‘Kurrë ma n’siklet s’jom ni’: Stresi i blerjes së kondomëve, çka thotë populli, farmacisti e seksologu? - NACIONALE

‘Kurrë ma n’siklet s’jom ni’: Stresi i blerjes së kondomëve, çka thotë populli, farmacisti e seksologu?

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Asnjëherë nuk pata as mundësinë, e as guximin të pyesja dikë që është më i moshuar, e më me përvojë si vendoset prezervativi pa e provuar dhjetë herë në të dy anët - me kalimin e kohës u shndërrua në problem stresues e një që kishte nevojë për adresim.

Për më tepër, si të vendosësh për pakon e duhur të prezervativëve, për gjatësinë e masën që ju përshtatet? Njëjtë edhe për llojet e tyre, trashësinë apo hollësinë që ndikon në ndjeshmërinë gjatë aktit.

E di, e di, shumë prej jush mund të keni njëqind këshilla pasi ta lexoni këtë - që nga verfikimi i gjatësisë dhe masës diku prapa paketimeve, deri te lloji apo marka e rekomandueshme.

Në fakt, nga ajo që më tha Vjosana Qeriqi, farmaciste në “Global Pharm 1+”, e kuptova se në Kosovë të gjithë prezervativët vijnë të një madhësie, për t’ua komplikuar jetën individëve që kanë telashe përshtatjeje me gjatësinë standarde.

“Këta në Kosovë janë krejt të një madhësie. 56 milimetra, large, është standard”, më tha ajo, derisa po i shikonte rend, një nga një nga prapa, për të parë nëse do të mund të gjente ndonjë madhësi tjetër.

Njëmend, u desh të përvidhesha e të malltretohesha për një kohë të gjatë derisa të bija edhe në llojin e duhur.

Sekreti e magjia qëndron te "durex feel slim". Tërë ato vite të kaluara në kërkim të të duhurit, e që përfundoja gjithmonë duke përdorur "durex"-in e zakonshëm, me të kaltër, i cili ka një tendencë impresive t'ua vështirësojë jetën.

U desh të bëja zemrën guri pas shumë e shumë viteve të pyesja një mik, i cili, pasi më tha se kishte vuajtur të njëjtin problem po ashtu për shumë kohë, kishte rënë disi në "feel thin".

"Feel thin" doli të jetë paksa më i përshtatshëm, por ende kam punë për të bërë në përmirësimin e zanatit të vendosjes.

Seksologu Hajrullah Fejza më konfirmoi se në literaturën e edukimit seksual, e cila për herë të parë do të fillojë të mësohet si lëndë në një universitet privat nga viti i ardhshëm, është përfshirë në kurrikulën e programit ligjërues edhe procesi i metodologjisë së gjetjes së prezervativit të duhur dhe vendosjes së tij siç e kërkon rendi.

Fatmirësisht, gjenerata e re që do të ketë mundësinë të bëjë pyetje e të marrë përgjigje profesionale, pa përjetuar siklete nga më të ndryshmet.

Edhe futja në barnatore për blerje të pakos me prezervativë nuk është se kalon pa traumën më të vogël emocionale.

Pritje derisa të zbrazet nga myshterinjtë tjerë dhe ulja e kokës për të evituar kontaktin në sy.

Visari tregon madje se eksperienca e tij e fundit e ka bërë të ndërrojë destinacion blerjeje, nga barnatorja në market.

“Kom shku me ble kondoma me një barnatore në qendër të qytetit. Tri kutia durex-a, se m’vyjshin për deti (pushim), kisha me shku me të dashurën”, tregon ai.

“Kur pata shku, shitëse ka qenë një gru ma e vjetër me një çikë ma të re, nashta nja 22-vjet i ka pasë. Edhe ju kom thonë ‘a bon tre kutia durex-a’, kanë blloku ekstremisht shumë. M’kqyrëshin çuditshëm. Më patën sikletavë shumë. Kontakt sy më sy ma të sikletshëm kurrë s’kom pasë. Prej qatij momenti m’u pat bo siklet me ble kondoma. Tash shkoj veç n’market i lypi e i gjej vet për me i ble”.

Por, nuk ka të bëjë veç me kondoma, natyrisht. Pilulat emergjente, kamagra etj., janë po ashtu elemente që shtojnë siklet në popull për t’i porositur e blerë.

Çka thonë të barnatores?

“Zakonisht kur janë gjinia e kundërt, nihën n’siklet kur blejnë prezervativë, pilula emërgjente, etj”, po më shpjegonte tutje Qeriqi.

“Në përgjithësi, meshkujt ndihen kogja në siklet kur vijnë me ble prezervativë. Ndodh që vijnë, veç këqyrin, derisa ta gjejnë me sy me marrë vet, se kështu me pyet ju vjen pak vështirë”.

Mirëpo, përkundër rasteve të vazhdueshme të njerëzve të sikletuar, Qeriqi thotë se kohëve të fundit ka parë rënie të numrit të njerëzve që ndjejnë siklet, e që duket premtuese.

Prezervativët do të jenë mes nesh, sa të ekzistojmë në planetin tokë. E kultura e edukimit sa i përket blerjes, shitjes, vendosjes, zhvendosjes, leximit të madhësisë, e importi me madhësi të ndryshme, ka nevojë për adresim të mëtutjeshëm, deri në zgjidhjen adekuate të këtyre çështjeve.

Lajme të ngjashme