Dëshironi të ndiheni mirë me veten? Dëgjojeni Sahatin dhe më falënderoni më vonë
Sa më shumë që gërmoj, aq më shumë gjej thesare të fshehura e të mbuluara nga fluksi e dendësia e shfrenuar e përmbajtjes që publikohet çdo ditë në internet. Sahati shpejt, por bindshëm u shndërrua në njërën prej artisteve të mia të preferuara lokale.
Njëmend është vështirë të kritikohet çdo gjë, por ajo çka përfaqëson skena muzikore "mainstream" në Kosovë, është gjithçka me të cilën unë nuk dua të ndërlidhem.
Për Sahatin nuk kisha dëgjuar e, me shumë gjasë, nuk do të dëgjoja edhe për shumë kohë, po të mos ishte edicioni i këtij viti i “Anibar”-it, festival i përvitshëm i animacionit, i cili mbahet në Pejë.
Në njërën prej netëve, Sahati e rroku skenën dhe, prej atëherë, ajo fitoi minimum një fans të ri. Sinqerisht, sa më shumë po e dëgjoja, aq më shumë po kërkoja më shumë.
Këngët si "Anything" e "Natën" më detyruan ta nxirrja telefonin e ta ngrija në ajër për ta futur në funksion “Shazam”-in, se ajo çka po dëgjoja, ishte aq dinjitoze, sa duhet për t'u bërë pjesë e “playlist”-ës sime me zero artistë kosovarë.
Përveç performancës absolutisht mbresëlënëse drejtpërdrejt, mënyra se si Sahati komunikonte me publikun e pranishëm, të linte po aq gojëhapur.
Pa krijuar situatë të sikletshme për ne që po e dëgjonim, Sahati dhuronte lloj-lloj monologësh, madje po u përgjigjej edhe disa komenteve nga publiku, duke e shndërruar pothuajse secilin në subjekt të interesuar për ta dëgjuar atë që ajo kishte për të thënë. Duhet ta merrni mikrofonin dhe të ngjiteni në një skenë në praninë e 200 personave para vetes për të kuptuar se sa sfiduese është t’i mbash të tjerët të interesuar rreth asaj që ke për të thënë.
Kanali i Sahatit në “YouTube”, me 889 abonues, ka gjithsej 11 video të publikuara, përfshirë edhe një “cover” të këngës “Tadow” nga FKJ dhe Masego.
Edhe rritja e Sahatit si artiste dhe si karakter pasqyrohet në mënyrë pamore dhe muzikalisht ndër vite, prej publikimit të parë në vitin 2020. Te kënga “Rinisë”, Sahati portretizon një moshë dukshëm më të re, derisa edhe tematika që e rrok, ndërlidhet me shqetësime tipike të adoleshencës.
Sidoqoftë, me kalimin e kohës dhe shtimin e numrit të videove ndër vite, vërehen ngritja e saj artistike dhe formësimi i karakterit si një çikë në të 20-at, që tash duhet ta gjejë vendin e saj në një botë të rriturish.
Kënga ime e parapëlqyer e Sahatit është pa dyshim “Natën”, ku elaboron në periudhën e territ që vjen çdo 24 orë, të cilën e përshkruan kështu:
“Natën... gabimet bohën natën”, për ta vazhduar vargun ku zbërthehet një çështje delikate në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Njëra prej karakteristikave kryesore të Sahatit.
Prit... ka je nisë? Nalu meno pak, please (të lutem)
T'nesërmen çohesh prapë, nisë, logjika t'ka krisë
Përditshmëria s'o xixë (nuk jam shumë i sigurt)
Deshta veç me provu a bon, me provu a bon mu mbështetë n'dikon
N'dikon që e din veç t'mirën ta don
Krejt mirë po tingëllon, po me vepru pak ma ron
O Zot, më shumë gjëra të tilla, të lutem! Vargjet në fjalë, në kombinim me performancën melankolike vokale të saj, janë joga për veshët e një dëgjuesi si unë, që, në një botë kryesisht të dirigjuar nga pagesa e faturave, krejt çka dëgjoj janë artistë që i bëjnë paradë egos së përmbushur nga mediokriteti dhe materialja.
Te kënga “Anything”, Sahati sorollatet nëpër Toronto (mos më mbani përgjegjës, nëse është diku tjetër, pasi në “Anibar” e kisha dëgjuar duke thënë se vjen nga Torontoja), teksa të jep vargje e melodi ngazëlluese, që realisht ju bëjnë të ndiheni mirë me veten. O, sapo zbulova edhe një gjë tjetër rreth Sahatit.
Njëmend, sa herë e dëgjoni, ju bën të ndiheni mirë me veten.
Dëgjojeni “Natën” më poshtë dhe lëreni t’ju rritet përbrenda – efektin do ta vëreni pas dy-tri dëgjimeve.

