Nga 70 shtatore të dëshmorëve vetëm 3 janë për gratë - pse nuk kujtohet roli i vajzave të UÇK-së? - NACIONALE

Nga 70 shtatore të dëshmorëve vetëm 3 janë për gratë - pse nuk kujtohet roli i vajzave të UÇK-së?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Të enjtën e 22 shtatorit u bënë 24 vite që kur në dyluftim me forcat serbe në vitin 1999 rannë dëshmorë, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci. Shumë liderë të vendit, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai dhe shumë liderë të tjerë që kanë qenë në krye të shtetit por edhe në institucione të tjera, flasin e shkruajnë shumë për dëshmorët, herë për të marrë pak famë e herë për t’i kujtuar për bëmat e tyre. Por ajo që vërehet është mungesa jashtëzakonisht e madhe e të përkujtuarit të grave që kanë rënë dëshmore në luftën e fundit në Kosovë. Nuk dihet as numri i saktë i grave që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kësisoj, vetëm 3 shtatore janë të grave që kanë rënë dëshmore gjatë luftës, nga 70 të tilla që gjenden në krejt Kosovën. Ndër to është edhe shtatorja e Xhevë Lladrovcit, por mungon shtatorja e Fatime Hetemit, një tjetër dëshmore e UÇK-së. Për të është ndërtuar vetëm një bust në Mitrovicë, teksa shtatorja e Xhevë Lladrovcit gjendet në Drenas. Të dhënat se sa ishte numri i saktë i luftëtareve gra ende mungojnë, ndonëse lufta ka përfunduar tani e 24 vite. Nuk dihet as numri i grave dëshmore.

Pse nuk ka më shumë shtatore për gratë dëshmore?

Sipas Agjencisë së Statistikave, numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës është rreth 35,175 burra, ndërsa nga ky pension përfitonin vetëm 3,036 gra.Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 10,400 shqiptarë, 20,000 persona janë dhunuar, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banuara në Kosovë u dëmtuan. Duke parë shifrat, se vetëm 3 gra kanë shtatore në krejt Kosovën, natyrshëm lind pyetjet e llojit: sikur Xhevë Lladrovci të mos ishte krah për krah me Fehmi Lladrovcin gjatë betejave në luftën e fundit në Kosovë, a do të kujtohej në këtë mënyrë, a do t’i ndërtohej shtatore?

Shumë luftëtare të tjera si ajo nuk e kanë këtë fat. Ato, për dallim prej burrave luftëtarë të cilëve u janë ngritur shtatore të ndryshme nëpër Kosovë, janë shumë pak të përfaqësuara si memoriale.

Sipas Bislim Zogajt, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, që ka për detyrë ndërtimin dhe menaxhimin e shtatoreve në Kosovë, e pranon se mungesa e shtatoreve ose memorialeve që kujtojnë gratë dëshmorë në UÇK është shumë i vogël.

E pranoj se është tepër e rëndësishme që më shumë gra të jenë të kujtuara në mënyrë më të dinjitetshme. Nuk ka ndonjë arsye pse mungojnë ose pse nuk ka më shumë shtatore për gra, është thjesht çështje e vendosjes së komunave, organizatave të dala nga lufta etj”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, kjo do të duhej të ndërronte dhe premtoi se do të rritet numri i shtatoreve që do të ndërtohen. Ai përmend edhe mungesën e numrit të saktë të grave dëshmore si arsye tjetër pse mungojnë shtatoret për to. Ai përmend planin për të ndërtuar një shtatore për një tjetër dëshmore, që ka rënë në betejën e Çabratit.

Bëhet fjalë për Yllka Domin e cila ka rënë dëshmore në moshën 17 vjeçare. Ajo edhe pse ishte e re ka qenë duke u përgaditur për të luftuar, andaj mendoj se e meriton të kujtohet përmes ngritjes së përmendoreje”, ka thënë Zogaj.

Ai nuk e pranon direkt, por as nuk e pohon faktin se tendenca që të mos diskutohet për rolin e gruas në çlirimin e vendit dhe të mos i jepet vëmendja e duhur, është produkt i normave shoqërore patriarkale të shoqërisë kosovare.

Kush janë gratë dëshmore që kanë shtatore në Kosovë?

Janë vetëm tri shtatore në krejt Kosovën që janë të dedikuara për gra luftëtare: shtatorja e Xhevë Lladrovcit e vendosur në Drenas bashkë me shtatoren e bashkëshortit të saj, pastaj në Ferizaj është shtatorja e dëshmores Hyrë Q. Emini e cila as nuk ka vdekur në luftën e Kosovës por në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes grupit gueril ushtarak shqiptar. Ajo ishte vrarë në Gostivar. Shtatorja e tretë për një grua luftëtare gjendet në Pejë dhe i dedikohet heroinës Myrvete Maksutaj.

Këto të dhëna kanë qenë gjithmonë të ditura, por së fundmi janë publikuar në faqen e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Kush janë tri gratë luftëtare në luftën e fundit, që kanë shtatore, dhe cila është historia e biografia e tyre, të marra nga sajti zyrtar i AMMK-së.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci - u lind më 1 qershor 1955, në Drenoc të Malishevës. Ajo rridhte nga një familje e shquar intelektualësh dhe patriotësh. I ati i saj, Abdyl Krasniqi, ishte arsimtar dhe i burgosur politik, për shkak të veprimtarisë patriotike. I njëjti i nxori eshtrat e Azem Bejtës nga shpella e thellë 70 metra, ku e kishin fshehur. Edhe e ëma e Xhevës, Hanife Bujupi – Krasniqi, rridhte nga një familje patriotike nga Orllati i Drenasit. Xheva u rrit dhe u edukua në një familje me tradita shqiptare. Ajo ishte fëmija i parë ndër 17 djem e vajza të tjera të babait të saj, pasi nëna e saj kishte vdekur e re dhe babai i ishte martuar për herë të dytë. Xheva ishte një vajzë jashtëzakonisht e mençur dhe e zonja. Ndonëse e rritur në një familje shumanëtarëshe dhe në rrethana të vështira të asaj kohe, ajo ia kishte dalë mbanë që të përfundonte edhe fakultetin, për më tepër kishte përfunduar dy të tillë. Heroina Xhevë Lladrovci kishte mbaruar Fakultetin e Letërsisë dhe atë Juridik.

Hyrë Emini - ka lindur në Ferizaj, në një familje me traditë të pasur kombëtare, e ardhur më herët nga fshati Maçitevë e Therandës. Si mijëra familje të tjera shqiptare, edhe familja e Hyrës, në vitin 1958 kishte marrë rrugën e shpërnguljes së dhunshme për në Turqi. Pas fillimit të luftës në Kosovë, Hyra vendos të inkuadrohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë qëllim, në maj të vitit 1998, ajo arrin në familjen e saj në Ferizaj dhe një muaj më vonë inkuadrohet në radhët e UÇK-së, në pikën ushtarake në Jezerc, e cila sapo ishte formuar dhe komandohej nga Imri Ilazi, i quajtur Komandat “Ferri”. Shpërthimi i luftës çlirimtare në trevën e Kosovës Lindore në fillim të vitit 2000, nuk e la indiferent as shpirtin liridashës të Hyrës. Ajo, së bashku me Tahir Sinanin, kishte krijuar lidhjet me disa prej luftëtarëve që po luftonin në këtë trevë dhe po ndiqte me interesim zhvillimet e luftës atje. Për këtë arsye, në maj të vitit 2001, ajo tërhiqet nga shërbimi në radhët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duke dhënë dorëheqjen. Sapo arrin në Maqedoni, Hyra me shokë angazhohet për të shtrirë frontin edhe më në jug të trojeve shqiptare, në rrethinat e Dibrës e të Gostivarit. Dy muaj më vonë, në një aksion ushtarak, “Mira” bie në krye të detyrës, në Kuk Zabel të Gostivarit.

Mervete Maksutaj - Njëra prej të rejave që iu përgjigj me devotshmëri kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, ishte edhe Mervete Maksutaj nga fshati Orrobërdë i komunës së Istogut. Mervetja ka lindur më 10 prill të vitit 1978 në një familje me bujari tradicionale. Shkollën fillore, Mervetja e kreu në Banjë të Istogut. Në kohën kur ajo e kreu këtë fazë të shkollimit, pushtuesi serb e kishte ndaluar funksionimin legal të shkollës shqipe, prandaj shkollën e mesme e mbaroi në fshatin Vrellë, në një shtëpi-shkollë. Edhe në këto kushte mësimi, Mervetja ishte dalluar si nxënëse e sjellshme dhe punëtore. Një kuptim të ri, jetës së Mervetes i kishte dhënë dalja e UÇK-së në skenën e hapët dhe shpërthimi i luftës së armatosur në Drenicë. Epopeja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjeve Jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998, e kishte bërë edhe më të papërmbajtur shpirtin kryengritës të vajzës Mervete Maksutaj. Më 11 korrik të vitit 1998, Mervetja u inkuadrua në radhët e UÇK-së, në kuadrin e brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Në betejat që zhvilloi kjo brigadë, gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998, Mervetja u shqua për trimëri dhe shkathtësi të rrallë. Ajo mori pjesë në aksione sulmi mbi policinë serbe në shumë vende të Rrafshit të Dukagjinit, si në Broliq, Çallapek, Bellacerkë, Jabllanicë e Gjakovës e të tjera. Në vjeshtë të vitit 1998, komanda e Zonës Operative të Dukagjinit kishte orientuar përpjekjet e saj për shtrirjen e organizimit të njësiteve të UÇK-së edhe në pjesën verilindore të Rrafshit të Dukagjinit, përkatësisht në disa pjesë të territorit të komunës së Burimit e të Klinës. Mervetja ishte angazhuar drejtpërdrejt rreth këtij organizimi, i cili rezultoi me formimin e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Pas formimit të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, Mervetja aktivitetin e saj ushtarak e zhvilloi kryesisht në zonën e veprimit të kësaj brigade. Ajo kreu shumë aksione kundër forcave pushtuese, tashmë si një ushtare e rryer në beteja. Më 4 dhjetor të vitit 1998, Mervetja kishte marrë përsipër edhe misionin për lirimin nga duart e armikut të disa bashkëluftëtarëve të saj, të cilët, pas plagosjes në betejë me trupat serbe, ishin kapur nga këta trupa dhe ishin dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku po mbaheshin nën mbikëqyrje policore. Në mesin e këtyre bashkëluftëtarëve ishin Afërditë Zekaj, Naim Lushi, e të tjerë. Këtu Myrvetja në një përballje me armikun, bie heroikisht.

Lajme të ngjashme