dy shkronjat e fundit të ndonjë fjale në refren, po e bën çdo herë gjithçka të tingëllojë më të lirë e mërzitshme, deri në atë pikë sa është gati e pamundur ta përfundosh krejt këngën pa krijuar ndonjë lloj antipatie të veçantë për atë çka je duke dëgjuar.

Është kristal e qartë... një përqindje e madhe e artistëve nuk njohin as audiencën e vetë. Nuk e kanë shumë të qartë për shijën e njerëzve që i dëgjojnë, dhe si kanë ardhur deri në atë pikë që pjestarë të caktuar të popullatës t'i pëlqejnë. Thjesht, rrëmujë. Shembull i gjallë për këtë është Yll Limani.

Fillimisht, dukej se më në fund e kemi një të llojit të tillë që ofron përmbajtje e muzikë ku njëmend është punuar mirë e mençur në të ("Dritat", një prej shembujve), për të vazhduar pastaj të nënperformojë, deri në pikën ku është shumë e vështirë të identifikosh këngët e tij si të ndara. Plot tingëllojnë të njëjta me të tjerat.

Mos të flasim për rreshtat tejet problematik "mos i lyj ti buzët e kuqe, mos u dok më së mirë n'botë, se unë xhelozoj", të cilat ushqejnë kulturën mizogjene në Kosovë, edhe ashtu në rritje gati alarmuese.

Qe qysh e fillon këngën "kriminele":

"O unë ta fali, po nuk ta falë ty zemra

Se nuk i kom dy zemra

A je, a je t'u ni, s'je t'u ni

E nuk e nali deri sa t'bohet e jemja

O hajde jetën merrma, për ty ia vlen e di"

Nëse do t'ma kërkonte dikush të përshkruaja krejt skenën muzikore në Kosovë me një strofë, do të ishte e pamundur të gjeja një më mishëruese se kjo. Por, kjo nuk është as pjesa më e keqe, prisni të dëgjoni refrenin.

"Se ti je kriminele le, le, lele, lele je ti" - nuk jam i sigurt nëse kam përfshirë "lele"-të e duhura numerikisht, derisa përsëritet aq sa të jep ndjesinë se është pafundësisht e njëjta fjali.

Prej sekondës 0:29 deri 0:49 është krejt çka dëgjojmë. Tutje, pason edhe një vers nga Ylli, ku përfshihen rreshta si "na dy përshtatemi si kuq edhe zi" dhe "dashninë s'ma ke falë, ma ke dhonë veresi" - metafora në të cilat kanë punuar plot katër veta. Po, katër persona e kanë shkruar këtë këngë, "Tonic, Denk, Yll Limani dhe Loredana", janë ata që kreditohen në videon në YouTube për vargjet, ndërsa më e mira me të cilën kanë mundur të vijnë është kjo.

Sidoqoftë, kontributin kryesor për ta shndërruar këtë këngë nga nën mesatarja në të dobët, e jep Loredana.

Tash për tash, meqë u bë çka u bë, këshilla më e mirë që mund t'i jepet Loredanës nga njerëzit që i do, është të injorojë gjuhën shqipe dhe të sjellë këngë në gjuhën gjermane, aty ku performon më dinjitetshëm

Për më tepër, edhe nëse vendos të këndojë shqip, bën mirë t'ia delegojë detyrën e tekstit dikujt që realisht nuk e bën të duket kështu siç po duket te kjo.

E kam të pamundur të përshkruaj sikletin që përjetova teksa e dëgjova duke lëshuar nga goja fjalët "se unë nuk jam budall me t'i hongër këto forA, këto forA t'Nastradinit unë moti i kuptova".

Ajo vazhdon pastaj me përmendjen e disa emrave “Diellzës, Ersës ose edhe Blertës”, duke shtuar “nëse unë najherë kom dashni për ty, atëherë unë edhe ti deri n’vdekje”. Marrë parasysh impaktin e Loredanës në industrinë e muzikës, vazhdoja të dëgjoja e dëgjoja në kërkim të momentin kur do ta lëshonte grushtin e hekurt për ta shpaguar veten nga ajo që diti të bënte me “Nastradinin” më lart, por gjithçka përfundoi ashtu si përfundoi.

Kurrë më nuk do të rikthehem ta ridëgjoj këtë këngë, e drejt të them, dhe do të insistoj ta evitoj me çdo kusht pjesën me Nastradinin, qoftë edhe me mbyllje të veshëve nëse është nevoja kur rastësisht dëgjohet në sfond kjo këngë në ndonjë ambient ku mund të qëllojë prezenca ime.

Lajme të ngjashme