Performanca e parë e Butës pas rastit të vrasjes ishte zhgënjim në vete: Dhia nuk ia dha hakun popullit - NACIONALE

Performanca e parë e Butës pas rastit të vrasjes ishte zhgënjim në vete: Dhia nuk ia dha hakun popullit

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Nata që dukej premtuese e nënvizuese, shpejt u shndërrua në zhgënjyese e dëshpëruese, derisa dhia u shndërrua në maçok, me Butën që performoi në Kosovë për herë të parë, pas tragjedisë së 27 majit në Ferizaj.

Në rrethana të frikshme, i vëllai, Qëndrim Januzi, a.k.a Rifa, dyshohet si privoi nga jeta viktimën Gazmend Hyseni, të njohur si Strella, pas një epilogu të gjatë zënkash e mosmarrëveshjes.

Buta, duke qenë i përfshirë direkt në zhvillmet paraprake mes Strellës dhe Rifës (reperit i ishte djegur vetura pak kohë para vrasjes, me të ndjerin të dyshuar) u betonua nga bota mediatike, duke qëndruar i heshtur. Ne të tjerët po përjetonim tronditje masive publike, derisa po zbuloheshin detaje të hollësishme para dhe pas vrasjes.

Reagimi i vetëm i Butës për rastin erdhi katër ditë më vonë, përmes një komunikateje në InstaStory, ku i bëri të qarta ndjenjat e tij rreth krejt ngjarjes:

"I falenderoj krejt për mesazhet mbështetëse për Qëndrimin se nuk po muj me ua kthy krejtve. E medieve, portaleve e "gazetarëve" duhet me ju ardhë marre për krejt këto rrena, shpifje e njollosje që menxi presin me i shpik për dy klikime ma shumë. Shyqyr njerëzit janë t'meçëm e shohin përtej rrenave t'juja e nuk ndikohen qaq sa doni ju".

Sidoqoftë, për katër muaj, Buta qëndroi larg performancave nëpër klube nate e koncerte, në atë që e quajti si "shenjë respekti" ndaj familjes së viktimës. Mungesa më e dhimbshme e tij padyshim ishte në "Sunny Hill", ku fansat e subzhanrit trap mbetën pa e parë dhinë absolute të shkollës së re në skenën gjigante në Gërmi.

Pasi fillimisht performoi në Tiranë, Buta u rikthye për t'ia bërë sefte në Kosovë, pas katër muajsh, duke performuar në klubin 'Dante' në Prishtinë.

Ishte puna si ishte dhe nuk do ta humbisja për asgjë në botë paraqitjen e parë publike të atij që i kisha dhënë epitetin e dhisë në një artikull të mëhershëm. Hyrja ishte 10 euro për ta parë nga afër, derisa klubi gjendej në katin përdhesë të Hotel Grandit.

Nuk isha shumë i impresionuar nga ajo që po shihja me t'u futur, e drejt të them. Një ambient me hapësirë dinjitoze por i mbingarkuar nga dhjetëra tavolina gati të ngjitura me njëra-tjetrën. Ishte e pamundur të manovroje e të silleshe lirshëm, pa përjetuar sikletin e ndërhyrjes në grumbuj njerëzish që rrethonin tavolinat.

Madje, shpesh duhej të kapje tavolinën dhe ta shyeje më përpara ose më prapa, për të hapur rrugë kalimi. Literalisht tavolinën me plot pije ku po qëndronin grumbuj të panjohurish, ishe i detyruar ta kapje e ta lëvizje me një anë, për t’i hapur rrugë depërtimi vetes. Kur flasim për situata ‘cringe’ nëpër klube, kjo duhet të jetë nëna dhe babai i tyre në të njëjtën kohë.

Gjithashtu, nuk e di për llojin e mekanizmit që ishte zgjedhur për ventilim ose pastrim ajri, por bllokimi i hundëve e djegia e syve ishin përjetime që u shndërruan në të natyrshme. Re tullugu gjithandej. Po filloja të mendoja mos ndonjë proces kondensimi do të ndodhte, e ato re potente do të shkaktonin riga shiu brenda. Sinqerisht, nivel tjetër i ndotjes së ajrit.

Me t’u kthyer në shtëpi nga ai ambient, isha prezencë jashtëzakonisht potente kudo që qarkulloja. Tymi kishte depërtuar në çdo pjesë të të veshurave e mbathurave. Të nesërmen dhoma kishte nevojë për dezinfektim ajri me llojlloj preparati që mund t’i vëja duart. Oh, dhe makina e larjes nuk kryente punë, fillimisht ato rroba duhej të ajroseshin për një kohë në ambiente të jashtme, para se të futeshin në makinë për pastrim. Po, po, ishte e rëndë gjendja.

Kur jemi te klubi, duhet cekur se më shumë se dy herë u shfaq kamarieri dhe po kërkonte të lironim tavolinën nëse nuk bënim porosi me vlerë 100 euro, ose ishte edhe opsioni të porosnim “shishe”, e cila kushtonte 140 euro. U desh një intervenim i dikujt që ishte me ne dhe kishte lidhje me përgjegjësit, të na linte rehat e të na lironte nga presioni konstant që po na bëhej të shpenzonim.

Për më tepër, nuk kishte opsion tjetër veç qëndrimit në tavolinë. Pasi me të tilla ishte i mbushur i gjithë ambienti. Andaj, kërkesa për investim enorm ishte gati obligative, ose të priste largimi kokëulur.

Shishet nuk është se po mungonin, siç dëshmohet nga fotot e mëposhtme. Fishekzjarre e spektakël vëmendjeje për këdo që porosiste. Shumica e të pranishmëve kishin veç një formë rruarje kokash, me fejd (fade).

Performanca zhgënjyese e dhisë

Muzika e tmerrshme që po vinte në llojlloj variantesh e remiksesh, si ‘California Love’ dhe ‘Nixxas in Paris’ por në versione degjeneruese të adaptuara nga dixhejët, filloi të përmirësohej paksa pak minuta para se të futej Buta. Në fakt, ambienti në të cilin po vëzhgoja e po reflektoja, po më nxiste pikëpyetje nëse dhia, Buta, do të dukej ‘cool’ duke performuar.

Imagjinoni skenën që ua përshkrova me tym, tavolina të ngjitura, njerëz që porosisnin shishe me fishekzjarre e rruarje kokash të njëjta, derisa në sfond dëgjohej kënga “me gusta la gasolina, dame mas gasolina”. Oh Zot i madh, Buta ishte i vetmi shkas që po më mbante të durueshëm e të rezistueshëm ndaj largimit.

Isha i lumtur kur muzika filloi të përmirësohej, e po u jepej hapësirë tash artistëve si Ago, një prej preferuarve të mi, sa më shumë që po afrohej koha e performancës.

“Mirëmrama Prishtinë, a jeni pijav, a jeni bo gips?”, Ishin fjalët e para të Butës për publikun me t’u futur në skenë. E ato dolën të jenë edhe prej të vetmeve përgjatë tërë performancës 28 minutëshe të tij.

Me një maicë me print (jo zgjedhja ideale, e drejt të them), pantollona të pranueshëm me vija në pjesët e kofshës e poshtë dhe “Air Force” të thella me ngjyra, të cilat po ashtu ishin një minuës sa i përket cvegit (veshjes), superylli i “z. Ndjenja” sulmoi binën, e cila dukej në disproporcion madhësie në raport me ambientin.

E filloi me “Poshtë/Nalt”, për çudinë time, që po vëja pikëpyetje nëse ajo realisht ka potencial të jetë këngë hapëse e Butës nëpër klube natesh. Për të qenë i sinqertë, gjithmonë kam menduar se është një prej këngëve më të dobëta të tij ndër vite. Kjo së bashku me “My Bro” me Gjikon, për të cilën vendosi pas 24/7.

Buta po performonte e unë po shikoja me vëmendje. Nuk isha shumë i sigurt si po ndihesha me reflektimet vizuale. Gjuha trupore ka mundur të ishte më e mirë, po ashtu edhe komunikimi me publikun, derisa nuk po me jepte ndjesinë e një prezence superylli apo dhie.

Sa më shumë minuta që kalonin, aq më shumë epiteti i dhisë po dobësohej. Por, hej, ndoshta problemi jam realisht unë dhe standardet e larta të vendosura. Ndoshta, Mc Kresha dhe Lyrical Son, të cilët më kishin befasuar javë më parë me paraqitjen e tyre në “Zone”, ishin ajka e ajkës, dhe nuk ishte fer të prisja më shumë nga lideri i shkollës së re. Sidoqoftë, Buta e nisi dhe e bitisi disi paraqitjen nën mediokër, për të më lënë mua me një eksperiencë të hidhur. Epiteti i dhisë ishte larg të nënvizohej nga prezenca e tij në atë klub, të premten.

Paraqitja me mikrofon në dorë duke lëvizur gojën, derisa në sfond dëgjohej kënga, të jepte përshtypjen sikur një person i zakonshëm, me plot pasiguri, kishte rrokur skenën dhe po performonte në emër të dhisë, por ishte larg të qenurit një impersonim dinjitoz.

Rroba të pushtuara nga tymi potent, stres nga tavolinat e ngjitura që duhej t’i lëvizje për të ecur e performancë e dobët nga Buta ishte i epilogu i një nate zhgënjyese. Do t’i evitoj klubet e natës ku performon Buta në të ardhmen.

Lajme të ngjashme