Nga Çesk Zadeja tek Big Bang - Çfarë muzike u prodhua në shqip
“Muzika e improvizuar përbën një shembull të spikatur të rënies së autoritetit krijues në të mirë të një loje iluzore bashkëveprimi spontan" G. Stein
Muzika nuk lind në ajër, ajo ka qenë dhe do të jetë një stimul i jetës: si shtysë shpirtërore për njerëzimin. Muzika është raport ndërmjetësues i ndjenjave të mëdha si lumturia e dhimbja, gëzimi e pikëllimi. Ajo është pjesë e formimit kulturor dhe nevojë e përhershme e njeriut. Muzika shqiptare përmbledh muzikën popullore si dhe atë profesionale, të dyja karakterizohen nga specifika tipike shqiptare. Modelet në industrinë e muzikës kanë ndryshuar ndjeshëm, marketingu i regjistrimit është tashmë ikonik. Në historinë e muzikës shqiptare dhe shkallët e saj të zhvillimit hasim ndryshime të vazhdushme, rrjedhja e ngjarjeve historike ndikoi në jolinearitetin, në botën e artit muzikor. Më poshtë mund të shihni zhvillimin e muzikës shqiptare ndër vite.
Muzika shqiptare e viteve të 90-ta
Muzika e viteve të 90-ta, shënon fillimet e një kapitulli të ri për muzikën serioze shqiptare. Gjatë kësaj periudhe u krijua një traditë reale profesionale. Ajo krijimtari e pakët muzikore që u shkrua para Luftës II Botërore, shfaqi më së shumti vetëm disa tendenca drejt profesionalizmit më të vonë të periudhës së mbas luftës, me kompozitorë të tillë, si: Martin Gjoka, Lec Kurti, Thoma Nasi, Fan Noli.
Së pari, në jetën muzikore të vendit u dukën emra të rinj kompozitorësh si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, Nikolla Zoraqi, etj, të cilët, ndonëse disa vite më parë ishin shfaqur si amatorë, kryesisht si krijues në gjinitë e format e vogla muzikore, si p.sh. kënga. Rreth fundit të viteve ’50 dhe fillimit të viteve ’60 përfunduan studimet e larta muzikore jashtë vendit, kryesisht në Konservatorin Çajkovski të Moskës. Të pajisur kështu me njohuri të plota profesionale, ata do të bëheshin forcat krijuese lëvizëse të procesit. Këtij brezi iu bashkuan edhe disa figura, që e kishin nisur aktivitetin krijues më herët (në vitet 1930-40), si Prenk Jakova e Kristo Kono, por që ishin formuar kryesisht si instrumentistë (të dy studiuan në Itali për klarinetë). Një tjetër faktor jo më pak i rëndësishëm dhe po kaq përcaktues për këtë zhvillim të ri, ishte edhe vetë institucionalizimi i jetës muzikore dhe ngritja e sistemit të edukimit muzikor në vend. Të arriturat sot nga muzikologjia shqiptare e viti 1956 shënojnë edhe fillimet e këtij procesi të ri krijues, i cili dallon nga ai i mëparshmi për shkak të ndarjes përfundimtare nga gjysmë-amatorizmi apo folklorizmi.
Gjatë asaj kohe ajo që vlen të theksohet në fokus është Vaçe Zela, njëra ndër ato astriste dhe vokaliste që ka kapërcyer vendin tonë. Dritero Agolli, shkrimtar, pohoi:
“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
Gjithashtu edhe Nexhmije Pagarusha, këngëtare:
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.”
Kur jemi te Nexhmije Pagarusha, e konsideruar legjenda e këngës shqiptare, rëndësia dhe vlerat e veprës së saj janë çmuar nga kompetentët dhe njohësit e artit, dhe siç e dimë është ky vlerësim bërë në superlativ.
Ndikimi i ish-Jugosllavisë në mesin e shqiptarëve në Kosovë ishte gjithashtu i pranishëm në muzikën rock. Grupi i parë shqiptar i njohur rock u quajt Blue Star. Ai u shfaq në vitin 1964 në Prishtinë, e më vonë ata e quajtën grupin Modestët. Prishtina ishte qyteti më i rëndësishëm për muzikën rock shqiptare gjatë viteve të 80-ta. Në rrethet kryesore, Gjurmët (themeluar në vitin 1981) ishin ndër të preferuarit. Kombinimi i tyre i rokut me muzikën qytetare hodhi themelet e rokut Shqiptar. Grupet e tjera të njohura që u formuan gjatë kësaj periudhe ishin Ilirët, 403, Telex, Seleksioni 039, Minatori dhe Menkis. Nga ana tjetër, muzika nëntokësore (underground) ishte më e prirur drejt pankut (punk). Grupi më i njohur nëntokësor i rokut / punk i Prishtinës në vitet 1980 ishte Lindja me muzikantin e tij kryesor Luan Osmani. Fillimi i viteve 1990 prezantoi grupet e tjera rock dhe solistët që luajtën kryesisht në Kosovë si: Troja, Dardan Shkreli, Blla blla blla dhe Elita 5 (nga Maqedonia).
Gjatë qeverisjes paralele (1989-1999) dhe para dhe pas luftës së vitit 1999 në Kosovë u shfaqën disa grupe të reja, ndër të cilat më të famshmet janë Diadema, KEK (Kreativ dhe jo Komercial - Anglisht: krijues dhe jo komercial), 7me7, Hithat, Babulja e bukur, Por-jo, Greqia, Retrovizorja. Në eposin epiko-heroik shqiptar, këngët për Luftën e Kosovës, janë të shumta nga këngëtarët si: Shkurte Fejza, Shyhrete Beheluli, Shaqir Cërvadiku, Leonora Jakupi e shumë të tjerë të cilëve u ndaluan këngët dhe zëri shqip dhe disa prej tyre edhe u burgosën.
Procesi artistik pra, nuk duhet identifikuar me politikën, ndërkohë që situata në të cilin ajo u zhvillua është mjaft komplekse. Nga njëra anë bëhet fjalë për formimin e një tradite, brenda së cilës u shfaqën individualitete disa herë me spikatje artistike, si edhe një numër veprash përfaqësuese të asaj tradite. Duke lënë mënjanë kufizimet e kohës, raportet midis artit dhe politikës, problemeve të tjera që lidhen me censurën ideologjike dhe mospranimin e zhvillimeve më bashkëkohore.
Muzika gjatë viteve 2000
Situata muzikore gjatë viteve 2000 në trojet shqiptare njohu zhvillime krejtësisht të reja, të cilat synuan integrimin e shpejtë në strukturat artistike europiane. Një rol të rëndësishëm për këtë luajti formimi i shoqatave muzikore, si Shoqata e Muzikës së re Shqiptare (NAM, anëtare e Konferencës Europiane të Muzikës së Re) dhe Shoqata Mbarëshqiptare e Profesionistëve të Muzikës (seksioni shqiptar i ISCM), pranë të cilave është grumbulluar pjesa dërrmuese e kompozitorëve dhe interpretesve të vendit, dhe që aktualisht shërbejnë si tribuna kryesore të krijimtarisë së re muzikore të kompozitorëve shqiptarë.
Nëse vendosim në një analogji në Kosovë vitet 2000 e tutje janë ndër dekadat më produktive në historinë e muzikës kosovare me një zhvillim në drejtime të shumta si në fushën artistike dhe “eksport” ndërkombëtar të kompozitorëve.
Në vitin 2004 u shfaqën shumë grupe alternative rock duke formuar një valë të re. Shumë grupe u formuan, u shpërndanë e më pas u riformuan. Bandat si Votra, Gillespie, Të Huajt e Përgjakur, etj.
Muzika është gjuhë universale kjo u vërtetua nga këngtarët si: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi, GASHI, Elvana Gjata, etj, janë ata artistë shqiptar te cilët kanë shkuar përtej vendit tonë, shpërthyen kudo nëpër mediat botërore për paraqiten e tyre, kulturën në ndërthërthurje me muzikën, bukurinë ekzotike, por edhe talentin e padiskutueshëm.
Kur flasim për amerikanët para disa viteve, kanë njohur shqiptarët dhe kosovarët vetëm përmes vëllezërve Belushi, Eliza Dushku apo reperit Action Bronson.
Muzika e ditëve të sotme
Brezi i ri i këngëtarëve ka përpara vetës shumë punë edhe pse vetë bëj pjesë në këtë brez. Por çfarë dëgjojnë sot shqiptarët? Cilët janë preferencat e tyre muzikore? Kjo është një përgjigje shumë e vështirë për t’u dhënë, sepse shijet dhe preferencat janë nga më të ndryshmet. Në një treg të tillë muzikor, ku çdo ditë shfaqen këngëtarë të rinj e ku kantautorët përpiqen të sjellin çdo ditë rryma e tendenca të reja muzikore (inspiruar edhe nga trendet ndërkombëtare), zgjedhja mbetet në dorë të publikut. Të gjithë duam të bëhemi të famshëm, të korrim vetëm suksese.
Shumë herë teksti nuk merret vesh, muzika është një miks, e huazuar, dhe zakonisht këngëtarja duhet të jetë estetikisht e bukur. Sot muzika e cila po na servohet krijon averzione të mendimit që me qenë këngëtar/e i/e mirë duhet me qënë në trend me kohën. Avezioni po krijohet nga përdorimi i këngëve joorigjinale, që do ti quaja të ‘rikonponuara’. Rikonponimi është term irritues sepse në vete s’ka asgjë origjinale është bërë nga huazimet e muzikave të ndryshme. Arti është delikatesa e shpirtit, që të braktisë kur ti mendon se ke arritur majat dhe nuk e respekton atë me kriteret dhe normat e tij.