Arsyeja e trishtë pse Ledri Vula dhe Ghetto Geasy do të anuloheshin nga kultura e hip-hopit kudo tjetër në botë - NACIONALE

Arsyeja e trishtë pse Ledri Vula dhe Ghetto Geasy do të anuloheshin nga kultura e hip-hopit kudo tjetër në botë

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Kultura e hip-hopit ekziston për të treguar fuqi, autoritet e forcë mbi të tjerët dhe gjithçka e çdo gjë që identifikohet me të kundërtën e të lartpërmendurave, rezulton me rënie kredibiliteti e humbje serioziteti rreth artistit.

Ekziston një komunitet i gjerë i atyre që besojnë se jo domosdo gjithçka që thuhet apo aludohet në një këngë, duhet të jetë 100 për qind autentike si vepër e bërë apo e kryer nga interpretuesi. Ato mund të jenë edhe të një personi nga rrethi i ngushtë apo i gjerë i artistit - ndodhi e zbuluar nga ndonjë protagonist i afërt me të.

Me pak fjalë, mjafton që artisti të jetë pjesë e një rrethi apo kulture të tillë ku, edhe pse mund të mos ketë qenë roli kryesor në ndodhinë për të cilën flet, afërsia me persona apo me ngjarje të tilla, e bëjnë legjitim që të flasë për to. E çuditshme, apo jo?

Në njërën anë, ata pak reperë të ndërgjegjshëm, që predikojnë për përgjegjësi, edukim e distancim nga kultura e krimit, me të cilën ka qenë i ndërlidhur ngushtë prej që ekziston hip-hopi si nënzhanër i përditësuar në zhanër, kjo rrymë pothuajse gjithmonë e gjen veten në anën e kundërt të ligjit dhe të normave e të mirëqenies sociale, të përqafuar gjerësisht nga bota e civilizuar.

Sidoqoftë, në plot raste, artistët kanë treguar apo janë përplasur me realitetin e jetës përtej studios dhe mikrofonit, duke u vënë në pozita të zorshme, qoftë me deklarata "limonadë" apo edhe me veprime që thjesht tregojnë se realisht nuk janë për jetën për të cilën pretendojnë se janë.

Në fakt, gjithçka rreth krejt kësaj ngjarjeje është absolutisht rast gati i izoluar për botën e hip-hopit. Një reper ngre padi kundër të tjerëve për rrahje apo sulm fizik.

Gazeta Nacionale i inkurajon fuqishëm të gjitha viktimat e dhunës që të ndërmarrin hapa të tillë ligjorë për denoncimin e abuzimeve, qoftë verbale, qoftë fizike. Sidoqoftë, në këtë rast, thjesht po interpretohen "rregullat e pashkruara" të një kulture me audiencë qindramilionëshe, për të mos thënë miliardëshe, siç është muzika që buron nga vështirësitë e rrugës.

Kështu, Ledri e gjeti veten në foltoren e akuzuesit në gjykatë derisa e rrëfeu ngjarjen e sulmit fizik.

Në një episod të rrallë, në të cilin një reper përdor mjete ligjore për t’i ndjekur dhunuesit, ai zbuloi në një seancë gjyqësore të vitit 2016 se si Ghetto Geasy kishte qenë i pranishëm derisa personat e dënuar për sulmin, Krenar Qoqaj dhe Gazmend Mirena, e kishin sulmuar atë, madje Geasy ua kishte hapur dyert.

Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e ka goditur Vulën me kondak të revoles në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë. Si rezultat, të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj e kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Mirena akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës, mjet që kishte shërbyer për rrahjen e viktimës.

I dëmtuari Ledri Vula kishte dalë para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit duke e rrëfyer ngjarjen e natës së 7 qershorit të vitit 2012.

Ai tregoi se në natën kritike, kishte shkuar me Getoar Selimin në studion e “BabaStars”-it për ta dëgjuar incizimin e një kënge të këngëtares Ronela Hajati. Në studio ishin takuar me Fidan Demollin, e më pas që të tre, së bashku, ishin larguar nga zyra dhe kishin shkuar në drejtim të veturës që ishte e parkuar te kompleksi “Qafa” në Prishtinë.

Sipas Ledri Vulës, në momentin që kanë hyrë në veturë, Getoar Selimi i kishte bllokuar dyert në mënyrë elektronike, ndërsa kur Gazmend Mirena i kishte bërtitur “dil jashtë, dil jashtë”, ai “nga hutia i kishte zhbllokuar dyert”.

“Arsyeja pse kam vendosë të dal nga makina, të them të drejtën, është sepse Gazmendin e kam njohur dhe nuk ma ka marrë mendja që do të më godasë me të parën”- kishte thënë Vula.

Po të kishte ndodhur një ngjarje e tillë në Amerikë, është e drejtë që të themi se karriera e Ledri Vulës dhe Ghetto Geasy-t nuk do të shkonte aq mirë. Në fakt, as për së afërmi mirë. Kemi parë që kjo të ndodhë me 6ix9ine cili madje krejt çka ka bërë, është se i ka spiunuar dhunuesit e tij. Sado e çuditshme që mund të tingëllojë, në një botë ku hip-hopi mbizotërn, një gjë e tillë është një “JO JO” e madhe.

Thjesht, çfarëdo bashkëpunimi me forcat ligjore të çon drejt anulimit masiv në këtë kulturë. Po flasim për vende si Amerika dhe shtete të ndryshme të Evropës, ku ky zhanër mbizotëron. Pa përmendur këtu pikën më problematike të kësaj meseleje: promovimin e dhunës.

Lajme të ngjashme