DaBaby s’e mbajti premtimin: Këndoi 22 minuta, i lypi pesë çika në skenë – Çka bëri vaki?
Reperi kontravers DaBaby ishte në Prishtinë, ku do të performonte për ekzaltimin e pretenduar të fansave të hip-hopit - por jo që do ta vërenit shumë nga paraqitja e tij në klubin "Venom".
Ky klub kishte arritur të sillte në Kosovë një reper me famë globale si DaBaby, i cili ka një çmim mesatar prej 113 mijë dollarëve për performancë aktualisht, sipas 'seatgeek'. Pasi kisha siguruar një intervistë me të paraprakisht, ishte koha të shkoja në "Venom" për të parë më shumë nga ajo që ai do të sillte për popullin që pretendohet të jetë më i riu në Evropë e që natyrshëm e bën hip-hopin prej zhanreve më të popullarizuara.
Mezi u futëm në objektin luksoz, ku pas pak do të performonte reperi, i cili në intervistën që kishim bërë më herët më kishte premtuar se do ta performonte 'freestylen' e tij absolutisht brilant me 'LA Leakers'.
Për fansat e hip-hopit të njëmendtë, nuk është aspak e nevojshme të nënvizohet statusi i DaBaby-t në industri, pavarësisht se së fundmi karriera e tij ka stagnuar për shkak të 'kulturës së anulimit’, në anën e kundërt të së cilës ai e ka gjetur veten pas komenteve homofobike në festivalin 'Rolling Loud' të Majamit në vitin 2021.
Prapëseprapë, ardhja dhe iniciativa për ta sjellë atë në Prishtinë ishte lajm absolutisht fantastik, marrë parasysh se kishim të bëjmë me një klub nate e jo festivale madhështore siç është "Sunny Hill", ku reperi është dinjitoz për të qenë artisti kryesor i një prej netve - edhe pse dyshojmë se kjo do të ndodhë ndonjëherë, për shkak të marrëdhënies së komplikuar me Dua Lipën, me të cilën kishte bashkëpunuar në këngën 'Levitating' .
Shfaqja e emrave të estradës si Mozzik e Era Istrefi, qartazi ishte kryekëput për mundësinë që i ishte ofruar popullit kosovar për të parë nga afër një artist si DaBaby.
Momenti i yllit të këngës "Rockstar" erdhi eventualisht dhe, fiks në ora 02:30 pas mesnate, të martën, ai doli në skenë.
Performanca
Në prezencën e një turme prej 400-500 vetësh (sipas matjeve amatore tonat), DaBaby u shfaq në skenë, pasi paraprakisht kishte qëndruar në zonën VIP të klubit ku po vërshohej nga fansat që donin të bënin foto e të flisnin me të.
E nisi pikërisht me "Rockstar", nën entuziazmin e ulët të audiencës, për të vazhduar tutje me këngë si ajo “For the Night” në bashkëpunim me Pop Smoke, me këtë të fundit që u duk se ekzaltoi tejmase turmën – po, më shumë se ai që po performonte dhe pretendohej të ishte ylli i mbrëmjes.
Edhe gjuha trupore e DaBaby-t fliste shumë... ai qartazi e ndiente mungesën e energjisë së fansave të njëmendtë të tij, derisa sorollatej nëpër skenë me mikrofon në dorë duke kënduar aty-këtu mbi këngët që veç po dëgjoheshin në zmadhues. Ndjenja e respektit për reperë si Mc Kresha dhe Lyrical Son, të cilët ditë më parë i kisha parë duke performuar live, po rritej minutë pas minute.
Aspekti glamuroz dhe elementet e spektaklit që vinin në formën e flakës dhe tymit nga të gjitha anët, përfshirë një në formë automatiku të cilin reperi dhe të tjerë e përdornin për të hedhur tym të dendur nëpër ambient, i jepte njëfarë fryme feste atmosferës.
Në një pikë, ai kërkoi pesë gra të hipnin në skenë me të, për të kërcyer e performuar së bashku një këngë të tij që do të vinte në vazhdim.
Shumë hezitime pasuan, para se eventualisht të shfaqeshin tri vullnetare, me DaBaby-n që pranoi të vazhdonte me atë numër grash, marrë parasysh rrethanat.
Disa minuta e këngë më vonë, ai u përshëndet dhe u largua, duke mos mbajtur premtimin që më kishte dhënë për ‘freestyle-n’ në ‘LA Leakers’.
Saktësisht në ora 02:52, saktësisht 22 minuta pasi ishte futur në skenë, ai u largua me grupin e tij, teksa kësaj iniciative iu bashkova edhe unë për të dalë nga objekti.
Kaq për një natë me DaBaby-n në klub nate.
