“Hipokrizi” e paradoks - mes rreshtave të këngës së re të Butës - NACIONALE

“Hipokrizi” e paradoks - mes rreshtave të këngës së re të Butës

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Përqeshja e të tjerëve, kur bën para për vete, është njëri nga elementet e para të arrogancës dhe prepotencës. Kur kjo bëhet nga një artist, ajo bëhet problematike, sepse hyn në dikasterin e përqeshjes.

Sigurisht, Buta e di që shumica e atyre që e dëgjojnë, janë “broke”. Por ai, gjatë një këngë të vetme, ua përkujton atyre këtë gjë në një formë fort brutale.

"Broke boys (djemtë trokë, të varfër) unë i urrej

Si do të ndihej një fans që nuk ka para në një “rimë të tillë”? Kjo do të mbetet për t’u shikuar nga reagimet, por, përtej kësaj, kënga e re e Butës është njëfarë sikleti që nuk dihet se nga buron.

Të kthehemi te Buta.

Rrëfente hapur për gjendjen e rëndë financiare, tash thotë se i urren njerëzit që nuk kanë para. Fiksimi dhe sforcimi për të treguar se materialja qëndron para gjithçkaje tjetër, lehtë i interpretueshëm si shenjë për gjendje të rëndë emocionale - universi paradoksal i Butës.

"Une shumë qejf e kom jetën e shpejtë, kerrin e shpejtë edhe paren e shpejtë.”

"Broke boys (djemtë trokë, të varfër) unë i urrej

"Broke b*tches (k**vat trokë) unë i urrej"- thotë ai në këngën e re solo, "Gin & Tonic", të publikuar më 3 dhjetor 2022.

Një qëndrim paradoksal e madje me elemente të theksuara kontradiktore, kur e krahasojmë me vargjet e tij pikërisht nga dhjetori i vitit 2018, kur në albumin e sapopublikuar, "Vjeshtë/Dimër", saktësisht te kënga "My B*tch", ai shprehej:

"Njerëzit dojnë me t'shty, kur t'shohin që je n'cep.

"E maj n'mend sikur dje, për qira s'kom pasë lek.

"S’e kom pasë asni cent, i pata harxhu krejt".

Në këngën që ka mbi 2,3 milionë klikime, Buta vazhdon tutje:

"Pa ushqim për qen, kishke bukë, po jo xhem.

"As shampon m’i la en’t, s'kena pasë sen

"Veç ni vend ku njeri flen, edhe kurrgjë tjetër sen".

Tash, të gjithë jemi mirë të familjarizuar me ndodhitë e majit të këtij viti, kur vëllai i reperit dyshohet ta ketë privuar nga jeta Gazmend Hysenin, të njohur si "Strella".

Mes këtij rasti dhe publikimit të këngës "Gin & Tonic", Buta është shkëputur për ca kohë nga bota e muzikës, derisa është raportuar vazhdimisht për udhëtime të tij jashtë vendit.

Gjatë kësaj kohe, ai sigurisht se duhet të ketë reflektuar mbi shumëçka, e mbi të gjitha, edhe mbi të mirat materiale që ia ka sjellë bota e hip-hopit, të cilat e kanë ndihmuar të shkëputet nga realiteti dhe kaosi mediatik në Kosovë që e shkaktoi rasti i vëllait të tij.

Vargjet për djemtë e çikat e varfra, të cilëve ai u drejtohet me përbuzje te kënga në fjalë, janë të trishtueshme dhe - potencialisht - kontribuojnë për ta rënduar gjendjen emocionale të fansave të tij nga të dyja gjinitë, të cilët mund të jenë trokë (plot prej tyre madje), por që muzika e tij u ndihmon, ose i ka ndihmuar deri tash, të shtyjnë edhe një ditë me shpresë për ditë më të mira.

Fundja, idhulli i tyre kohë më parë rrëfente se nuk kishte as "shampon m’i la enët", e tash bën jetë prej superylli. Vështirë të gjendet diçka më shpresëdhënëse e frymëzuese.

Për më tepër, mënyra si ai nënvizon superioritet financiar është për pikëpyetje. Sa realisht kushton pija "Gin Tonic?"

Tre euro? Katër euro? Sido që të jetë, "Gin Tonic" është larg të qenurit pije aq glamuroze sa për ta përdorur si pikë reference në të njëjtën këngë ku glorifikohet materiali e luksi, ndërsa përbuzet gjendja e varfër financiare.

Përbuzëse do të jetë edhe për rrethin e ngushtë të reperit, i cili duhet të përmbajë edhe subjekte jo në gjendje fort të mirë financiare. Natyrisht, jemi në Kosovë, çdokush njeh dikë që po përballet me vështirësi materiale.

Te "Gin & Tonic", në një episod tjetër kundërthënës, Buta shprehet:

"Kom porositë 100 euro sandviç

Drejt me t'kallxu, s'u hongër hiç

Amo apet unë e lashë një baksish

Veç m'ju kallxu që I move like this (lëviz kështu)"

Në fund të fundit, duket se ai ndien se materialja nuk sjell përmbushje, teksa flet për një ushqim me çmim të lartë, por në të cilin nuk e gjeti kënaqësinë.

Është e qartë se jo gjithçka e çdo gjë, sidomos në këngët e një zhanri të tillë, duhet të merret seriozisht. Sidoqoftë, nëse këngët si “My B*tch” na bëjnë të mishërohemi me një realitet të hidhur, lehtë është të ndihemi keq dhe më pak për veten tonë, kur idhulli, prej një pozite nga e cila supozohet të kuptojë se si është të vish nga zeroja, thotë se i urren të varfrit në një këngë që i shërbehet një populli relativisht të varfër.

Lajme të ngjashme