Pas 4 muajsh udhëtime - kjo është top lista e këngëve më të dëgjuara në autobusa
Që prej marsit të këtij viti, udhëtoj çdo ditë dy herë në ditë me autobus, nga fshati Negrovc ku jetoj deri në Prishtinë. Përvojën 4 mujorëshe të këtyre udhëtimeve dhe llafeve që kam bërë si gazetarë me udhëtarë të linjave të ndryshme i kam përshkruar në një seri të shkrimeve përmes të cilave kam tentua të bëjë një skanim të realitetit jashtë Prishtinës burokratike dhe debatit publik në kryeqytet.
Në tekstin e parë shkrova sesi “kriza e çmimeve të naftës ka mbingarkuar autobusët dhe fola me shumë udhëtarë që po i lënë veturat e tyre në shtëpi dhe po udhëtojnë me autobusë”.
Në një tjetër tekst kam përshkruar “llafin me gjakovarët që shpëtuan prej drenicakëve”, teksa me udhëtarët e linjës së Drenicës folëm se “qysh kena me i lyp drenicakët shumë shpejt në pushtet”.
Nga linjat e autobusëve të Dukagjinit morra rrëfime satirike për “Bidenin e Klinës dhe fantazmën e Rugovës” dhe sesi “Majlinda Kelmendi e shpëtoi me fytyrë të bardhë pejont nga damka e vrasjeve me hakmarrje”.
Por gjatë udhëtimeve kam vrojtuar edhe një aspekt të rëndësishëm në autobusa: muzikën që lëshohet. Për shkak se në autobusë ka më së shumti udhëtarë studentë dhe të rinj e të reja që punojnë e udhëtojnë çdo ditë në Prishtinë, edhe kërkesa e tyre e vetme është që të ndërrohet play lista e këngëve në autobus.
Nëse po mendoni se “kush dëgjon muzikë kur kanë kufje dhe telefona”, po ju them nga përvoja personale, se kur udhëton çdo dit, pas një ose dy muajsh, kufjet as nuk të duken më të nevojshme sepse edhe ti harxhohesh me muzikë. Kështu që i dorëzohesh përzgjedhjes në autobusa.
Prej marsit deri në javën e fundit të korrikut, lista e këngëve është freskuar shumë herë. Bile për mendimin tim, shumë linja të autobusëve i freskojnë listat e këngëve më shpesh dhe më mirë sesa shumë radio e televizione në Kosovë.
Por janë disa këngë të cilat i rezistojnë këtyre listave dhe lëshohen me të madhe. Këto janë 5 këngët që janë lëshuar më së shumti në autobusë këto muaj:
"Dafine Moj”
I hedhur në treg qysh në tetor të vitit 2021, këngët e albumit “Dafine Moj” të Dafina Zeqirit pa asnjë diskutim janë kënëgët që më së shumti i kam dëgjuar për këto katër muaj. "Murder on the dancefloor" (ft. RØN), “Era” në bashkëpunim me Butën dhe “Llafe llafe” në bashkëpunim me LyricalSon janë disa prej këngëve më të lëshuara nga ky album. Por në përgjithësi këngët e Dafina Zeqirit janë të pazëvëndësueshme për shumë linja të autobusëve. Andaj me plot siguri mund të them se Dafina është top këngëtarja e preferuar në autobusa dhe për udhëtarët e autobusëve.
Dehja me Yllin
“Mu ke bo si alkool” është fraza më e dëgjuar sa herë hypi në një autobusë. “Kam provu me t’harru, S’ka ndihmu as mariuana”, vazhdon kënga e Yll Limanit në bashkëpunim me reperin nga Shqipëria Noyzi i cili e ka një frazë që shumë çika në autobusë e këndojnë bile me të “T’kam dasht,krejt e din, Krejt Prishtina,krejt Tirana”. Edhe pse kënga është publikuar Ndërroje secilin autobus që dëshiron “apet” kjo këngë nuk do të mungojë. Mos ta harrojmë as Ledri Vulën i cili edhe pse në autobusa nuk po mund ta mbajë top-formën, megjithatë "apet" ia arrinë të lëshohet në shumë linja autobusësh.
Dhurata Gjata
Për shumë kohë gjatë muajve të parë të vitit, albumi akustik i Elvana Gjatës ka qenë ndër më të dëgjuarat, por nuk e di se çka ndodhi por në dy muajt e fundit (maj-qershor) Elvana dëgjohet tashmë vetëm me një këngë që e ka bashkëpunim me Dhurata Dorën “Gajde” ose këngën “Ex” me reperin Bardhi. Por Dhurata Dora pa dyshim ia kalon shumë këngëtarëve për nga dëgjueshmëria në autobusë. Madje për befasi edhe Tayna është më pak e dëgjuar krahasuar me Dhuratën, hitet e së cilës “Criminal”, “Mi amor” ose “Fajet” i rezistojnë çdo rifresikimi të listës së këngëve në autobusa.
2ton Xhon
Mes këngëtarëve që zotërojnë skenën e muzikës pop dhe hip-hop në Kosovë janë një disa që as nuk janë të vlerësuar shumë për muzikën që bëjnë (jo pse dallojnë mes njëri tjetrit në fakt) por për nga prezenca mediale mungojnë më shumë, sikurse një reper me emrin 2ton, i cili ka disa këngë që gjithmonë i restistojnë freskimeve të listave. Gjithashtu është një ndër repërët që sa të duash lëshojë nuk arrij t’i mbaj mend ndonjë strofë. Në këtë listë hynë edhe disa të tjerë sikurse Don Xhoni që me gjithë suksesin e arritur brenda një kohe të shkurtër, prap mbetet tek “2 ton Club”.
Era Era Era
Për shumë kohë Era Istrefi ishte zhdukur nga lista e këngëve që lëshohen në autobusa, për shkak të tentimit të saj për një karrierë ndërkombëtare. Por rikthimi i saj i befasishëm për disa në tregun e muzikës në gjuhën shqipe, ka qenë i fuqishëm edhe në autobusa. Kënga e saj “Bebe” ose “TRKT” me tu publikuar janë bërë pjesë e listave të këngëve më të lëshuara në autobusët e linjave ndër-urbane. Kësisoj, kjo pozitë numër 5 për Erën është e përkohshme pasi nëse vazhdon të publikojë më shumë këngë ajo e ka të gjithë potencialin të kaloj edhe në top 3she.
Ajo që është më me rëndësi të ceket në këtë tekst është fakti se shumë autobusë kanë hequr dorë përfundimisht nga muzika e zhanrit popullore dhe folklorike nëpër autobusë, që duket se i ka nervozuar shumë shoferët e autobusave të cilët në bazë të komenteve që lëshojnë për tekstet e këngëve të reja nëpër autobusa, lënë të kuptojnë se nuk janë aspak të kënaqur.
Dhe më e keqja, ata nuk mund të vendosin kufje me muzikë personale nëse nuk ju pëlqen ajo e autobusit.