Buta, Ledri, Gjiko, Mozzik e Bim Bimma - rreshtat më të tmerrshëm që janë thënë nga reperët tuaj të preferuar - NACIONALE

Buta, Ledri, Gjiko, Mozzik e Bim Bimma - rreshtat më të tmerrshëm që janë thënë nga reperët tuaj të preferuar

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Më në fund e kemi një listë të ajkës së bërllokut që është grumbulluar ndër vite në estradën tonë.

Na vjen keq që duhet të shprehemi pa filtra dhe në mënyrë direkte kur themi 'bërllok', por të qenurit 'politik korrekt' është thjesht shumë e mërzitshme dhe e pakuptimtë në kohë virusesh e luftërash.

Tentativat e mëposhtme për metafora nga reperët kosovarë mund ta shndërrojnë një album nga kryevepër në të dobët në mënyrë automatike, derisa një album të dobët mund ta shndërrojnë në një qesharak.

Reperët tuaj të preferuar sigurisht se do ta gjejnë veten këtu, pasi lista është fokusuar më shumë në artistët e skenës 'mainstream', se sa në ata që po luftojnë për të arritur në pozitë për të ndarë një copë nga tortja e madhe.

Vazhdoni më poshtë në konkludimin brutal të rreshtave më të këqinj të thënë ndonjëherë nga reperët kosovarë.

Vëmendje: Materiali i mëposhtëm është krijuar duke marrë për bazë vetëm tentativat e reperëve për të thënë diçka të mençur dhe metaforike, por nuk përfshin rreshta kot si përshembull... ta zëmë, Agon Amiga kur thotë ''Agon Amiga, A A Amiga, Amiga,'' pasi ky është nënshtrim në kuptimin e plotë të fjalës ndaj ‘bërllokut’, ndërsa poenta jonë është të përmbledhim ata që vërtetë janë munduar por thjesht nuk ia kanë dalë

Ledri Vula: “Si me rrokë hallën shkelm u bo hallakama”

(klikoni në video për ta dëgjuar rreshtin e tmerrshëm)

Hmm… në rregull zotëri Vula, e kuptojmë përpjekjen dhe sigurisht ka tingëlluar shumë 'fun' dhe mençur në praninë e shoqërisë në studio, por oh Zot i madh, është thjesht kot për një vesh që ka vendosur standarde të larta të rreshtave njëmend inteligjentë, duke e parë si frymëzim këtë lloj zhanri ndër vite. Nuk do mend se dikë mund ta impresionojë kjo, si dhe shumë të tjera më poshtë por ne jemi shndërruar në jotolerantë ndaj diçkaje 'corny' si kjo. Vlerësojmë kreativitetin, megjithatë. Me pak punë dhe fokus në drejtimin e duhur, besojmë fuqishëm se do të arrihet ajo të cilin njeriu në fjalë mendon se ka arritur. T’i mëshohet vulë nga z. Vula, të paktën ndonjë kënge.

Buta: “N'jetë kurgjo perfekt s'o edhe ‘roses’ jon me gjemba”

Tash, nëse ajo pak më lart ishte legjitime të futet në mesin e rreshtave 'corny', e vështirë t'i gjejmë një epitet kësaj. Absolutisht i plotëson standardet e 'cring’-it. Sinqerisht, Buta është për t'u mbajtur shënim për atë që i ka sjellë skenës së hip-hop kulturës kosovare, por duhet ta pranojmë se jo shumë rrallë e dëgjojmë atë duke thënë diçka kot si kjo, por e lëmë të na rrëshqasë pasi djaloshi thjesht e ka vendosur veten në pozitë ku çdo gjë që thotë mund ta bëjë të tingëllojë 'cool'.

Sidoqoftë, ky rresht është thjesht i tmerrshëm. Disi të jep ndjesinë se mund ta ketë gjetur me një kërkim në 'Google' të natyrës 'quotes about life'.

Gjiko: “Farmerkat ‘diesel’ amo kerret krejt ‘benzina’”

Oh Zot i madh... më merr shpirtin menjëherë ose më lërë të jetoj përgjithmonë. Kjo duhet të jetë një prej tentativave më të dështuara ndonjëherë për metaforë. Gjërat e tilla nuk e kanë vendin në këtë kulturë. Do ta vlerësonim më shumë nëse do ta vazhdonte me gjërat si ''ja, ja, ja, ja, bejbi po vina me jaht, na po pina zaza, pina zaza deri t'na bjen t'paktë,'' - artistët nuk janë e as nuk duhet të jenë nën presionin e kohës për të krijuar diçka solide. Dhe, kur ke tërë kohën e botës për të bërë diçka të mirë-menduar dhe më e mira me të cilin mund të vini është ''farmerkat diesel, amo kerret krejt benzina,'' atëherë situata është shqetësuese.

Gjiko: “Mos rri n'club t'u pi fanta se vetë koke si shokanta”

Kanë filluar të na mbarojnë fjalët për të përshkruar gjëra të tilla. Sinqerisht, sapo arrijmë në një pikë kur mendojmë se nuk ka ku të shkojë më poshtë degradimi, vendosen standarde të reja të budallallëkut.

Një rresht si ky të bën të ndihesh keq për pozitën në të cilën e ka vënë veten artisti... e keni parasysh, kur dëgjoni diçka dhe pastaj uroni t'i kishit mbyllur veshët pikërisht në atë sekondë. Ose, mundoheni të mendoni menjëherë gjëra tjera vetëm për ta larguar fokusin nga ai moment turpërues.

Mozzik: “Sytë e kuq si m’i ly me ajvar”

Thjesht budallallëk. Vështirë të gjejmë ndonjë përshkrim tjetër. Së pari, askush nuk i lyen sytë me ajvar, e drejtë të themi, për ta kuptuar si duken dhe, edhe nëse do ta provonte, vështirë se do të dukeshin ashtu siç pretendon zotëri Mozziku. Ajvari është i trashë dhe sigurisht do të mbeteshin ca copëza mbi retinë dhe vetulla së bashku me fara në proces, por figurativisht tejet larg mesazhit që tentohet të përcillet.

Bim Bimma: “S'po m'vynë kompensimi kur gjysa e t'rive përdorë heroinin”

Këtu ka mungesë të madhe të informacionit faktik. Me pak fjalë, ajo që thuhet është absolutisht e pavërtetë. Gjysma e të rinjëve është problematike të thuhet se përdorin qoftë edhe marihuanën, që futet në koshin e drogave të lehta, mos të flasim për heroinën, e që artisti në fjalë e quan 'heroinin', sigurisht më së shumti për të rimuar me fjalën paraprake.

Në fakt, 'Nacionale' ka kontaktuar me qendrën 'Labyrinth', që merret me trajtimin e personave të varur nga drogat dhe ka mësuar se numri aktual i përdoruesve të heroinës në Kosovë është rreth 6600, po flasim për të gjitha moshat. Andaj, nuk është i vërtetë ky aludim nga Bim Bimma. Dhe nëse Kosova ka vetëm 700 mijë të rinj – lëre që ka më shumë – I bie që përqindja është më pak se 1.

Majk: “E çkado që t'kanë thonë për mu o gënjeshtër, unë vi ta ndreqi jetën ti thirrem mjeshtër”

Jeni të fascinuar të dëgjoni më shumë material 'corny', epo lidhni rripat e sigurimit sepse kemi më shumë për ju.

Kjo 'epo, lidhni rripat e sigurimit', ishte paksa 'corny' edhe nga ne të thuhej, por e bëmë sa për t'i mbajtur të lumtur fanatikët e fenomeneve 'corny'.

Kurrë në jetë nuk do ta thoja në një këngë një rresht të tillë. Kërkojmë ndjesë për egocentricitetin, por ky artikull është i tëri i bazuar mbi qëndrime personale të një fanatiku të popkulturës.

Është impresive sa kërkohet për t'i bërë përshtypje një grupi 14-vjeçarësh në natën e semimaturës.

Ledri Vula: “Mos je lshu prej Brezovicës veç me ni ski, se paske rrshit G”

Të lëshohesh prej Brezovicës nuk ka kurrfarë diskutimi se do rrëshqitje edhe me dy skija. Në fakt, gjasat janë më të mëdha që të kesh probleme me rrëshqitje nëse lëshohesh vetëm me një ski. Sigurisht, do të pësoje ndonjë lëndim serioz në çerekun e parë të rrugës. Kështu që, artisti në fjalë ia ka futë kot, pavarësisht se është thënë si 'freestyle' në një emision.

Majk: “N'beef me neve si me pas emrin virgjinitet, hupë”

Phaj, ç'të themi... thjesht një tjetër klishe në kulturën e hip-hopit të të paraqiturit 'djaloshin e fortë', por jo që dikush e merr shumë seriozisht. Sidomos ndërlidhja e humbjes së virgjërisë me humbjen në “beef”, është thjesht shije e keqe. Siç ishte shije e keqe rreshti i mësipërim i të njëjtit artist ''unë vi ta ndreqi jetën, ti thirem mjeshtër.''

Gjiko: Gjiko din me shku HAM si me pasë emrin Hamdi

Për të satën herë e gjen veten Gjiko në këtë listë? Është dikush duke numëruar? Sigurisht, ne duam të jemi sa më gjithëpërfshirës por kur ke punë me tentativa të tilla, komplikohet situata, apo jo?

Së pari, Hamdiu në fjalë nuk e dimë nëse di të shkojë HAM (sipas fjalorit urban, HAM përshkruan 'dikë që shijon vëmendjen e të tjerëve dhe bën gjëra të çmendura për ta fituar atë'), siç thotë Gjiko. Në fakt, ky pretendim se të gjithë Hamdinjtë dinë të shkojnë HAM është paksa si shumë i guximshëm. Sa më shumë që e lexon dhe e mendon, aq më pak ka sens. Nuk kemi dëgjuar e as nuk duhet të ekzistojë një tezë e tillë se të gjithë Hamdinjtë dinë të shkojnë HAM.

Ghetto Geasy: “U kon Dr. Majk, tash o Majk e ngon doktori”

Një tjetër shprehje e llojit “t'ia fusim kot diçka, sa rrimë.” E thënë nga një 'ujk i vjetër' në industrinë e hip-hopit kosovar, e bën edhe më skandaloze. Nëse vendosim të zhvishemi krejtësisht nga filtrat, kjo është thjesht shaka. Vetëm analizojeni çka thotë një njeri me më shumë se 20 vite eksperiencë në skenë. As që do të futemi në procese analitike për të gjetur ndonjë shkëndijë sensi në këtë rresht.

Buta: “Plumat mitrolez, t'mdhajë sa ni kastravec, t'rrokin n'kry, t'dhem, sun e nalë me paracet”

E keni parasysh më lart kur thamë se Buta jo rrallëherë ka potencial që t'ia fus kot, pikërisht për këtë e kishim fjalën. Jemi mirë të familjarizuar me subzhanrin 'trap' dhe tematikave/teksteve të tepruara dhe ‘jo-ortodokse’ nganjëherë, por ky fakt nuk e bën më pak legjitim këtë rresht të Butës që të futet në këtë përmbledhje.

Domethënë, njeriu thotë se kur plumbi i armës mitrolez, i madh 'sa një kastravec' godet në kokë atë të cilit i referohet Buta, viktimës do t'i 'dhemb' dhe se nuk do ta mund ta ndalë dhimbjen me 'paracetamol'. E panevojshme ta cekim se gjëja e fundit për të cilën duhet të brengoseni kur një plumb mitrolezi iu godet në kokë, është nëse do të dhemb dhe nëse këtë dhimbje do të mund ta ndalni me një pilulë e cila ka për qëllim, sipas përkufizimit zyrtar, ''bllokimin e sinjaleve kimike në tru, të cilat na tregojnë se kemi dhimbje.''

Vdes, z. Butë, vdes nëse të godet në kokë një plumb mitrolezi, veç nëse mrekullisht shpëtoni, por prapë nuk ka ndonjë shpjegim logjik.

Lajme të ngjashme