Një javë në Pejë: Tri gjërat që më bënë ta urrej, dhe tri që më bënë ta dua këtë qytet
Për ditë të tëra, Peja ka qenë vendi ku kam rënë e jam gdhirë dhe, pak nga pak, kam filluar të kuptoj më shumë rreth elementeve frustruese e të bukura të këtij qyteti.
Nuk është se kam bërë e jam shëtitur kushedi sa gjatë këtyre ditëve por, përkundër mungesës së aventurave mbamendëse t'i quajmë, ca gjëra nga përditshmëria pejane më kanë shkaktuar probleme e frustrime ditore.
Anibari po i jep frymë qytetit dhe unë po qëndroj në harmoni me zhvillimet e këtij festivali të animacionit, i cili po mban edicionin e 13 të paraqitjes, e ky vit është hera e parë për mua që marr pjesë.
Ky festival - përveç shkallëve të papërshtatshme për t'u ngjitur e zbritur nga tribuna e Kino Liqenit dhe mungesës së shportave të bërllokut nëpër hapësirat transmetuese (bukfalisht jam sjellur me një kanaqe në dorë për minuta të tërë në kërkim të shportave për ta hedhur), ndoshta edhe ndonjë tabelë informuese për lokacionin e hapësirave në park nuk do t'i bënte keq askujt - ka qenë tejet dinjitoz si organizim.
As edhe një gabim organizativ e teknik, ndoshta me përjashtim të ndonjë mikrofoni jo të ndezur në disa raste, nuk është parë nga sytë e dëgjuar nga veshët e mi përgjatë këtyre gjashtë ditëve të fundit. Dhe, më besoni, ka pasur aq shumë aktivitete, sa që mungesa e tyre (gabimeve teknike) është gati impresive.
Më poshtë, fillimisht tre gjërat që po i urrej për Pejën:
Shënim: Artikulli është i bazuar vetëm në eksperiencat personale dhe assesi nuk përfaqëson qëndrim redaktorial.
Nuk ka bukë natën vonë
Po, ju realisht mund të futeni në gjendje ankthi nga uria, nëse keni një zakon të ngrënies natën vonë.
As edhe një 'fast food' nuk ofron shërbim 24/7. Të jetuarit në qytete si Prishtina mund t'iu inkurajojë të zhvilloni një zakon të keq të të ushqyerit pas mesnate. Ky zakon pastaj përsoset dhe tash darka, nga ora 18:00-19:00, servohet në ora 01:00-02:00. Epo, jo në Pejë. Pejanët duket se i kanë shpëtuar një zakoni të tillë, pasi njeri i gjallë nuk të jep bukë pas një kohe të caktuar, 22:00-23:00.

Një natë ishte aq keq puna sa, pasi nuk lashë kërkim në 'Google' pa e provuar se mos po shfaqej ndonjë lokal me ikonën 'open' që shërben ushqim gjatë orëve jo-ortodokse, telefonova një taksi dhe, pasi u futa në makinë, iu drejtova 'aman, më gjej një vend për me hongër'.
Pasi provoi disa opsione të dështuara, taksisti tha "eh, s'osht mo Peja qysh u konë këtyne herë". E pyeta, "pse qysh u konë këtyne herë?" Tha: "Kanë punu deri vonë, plot lokale që shërbejnë ushqim".
Disa kilometra më larg ai gjeti një pompë benzine ku u shërbeva me një vakt të mirë, e dini një të tillë që e bën paranë të pavlerë për atë moment... je në gjendje ta japësh njërën veshkë veç edhe për një kafshim të fundit. Kështu që, po, nuk ka 'fast food' që punon në orët e vonshme, e lëre më 'delivery'.
Madje, këtë artikull e lashë në gjysmë për ca minuta, pasi ora 22:00 po afronte dhe... Zot mos e bëj të jeni i uritur pas kësaj kohe.
Kartela e bankës përdoret vetëm një herë në muaj

Një tjetër gjë që duhet pasur parasysh nëse po planifikoni një shpërngulje në Pejë për ca kohë qoftë për shkak të punës, qoftë për qejf, është të gjeni një bankomat një herë nëse po vini nga ndonjë vend ku pagesat e çfarëdo llojshme mund të kryhen me kartelë.
Në praktikën pejane, kartelat duket se gjejnë përdorim vetëm një herë në muaj, për t'i tërhequr rrogat.
"Nuk munësh me pagu me kartelë këtu, veç me ndonjë restorant të madh, përndryshe..." më tha një kamarier kur e pyeta nëse mund të paguaja vaktin që sapo kisha ngrënë me katelë bankare.
Kështu që, ta keni parasysh, Peja dhe kartelat nuk janë kombinim në të cilin duhet të llogarisni.
Taksitë
Prej 13 korrikut, kur erdha në Pejë, taksitë kanë qenë mjet transporti që ka gjetur përdorim masiv në udhëtimet e mia nga vila në Anibar dhe anasjelltas.
Po, e di, edhe unë ndihem fajtor... tërë ky qytet për ta parë e për ta shëtitur, dhe unë krejt çka kam bërë është të shkojë në punë (që janë lokacionet ku po mbahet Anibari) dhe në shtëpi.
Për të qenë të sinqertë, deri tash jam endur vetëm me një kompani, dhe krejt kjo përshtypje e imja vjen nga eksperiencat me shërbimet e kompanisë në fjalë, dhe assesi nuk përfshihen firmat e tjera të taksive,
Në shumicën e rasteve kur porosisni taksin, bazisti fare nuk ju tregon kohën për sa do të vijë makina në lokacionin e kërkuar, madje edhe nëse ia kërkoni.
Pritjet mund të jenë nga 10 deri në 40 minuta dhe, sërish e them bazuar vetëm në eksperiencat me kompaninë në fjalë, nuk vjen fare mesazhi për arritjen e veturës. Kështu që, të priturit jashtë pa e ditur kohën kur do të vijë, kur keni mundur të qëndroni brenda në rehatinë e akomodimit tuaj pejan.
Tash është koha të flasim për gjëra pozitive, gjëra të bukura, gjëra të mira me të cilat ndërlidhet Peja dhe populli pejan.
Njerëzit
Tejet miqësor, tejet mikpritës dhe bashkëpunues. E kam të vështirë t’i numëroj rastet sa herë kam kërkuar ndihmë në kërkim të ndonjë kinemaje, rruge apo lokacioni ku është dashur të shfaqem. Në secilin rast, secili subjekt ka qenë më se i lumtur të ndihmojë.

Tutje, gjithashtu nëpër lokalet ku jam futur pritja ka qenë gjithmonë e ngrohtë dhe asnjëherë nuk është vërejtur as edhe ndonjë mimikë, pavarësisht kërkesave të tepruara nganjëherë, si “a munësh me ma mbush qët telefon?” dhe “A ma thirr një taksi?” që jo rrallëherë u bëja kamerierëve.
Njerëzit e Pejës janë fantastikë.
Anibari
Ky festival do të më gjej sigurisht vit për vit në Pejë, pasi njëmend ka qenë gjëja më e bukur që ka ndodhur në qytet në javën e fundit.

Filma sa të duash animacion gjatë tërë ditës, por një tjetër aspekt edhe më impresiv sa i përket Anibarit është edhe kultura e shikuesve. Nëpër kinema të rëndomta në Prishtinë, shembull, është e vështirë të shikosh film pa u përfshirë e dëgjuar llojlloj komentesh në sfond. Jo në Pejë. Anibari dukej se ka ndikuar në këtë kulturë të shikimit, marrë parasysh se ka qenë pjesë e hapësirave të qytetit që 13 vite.
Mendoj, organizatorët e tashëm kanë qenë fëmijë e tash janë të rritur, prej kur ky festival ka filluar të zë vend.
Hapësirat gjelbëruese
Në plot vende. Poshtë në qendër shërbehesh me një park të madh lisash e gjelbërimi e hijeje tejet të rëndësishme e të nevojshme nën temperaturat e të nxehtit afrikan.

Madje, edhe dy lokacione kinemash të Anibarit janë të vendosura në parkun e madh që është i vendosur një përpjetëze jo shumë të mundimshme ku, në ca vende ka ndriçim, për të mbetur pa të në ca rrugica të tjera.
Sidoqoftë, shumë hapësira gjelbëruese në dispozicion nëse po brengoseni për ambiente të shëndetshme para se të vini në Pejë. Shtrati i Lumbardhit gjithashtu duket i mbajtur mirë, pa bërllok e gjësende të hedhura, apo të paktën ashtu në disa prej pjesëve ku kam pasur mundësi të kaloj mbi të e ta shikoj nga afër.

