Ortodoksofobia ose krimi akademik me “Historinë e Kosovës” - NACIONALE

Ortodoksofobia ose krimi akademik me “Historinë e Kosovës”

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Vëllimi i parë monografik “Historia e Kosovës: Parahistoria deri në fund të shek. XVIII” është vepër kolosale e joprofesionalizmit, provincializmit dhe dështimit akademik. Në sytë prokurorialë, ajo mund të jetë e denjë për t’u hetuar për allishverishe të ulëta. Në sytë e studiuesve të zanatit, ajo është një tërësi tekstuale që shërben për t’u cituar vetëm për huqjet e shumta dhe dështimet metodologjike. Në sytë e studiuesve të huaj, ajo është një dëshmi shtesë sesi zeja e historishkrimit në Kosovë është e paaftë për t’i tejkaluar kufijtë provincialë. Në sytë e instituteve fqinje në Beograd, Sofje e gjetkë, ky vëllim do të jetë përkujtesë sesi kolegët e tyre në Prishtinë janë aq joseriozë e aq amatoreskë. Atëherë për ç’arsye u nxor një vepër si kjo dhe a duhet ta shohin dritën e botimit edhe tre vëllimet e tjerë? Cui bono?

Col MEHMETI

23 tetor 2025 – Këtyre ditëve sapo doli taze nga furra vëllimi i parë i projektit Historia e Kosovës si ndërmarrje disavjeçare e Institutit të Historisë ‘Ali Hadri’ në Prishtinë.

Projekti katërvëllimësh më tepër do të mbahet mend për rrugëtimin burokratik për të ndukur para publike në fazat e përpilimit sesa për përmbajtjen e tij.

Paçka se projekti katërvëllimësh u shestua disa vite para pandemisë, Instituti në fjalë nuk ia dilte dot të letërnxinte asnjë faqe të vetme.

Niveli i historianëve vendorë është infernalisht i dobët.

Pa pasur nevojë për të skicuar secilin profil, shumica e tyre nuk zotëron as aftësitë elementare të shkrimit akademik dhe mangut është nga shumica e gjuhëve të huaja, përfshirë edhe ato të rajonit.

Meqenëse ky projekt ishte bërë si Rozafati i legjendave, ndërto ditën e prish natën, dikujt i kishte shkrepur ideja që t’i trokiste në derë akademikut nga Tirana, Pëllumb Xhufi.

Ashtu si stafi deficient në Klinikat e Intensivës dhe Neurologjisë në QKUK nuk ka të gjallë pa Mentor Petrelën e Tiranës, edhe ‘historianët’ e këtushëm kanë nevojë për paterica që të qëndrojnë disi në këmbë.

Ky është psehu që akademiku medievist, Pëllumb Xhufi, u bë patron për krejt vëllimin, kurse autorët e tjerë vetëm sa i nënshkruan me emra personalë koordinatat e caktuara nga ai.

Nëse kultura vulgare në Kosovë në vrushkuj çmendurie e rrah gjoksin për futboll, ekipi ‘kombëtar’ për historishkrim është aq gjysagjel sa i duhet të marrë veresije kuadro nga jashtë.

Pos zotit Xhufi, ky ekip mori huazim arkeologun nga Shkodra, Gëzim Hoxha dhe historianin nga Maqedonia, Qerim Dalipi.

Vepër e paredaktuar, pa metodologji e strukturë copa-copa

Në vitrinën e xhamtë të një librarie a afishin e vezullimtë reklamues në media sociale, vëllimi i sapobotuar duket i pabehane.

Mbi kopertinën e bardhë nxin titulli kapital “Historia e Kosovës: Parahistoria deri në fund të shek. XVIII”.

Aty janë mbarështruar kontributet e gjithsejt trembëdhjetë studiuesve të përshtrira në shtatë kapituj që përvijojnë një hark të gjerë kohor: “Kosova në Parahistori”, “Kosova në Antikitet”, “Kosova gjatë Mesjetës (shek. V-XV)”, “Kosova dhe Epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, “Marrëdhëniet feudale, popullsia dhe qytetërimi gjatë Mesjetës”, “Kosova gjatë shekujve XVI-XVIII”, dhe “Shoqëria dhe kultura gjatë shek. XVI-XVIII”.

Ndonëse Gjon Berisha figuron si kryeredaktor shkencor, punë në të cilën është ndihur edhe nga pesë anëtarë të tjerë redaksie, materialet duken të paredaktuara në gjithsejtin e tyre.

Pritja e një lexuesi mbimesatar e me kërkesa se aty do të gjejë një monografi sine ira et studio (pa mëri e pa afsh) kthehet sakaq në zhgënjim të plotë.

Gjuha rrëfimtare nuk përkon askund me teksturën ligjërimore të një monografie me ambicie sintetizuese.

Jo vetëm nga kaptina në kaptinë, por edhe nga paragrafi në paragraf, ka purtekje të stilit rrëfimtar që nuk frymëtohet me gjuhë neutrale.

Pasojë e mosredaktimit dhe pavëmendjes nga ata që i kanë pasur dorëshkrimet në dorë, teksti i botuar i monografisë merr thua në çdo kusht të shkrimit bashkëkohor akademik.

Fundshënimet (fusnotat) nuk janë askund të standardizuara, duke prodhuar shpërqëndrim të panevojshëm gjatë leximit.

Trungu tekstual dhe plotësimet me fundshënime e vështirësojnë leximin e vëllimit që më gjasmë ishte menduar të shpaloste rezultatet e gjertanishme të dijes historishkruese.

Edhe referencat e brendshme citohen joestetikisht e joprofesionalisht, parafrazohen kur duhet të citohen, ose citohen të plota kur fare mirë mund të parafrazoheshin.

Kushdo që ka kulturë akademike e di se është e jashtënatyrtë për një format monografik të ketë të ndërfutura nuanca autoriale a gjykime personale.

Kudo mes rreshtash ka keqreferime duke përfshirë emra autorësh të njohur e të panjohur, madje edhe të atyre specialistë, të cilët fare mirë mund të mrizonin në fusnota artikujsh të veçantë.

Shumë nga autorët kontributdhënës nuk duket se kanë punuar apostafat për monografinë dhe vetëm kanë dorëzuar punime të gatshme, të botuara ose jo, dhe në rrethanat e redaktimit skandaloz teksti si tërësi është jokoherent.

Në këso derexhe, ky vëllim mund të bëhet me gisht edhe për raste vetëplagjiarizmi që rëndon po aq sa plagjiarizmi.

Historishkrimi në Kosovë – një fatkeqësi e trashëguar, një fatkeqësi që vazhdon


Të shkëputur nga rrjedhat e studimtarisë bashkëkohore, ‘historianëve’ kosovarë u mungon tehu shkollaresk në tekstualizim dhe nocionet e mbarështrimit shkencor janë thuajse inekzistente në këtë komunitet.

Prodhimet e tyre të përfshira në monografi në rastin më të mirë janë deskriptivizëm që nuk sjell asgjë të re, dhe në rastin më të keq janë dështime kolosale për të rritur bereqetin e të mbërrimeve vendëse në historishkrim.

Hiç këtu disa defterë të fundshekullit të 15-të që mbulojnë anët e Novobërdës si kontribut modest nga orientalisti plak Iljaz Rexha, historishkrimi shqiptar, sidomos ai në Kosovë, ka qenë dhe mbetet shterpë.

Në pjesën më të madhe të kapitujve, gjithsejti narrativ i ngjarjeve të përfshira është krejt mekanik dhe njëlinear.

Nuk ka përzgjedhje sipas rëndësisë, por vetëm rrëfimtari të thatë ngjarjesh shpesh të parëndësishme, pothuajse asnjëherë anëpamje të reja e të gjëra, dhe kurrë gjykime kritike.

Sipas një tëhollimi blochian mbi historinë si dije, të shkruash histori është mbi të gjitha të vësh në punë bisturin e interpretimit kritik dhe përzgjedhjes të asaj që është e rëndësishme për t’u narrativizuar e shkencorizuar.

Ky sine qua non për t’u inicuar e pranuar në lozhën e historianëve quhet quellenkritik (e përuruar që prej Leopold von Rankes), dhe ajo nuk vjen dot as nga gradat e as nga specializimet universitare nëse rishtari nuk zotëron paraprakisht një kulturë leximesh.

Shembull i mungesës së sensit të mirëfilltë prej historianësh është, ndër të tjerash, edhe kapitulli i gjashtë “Kosova gjatë shekujve XVI-XVIII”.

Në pjesën kushtuar organizimit administrativ (fq. 385-90) shpenzohen gjashtë faqe të tëra për të shpjeguar ndarjet e Kosovës në vilajete, sanxhaqe e kaza.

Kontribuesit orientalistë mund ta kishin bërë këtë në dy-tre paragrafë më së shumti e jo duke letërnxirë gjashtë faqe.

Pra, ky rast e provon qartazi sesi studiuesit vazhdojnë të jenë të fiksuar pas historive politike e administrative.

Mungon përfytyrimi i një modeli të École des Annales ku historishkrimi plotësohet me rindërtim historish nga përditshmëria sociale e kulturore.

Një nga problemet kardinale të vëllimit Historia e Kosovës është që hem redaktorët, hem autorët, nuk e kanë as vetë të qartë audiencën e shënjestruar.

Për kë vallë është i shkruar ky tekst monografik? Për një publik të specializuar, për një më pak të specializuar apo për një publik të përgjithshëm?

‘Historianët’ në Kosovë, për gjynah, nuk kanë pasur e nuk kanë një model të hajrit tek i cili do të ndiqej mendësia shkollareske.

Madje, ata kanë interesim të hiçtë për t’u përditësuar me rezultatet e bereqetshme të instituteve në rrethepërqarkun ballkanik (le të kujtohet, hiç më larg, prodhimtaria tejet e gjallë e Institutit të Historisë në Maqedoninë e Veriut!).

Institut që u krijua për luftën partizane

Bota e brendshme e ‘historianëve’ në Kosovë është antitezë e shpirtit kërkimtar.

Mosnjohja e cilësdo gjuhë të huaj është vetëburgosje e privim nga përfshirja në mendësi tjerafare nga ato në atdheun tonë të varfër kulturor.

Kjo pa çare e krijon një varësi për ibret vetëm në botimet në shqip, përfshirë edhe përkthimet e pakta të literaturës historike që janë kryesisht për publik të gjerë.

Instituti i Historisë sikur e ka të brendashkruar fatin e vet kur u themelua në vitet e Jugosllavisë.

Fillimisht në formën e një të ashtuquajturi Komision për Histori (1956), e pastaj i formalizuar si Ent për Histori (1967), puna e tij e parë dhe e fundit ishte krijimi i mitologjisë zyrtare për luftën partizane jugosllave dhe nivelin e saj lokal në Kosovë.

Kërkimi shkollaresk kësodore i bënte me tabaka hyzmet ideologjisë shtetërore për të rrobaqepësuar narrativa për historinë e re.

Kjo është një nga arsyet pse kanë munguar kronikisht profilet e vërteta studiuese, veçmas ato të bizantinistëve e sllavistëve.

Ato nuk janë krijuar as kur ekzistonin mundësitë në rrethanat e diversifikimit të dijes dhe hapjes me Perëndimin.

Formacionet e IH-së, me punonjës shkencorë me thirrjet përkatëse, vijojnë të jenë cilësisht të dobëta e me prani inekzistente jashtë vendit.

Pagat e tyre, qoftë në nivel bashkëpunëtorësh a hulumtuesish, variojnë nga 850 deri në 1100 euro – të tilla që cilësohen si paga të larta për standardin e vendit.

Sado që luftë e madhe bëhet për sigurim të një vendi pune në Institut, ku përdoren gjithfarësoj marifetesh nga ndërhyrjet e deri te bakshishet, pasionet e punonjësve pushojnë me kaq.

Në këso rrethana, Instituti është bërë një vakëf që strehon dhe ushqen jopunëtorë e joprofesionistë, madje aty përshfaqen pa drojë edhe prirje politike e fetare (ka edhe punëtorë që e quajnë haxhillëkun si të arritur personale dhe jo bibliografinë e tyre!).

Pa përditësim, pa uniformitet narrativ

Se deri ku mbërrin anarkia e një shpirti të tillë joshkencor mjafton të lexosh nëpërmjet fundshënimeve ose referimeve brenda në tekst.

Paragrafë të tërë enden duke cituar Johann Georg von Hahnin nga vitet 1850, asobote kur shkenca ishte në shpërgejtë e vet. Duke qenë bota shqiptare një terra incognita , historia e saj duhej të letërnxihej edhe prej konsujve e përfaqësuesve të tjerë diplomatikë të huaj.

Në anën tjetër, teksti monografik nuk di të ruajë as për së afërmi një elegancë shkencore për aq sa citon edhe një dramaturg si Petrit Imami (librin e tij divulgativ “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj”) apo edhe historianin propagandist serb, Dušan T. Bataković.

Në një tjetër pjesë, të autoruar prej Pëllumb Xhufit, italiani Giammaria Biemmi (1708-1784), ky falsifikator i hedhur mes hedhurinash të pavlera, bën jetë të patrazuar si burim i njëmendët.

Në plot raste, serioziteti i një historiani matet nga stiva e atyre burimeve që i zgjedh sesa nga lënda shkrimore që e jashtëqet.

Ndonëse historiografia serbe ka krijuar breza të tërë shkollarësh, madje edhe paradigmash, në vëllimin Historia e Kosovës janë përfshirë studiues të shekullit të 19-të si Stojan Novaković në vend të profileve më të reja të medievistëve seriozë.

Për vlerësimin tim modest, madje të thënë urtë e butë, ky botim është i palexueshëm për arsyet e sipërshënuara.

Nuk ka fokus e as qartësi, dhe mungesa e uniformitetit narrativ prodhon një tekst që është i papranueshëm kundrejt një audience kërkuese shkollarësh.

Edhe më keq se kaq, boshllëqet e mëdha në historinë e Kosovës paramoderne janë plotësuar qesharakisht duke transplantuar histori jashtëkosovare.

Ç’kuptim ka të flitet për Kosovën e meskohës duke letërnxirë faqe të tëra me histori e historiza nga qytetet buzëadriatike apo për ngjarje historike që nuk e kanë fillin në Kosovë?

Skënderbeu në Kosovë. Por pse?

Një nga paradokset më të pashpjegueshme, madje të neveritshme, është se brenda vëllimit është përfshirë si kaptinë më vete (te Kreu IV) një minibiografi për Skënderbeun “Kosova dhe Epoka e Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut”, autoruar prej Pëllumb Xhufit.

E përfshirë pa asnjëfarë redaktimi, brenda 68-faqeve nuk jepet asnjë dromcë e vetme që do të dritësonte lidhjet e kapedanit mesjetar arbënor, Gjergj Kastrioti, me tërthoret gjeografike që përbëjnë Kosovën e sotme.

Kjo është sikur brenda një historie të Anglisë të ndërfutej mekanikisht e pakuptimshëm një kapitull minibiografik për William Pushtuesin dhe Normandinë.

Në krejt këtë biografi nuk nxjerr krye asnjëfarë gjëje në natyrën e provës për lidhjet e Skënderbeut apo të Kastriotëve më Kosovën e sotme.

Pyetjet si “A ishte Skënderbeu në Kosovë?” ose “Çfarë e lidhte Skënderbeun me Kosovën?” janë më fort që pozohen nga publiku profan sesa nga një historian.

Publiku laik është në të drejtën e vet të kërkojë madhështi e lavdi kudo, por historiani zanatçi nuk duhet të barabitet me pyetje vulgare që nuk nismohen nga mendja shkollareske.

Në mesin e viteve ’70, spiuni jugosllav i UDBA-s Hasan Kaleši – që punonte në Departamentin e Orientalistikës të Fakultetit Filologjik dhe në Institutin Albanologjik – në marazin e tij kundër Shqipërisë e gjithçkaje shqiptare përmutej edhe me këso logjike joprofesionale.

“[...] Nuk kam lexuar asgjëkundi se shqiptarët e Kosovës morën pjesë në përpjekjet antiturke në kohën e Skënderbeut”, shkruante ai në një copë pamfleti toksik të botuar në revistën serbe “Obeležja” që dilte asokohe në Prishtinë (Hasan Kaleši, ‘O seobama Srba sa Kosova krajem XVII i početkom XVIII veka, etničkim promenama i nekim drugim pitanjima iz istorije Kosova’, Obeležja VI/4 (1976), ff. 193-216).

Aq ‘gjenial’ i duk ky argumentim çapraz historianit serb, Dimitrije Bogdanović, sa atë e përfshiu në librin e tij namkeq “Knjiga o Kosovu”.

Vetë ideja që me praninë ose mungesën e Skënderbeut në Kosovë të vërtetohet ose çvërtetohet prania e arbënorëve është kryekreje dallash.

Pa ndonjëfarë shterëzimi për të qëmtuar mes studimesh, zotërimet e Skënderbeut dihet mirëfilltazi se ishin në Mat, në dy Dibrat e me zgjatime ku e ku në Pollog.

Kosova e viset rrotull saj në kapërcyell të shekujve 14-të e 15-të ishin në duar të dy oxhaqeve të mëdha feudale që mbinë mbi rrënojat e shembjes së carovinës së Dušanit – domethënë për sa rrnoi Gjon Kastrioti, viset e Rrafshit të Kosovës ishin pjesë e despotatit të Stefan Lazarevićit (1402-1427), kurse në rininë e vitet burrërishte të Gjergj Kastriotit, po të njëjtat toka njohën për kryezot Đurađ Brankovićin (1427-1456).

Vendi i Vukut, vendi i Gjonit...

Këto rrethana elementare janë më së të mjaftueshme për të kuptuar se ku e ku ishin sinorët e njërit dhe tjetrit zotërim.

Shumë më e mbarë do të ishte kërshëria se cilat ishin lëvizjet e ndërsjella sociale, kulturore e ekonomike në këto anë – dhe në këto vija të mbarështrohej një trajtim i thuktë.

Dokumentet e kohës, fjala vjen ato raguzane, dëftojnë se banorët e Rrafshit të Kosovës ishin të familjarizuar me zotërimet që për kryezotër i njihnin Kastriotët.

Më 13 shtator 1430, pëfaqësuesit nga Raguza, Piero de Luchari dhe Zorzi de Goze autorizoheshin që t’i mblidhnin tregtarët raguzanë në Prishtinë për arsyen se aty do të gjendej dikush që e dinte se çfarë takse (gabelle) kërkohej për të kaluar në “vendin që i takon Gjon Kastriotit deri në Lezhë” (per la contrada fo de Juan Castrioti, ad Alexio).

Ishin këto vitet e një gjendje dysundimëshe, me pushtet de jure të Brankovićëve e de facto të osmanëve.

Kjo dhe mund të jetë arsyeja pse në vend të nocioneve gjeografike për tokat në perëndim a lindje të Drinit vijonin të përdoreshin emrat e titullarëve të dikurshëm.

Zotërimet e Kastriotëve u njohën kadastralisht si Juvan-ili (tokat e Gjonit), kurse ato të Brankovićëve si Vuk-ili (tokat e Vukut).

Këto të fundit, ku përfshihej Prishtina dhe fushëtira e madhe nga Ibri gjer në Kaçanik, ishin kësisoj njëfarë toke-e-askujt.

Kjo shkërmoqje pushtetesh feudale i bënte këto anë që të mos cilësoheshin as si Bosnje e as si Serbi, por në të njëjtën kohë të paraqiteshin edhe si të ndara nga Arbënia proper (një dokument raguzan tregon sesi një raguzan i arrestuar në Prishtinë, me t’u liruar përkundrejt një ryshfeti, u nis drejt Arbënisë ad viam Albanie).

Duke qenë se Kastriotët në vitet 1430 vijonin të ishin të tutelizuar ndaj sulltan Muratit II, Gjergji i vogël, Skënderbeu i ardhshëm, mund të ketë marrë pjesë në fushatat osmane që mësynin mbi Kosovën.

Nuk është e largët mundësia, sado e pavërtetuar deri në fund, që Kastrioti i ri të ketë marrë pjesë në rrethimin e parë të Novobërdës në gusht të 1439-s.

Dhe nëse ka pasur diçka të tillë, Skënderbeu, i veshur si kalorës osman e me shpurën e njerëzve të tij, mund të ketë luftuar në betejat e Graçanicës dhe Makreshit gjatë të cilave u shpartalluan repartet mbrojtëse novobërdase.

Këtë gjë sikur na e pohon edhe vetë Marin Barleti kur tregon se fushata e Muratit shkoi mbarë e mirë për shkak të Skënderbeut dhe njohjes së tij të Kosovës (Scanderbeg, consilio operaque in ea expeditione potissimum usum fuisse Amurathem dicunt, quoniam pluribus antea bellis feliciter gestis, locorum et regionis peritior erat).

Një hakmarrje dhe më shumë se hakmarrje

Më afër truallit të së vërtetueshmes qëndron ardhja e Skëndërbeut në vjeshtën e vitit 1448 në krye te trupave të tij si pjesë e një aleance të papërmbushur me Janosh Huniadin.

Me dhéun që po i shembej nën këmbë, despoti serb zgjodhi që t’ia mbyllte kapedanit shqiptar të gjitha udhët e kalimet (quare audito Hungarici belli apparatu, et Scanderbegi aduentu, transitus ei omnes, uias et itinera praeslusit).

Hakërrimi ndaj asaj që u pa si tradhti nga ana e Đurađ Brankovićit (Georgi perfidia) bëri që pasuesit e Kastriotit të shfryheshin duke i shpopulluar e shkatërruar me zjarr e hekur zotërimet e tij në Mysi (Despotici et hostilis agros irrumpens, lateque depopulatus, omnia igni ferroque absumpsit).

E fundit shfaqje e Skëndërbeut, okazionale merret vesh, ishte ajo e shtatorit të vjetit 1464 kur trupat e tij u ndeshën afër Senicës me osmanët.

Skribomanë nga Kosova, sidomos në Novobërdë si e vetmja strehë qytetëse për njerëz të kënduar, afërmendsh që e përnaltësuan heroin për të cilin fliste e gjitha bota e krishterë.

Për këtë arsye edhe novobërdasit Martin Segoni e Konstantin Mihailovići në fundshekullin e 15-të i bënë vend Skënderbeut në letrat e tyre.

Segoni e ravijëzoi të parin jetëshkrim për Skënderbeun të quajtur “Narrazioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioe Alesandro Magno” (Tregim nga Turqit për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën e tyre Skanderbeg, domethënë Aleksandër i Madh).

Në anën tjetër, Konstantin Mihailovići, në kujtimet e tij të shkruara në polonisht e çekisht, nuk e la jashtë vëmendjes Skënderin të birin e Gjonit (Skender syn Gywanuw) dhe të bâmat e tij në tokën shqiptare (zemie Arbanaske).

Të gjitha këto dromca e thërrmiqe njoftimesh zor që e meritojnë të shndërrohen në tema rëndësore kur mund të bëjnë vend vetëm në fundshënime e plotësime anësore.

Mohimi i ortodoksizmës mesjetare – revizionizëm historik

Gjithsesi, një shënim si ky është i pamjaftueshëm për të adresuar një përmbajtje kaq disonante.

Për çdo rast, nuk duhet lënë të kalojë kollaj fakti që vëllimi në fjalë përfaqëson më tepër dëshirën e publikut për t’i projektuar perceptimet e veta sesa që është rezultat autonom i një kërkimtarie neutrale.

Historia
në fjalë është edhe një besa-besë qesharake mes individësh me disponime katolikocentrike e islamocentrike brenda vetë Institutit të Historisë.

Të parët janë të interesuar të zdrukthojnë një krishtërim katolik në këto hapësira; të dytët, të shkolluar shpesh me bursa të regjimit të Erdoganit, janë të interesuar të zdrukthojnë idenë e një islamizme sa më të moçme në këto hapësira.

Që të dyja prirjet nisen nga një projeksion fort dëshiror që realitetet katolike (kryesisht bashkësi të hapërdara) ose ato islame (të përqëndruara në bërthokla urbane) t’i absolutizojnë sikur të ishin rrokakrejtëse.

Kjo përqasje përjashtuese mund të jetë edhe ortodoksofobia latente që sot i bashkon të gjitha ngjyrat fetare në botën shqiptare.

Sa nga komplekset e sa nga mendjengushtësia provinciale, Orbis Christianorum i mesjetës në Kosovë nuk përkapet në të vërtetën e vet sa kohë ka prirje e përpjekje për ta fshehur ortodoksinë e mirërrënjosur.

Dhe kjo ortodoksi, si depozitim shekullor i lidhjeve fillimisht me Kryepeshkopatën e Ohrit, ishte aq identitare sa edhe fantazistët më të mëdhenj të frymës fiorentine për bashkim kishash nuk kishin shpresa se kjo ide do të ndezte në Kosovë.

Vetë teologu e frati françeskan Giovanni da Capestrano, i cili në vitet 1450 u përpoq të bënte konvertimin e banorëve të Ballkanit qendror në katolicizëm, e mori vesh që kjo nuk pinte ujë te ata që e besonin herezinë greke siç quhej për antonomazi krishtërimi ortodoks në sytë e perëndimorëve (articuli in quibus errant Rasciani ultra haereses Graecorum).

Aq e madhe ishte droja kolektive nga një konvertim në katolicizëm sa Janosh Huniadi u shpërfigurua në folklorin ballkanoqendror si Sibinjanin Janko, i përfytyruar si një kryqtar fanatik që donte t’i nxirrte nga feja ortodokse e t’i shtrëngonte për t’u bërë katolikë.

Edhe vetë Barleti nuk është se kishte farë simpatie për ndenjësit ortodoksë të Mysisë, domethënë për tokat nga Rrafshi i Kosovës e më në veri.

Duke i rekapituluar ngjarjet fatzeza të 1448-s kur hungarezët pësuan gjëmë afër Prishtine, ai shkruante se Huniadi pësoi nga “sordium Christianorum indignitas” (poshtërsisë së ndyrësisë së krishterë).

Dhe kjo gjuhë frelëshuar e priftit shkodran yshtej pikërisht nga aversioni i përgjithshëm katolik ndaj ortodoksëve.

Kur shkruan për Đurađ Brankovićin, ai thotë për të se “aeque et Christiana praecepta, et Machometi leges spernebat” (përbuzte barabar mësimet e krishtera dhe shartet e Muhametit).

Madje edhe për kontekste të brendshme arbënore, sidomos nga enklavat katoliko-romane, pjesëtaria në traditën ortodokse e greke ishte e mjaftueshme që edhe dibranët t’i barabiste me të huaj (propior tamen externis quam Epiroticis moribus, et abhorrens in multis ab Albano cultu, graecanico ritu victitabat et plerasque eorum superstitiones sequebatur).

Fshatra me popa, fshatra me shumë popa

Në 594 faqe tekst sa ka i gjithë vëllimi në shqyrtim, identiteti burimor ortodoks nuk zihet në gojë ose trajtohet si një cergë e hedhur nga jashtë.

Në asnjërin nga shtatë kapitujt, historia e tempujve kryesorë ortodoksë në Kosovë nuk vlerësohet e as nuk përmendet, duke e nxjerrur atë si një damnatio memoriae (mallkim kujtese).

Një nonsens i llojit të vet është që autorët i trajtojnë vetëm në terma puro teknikë historitë e manastireve të Bajës, Graçanicës, Deçanit, Pejës e Prizrenit.

Këtyre edificeve të mëdha u kushtojnë disa rreshta për stilin e ndërtimit e veçanti arkitektonike, duke mos e zënë në gojë faktin qendror se ato ishin pole par excellance të kulturës shkrimore e kishtare duke rrezatuar përtej konteksteve lokale.

Ky është një krim i pafalshëm, baraz me revizionizëm arrogant.

Është i pakuptimtë kompeksi fshataresk ndaj një trashëgimie ortodokse që prodhoi literaturë të farëfarshme me hagiografi, epistola, persiatje fetare e tekste gjeografike, plot prej të cilave meritojnë të kalojnë në statusin e dëshmive historike.

Nuk mund të trivializohet me mendje të shëndoshë fakti që, fjala vjen, më 1455 në Kosovë, sidomos në anën e saj veriore e lindore, ndodheshin 9 manastire e 6 kisha.

Te gati secili fshat zihet në gojë prania e një popi, kurse në fshatra më të rëndësishëm dy e tre syresh. Pos tyre, burimet e kohës vëmendësojnë edhe prifta eremitë ose oshënarë (kaloyor).

Numri i madh i ngrehave fetare vijonte të ishte i madh edhe kur Kosova hyri nën dëgjesën e Kryepeshkopatës së Ohrit – sipas defterëve të viteve 1477 dhe 1487, për sanxhakun e Vushtrrisë, me emra përmenden 12 manastire e 5 kisha.

Jeta në Kosovë, në shekujt para se të agonte moderniteti, ka qenë ajo e një ortodoksie të thellë që përcaktonte sjelljet, shijet, perceptimet e besimet e njerëzve.

Jashtë kësaj bote kishtare ishte ajo ajo e peizazheve transhumante, një gjendje bipartite mes fushës së kristianizuar e të feudalizuar dhe maleve gjysmë të kristianizuara e të pafeudalizuara. /Nacionale/

Lajme të ngjashme