Ago lanson EP-në "Antarctica" me Ledrin e Butën mysafirë - Vula mbishkëlqen gjithçka me një vers
Reperi jo i zakonshëm e i hasshëm në kanale televizive e radio, Ago ka publikuar EP-në e dytë të këtij viti, me titull "Antarctica", më 29 nëntor.
Është EP i dytë për këtë vit dhe i treti në dy vitet e fundit, pas një pauze të gjatë, pesë-vjeçare, nga reperi misterioz ferizajas.
"Antarctica" përmban pesë këngë në total, madje me paraqitje të emrave të njohur të skenës së hip-hop kulturës, si - normalisht – Buta (në dy këngë) por edhe Ledri Vula.
EP është lansuar në kuadër të shtëpisë diskografike "Uptown" pjesë e së cilës janë edhe Buta e Ago.
"Antarctica" është disponim, jo për të gjithë, por me elemente rritjeje të përbrendshme që i kanë karakterizuar përgjatë tërë karrierës materialet e Agos.
Një ditë mund të jesh neutral, mos ta pëlqesh apo edhe ta urresh, ditën tjetër mund ta zësh veten duke e dëgjuar pa rreshtur dhe me interesim, pasi kryesisht janë tinguj e lirika me të cilat nuk jeni shërbyer asnjëherë.
"Antarctica" është dinjitoze, por larg EP-së së vitit 2021 "Djemtë e Çmendur", e cila absolutisht mbishkëlqen në çdo aspekt projektet e tij të mëvonshme - e aq më larg punës së tij më të mirë në karrierë deri tash, "Djemtë e Qetë, Djemtë e Festave",
"mixtape" e cila është prej të rrallave të artistëve kosovarë të cilën do ta dëgjoni si pako të plotë, pa asnjë tejkalim. Flakë, fillim e fund.
Në "Antarcitca", Ago - edhe pse refuzon të shfaqë më shumë nga ajo pjesa bizare dhe gati psikodelike e tij që e dëgjojmë te "Djemtë e Çmendur" - sjell "fllowin" relaksues dhe, gati nonshalant, që e karakterizon si artist. Lirikisht dukshëm më i varfër si projekt, megjithatë. Sidoqoftë, "Antarctica" mbetet me vlera ridëgjuese më shumë se puna e tij e fundit, "Aqua", e cila - në raste të caktuara - duket e nxituar dhe me jopërputhshmëri të theksuara mes muzikës dhe ritmit që e mban në reptura.
"Brazy" do të kthehem për ta ridëgjuar sërish, ndërsa kënga më e mirë në "Antarctica" është ajo me Butën dhe Ledrin, "Party" - rol kryesor në këtë aludim luan versi absolutisht brilant i Ledrit.
Në fakt, prishtinasi mbishkëlqen dy të tjerët në këngë, derisa na jep një copë nga jeta e tij prej superylli me vargje që i kontribojnë monumentalisht dhe i japin kuptim artit të fryrjes. Ajo që e bën edhe më impresive pjesën e tij në këtë këngë, është kredibiliteti. Gjithçka që thuhet ke ndjesinë se është e vërtetë. Pikërisht kështu duam ta shohim duke performuar Ledrin në secilën këngë.
"Antarctica" është lansuar në platformën "Spotify", derisa më vonë u publikua edhe në YouTube.
Oh, dhe ngritje kapelash për producentët, Lim, Idrri, EdEddnEdyy dhe Classic për punën solide.