DaBaby për Nacionalen: Kultura e anulimit më ka bërë më të fortë, nuk e dija se Dua është nga Kosova
Intervistoi: Anita Nikaj & Burim Pacolli
Nuk kishte kaluar as një vit që kur kënga “Levitating” e Dua Lipes në bashkëpunim me reperin DaBaby ishte publikuar dhe në korrikun e vitit 2021, kënga gjendej tashmë në krye të top listave më të njohura në botë. Por disa komente homofobike që DaBaby do t’i bënte në një festival të hip-hop-it “Rolling Loud”, do ta shtynte vet yllin botëror nga Kosova, Dua Lipa që të distancohet dhe të dënojë gjuhën e bashkëpunëtorit të saj.
Reperi ka qenë jashtëzakonisht i kritikuar për komentet e tij absolutisht të tmerrshme në festivalin më të madh të hip-hopit në botë, 'Rolling Loud' që mbahet në Majami, në vitin 2021 ku - në një moment gjatë performancës - ishte shprehur:

"Nëse nuk keni ardhur sot me HIV/AIDS apo cilado prej këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse seksuale që ju vrasin për dy apo tre javë, ngritni dritën e telefonit lart. Djema, nëse nuk e merrni në gojë në parking, ngritni dritat e telefonit lart".
Ishte një moment absolutisht bizar që shkoi viral menjëherë për arsye të qarta. Fjalët e tij nuk ishin vetëm ofenduese për komunitetin gej, por gjithashtu parashtronin një narracion të rrezikshëm se HIV/AIDS është diçka për të cilën njerëzit duhet të diskriminohen që e kanë.
Reagimi ishte i menjëhershëm, me bashkëpunëtoren e tij në këngën 'Levitating', Dua Lipa që reagoi duke thënë se më nuk po e njihte personin me të cilin kishte punuar.
Prej atyre komenteve e deri tash karriera e reperit amerikan ka marrë tatpjetën. Është larguar nga lista e këngëve në radiot më të mëdha në Amerikë, është larguar nga platformat më të mëdha të shpërndarjes së muzikë sikurse “Spotify” por koncertet nëpër vendet ku “e kaluara” e tij nuk është mbajtur në mend, ka gjetur vend në qytete si Prishtina.

Por edhe këtu, gazetarët e Nacionales, nuk e kanë lëshuar pa e pyetur për të gjitha. Por përkundër faktit që në gusht të vitit të kaluar, reperi e pranoi se kishte bërë gabim për komentet që ka përdorur, në intervistën për Nacionalen ai “nuk e konsideron si gabim” deklaratën homofobike.
“Më ka bërë më të fortë”, thotë DaBaby për Nacionalen në pjesën e dytë të intervistës -LEXONI PJESËN E PARË.
DaBaby ka folur rreth kulturës së anulimit, në një intervistë ekskluzive për Nacionalen.
Reperi amerikan, 30-vjeçar, ateroi në Prishtinë të hënën, para performancës në klubin 'Venom', ku performoi - do të elaborojmë në një artikull tjetër paraqitjen e tij - pasi dha një intervistë për gazetën në hotelin ku po qëndronte.
Tutje, në internet u publikua video nga një incident që kishte ndodhur në vitin 2018, ku Jailyn Craig ishte shtënë me armë zjarri nga DaBaby. Shikoni më poshtë.

Pretendimet e tij për 'vetmbrojtje' menjëherë u hodhën në pikëpyetje nga audienca, pasi ishte vet reperi ai që hodhi grushtin e parë.
Krejt këto detaje kanë ndikuar dukshëm në stagnimin e karrierës së yllit të këngës 'Rockstar'.
Më poshtë, intervista e plotë e realizuar nga gazetarja e Nacionales, Anita Nikaj me reperin.
Si ishte për ty kur u ftove për të mbajtur koncert në Kosovë? A pranuat menjëherë, apo bëtë kërkime paraprakisht?
DaBaby: Jo, zakonisht nuk bëj kërkime. Më pëlqen të shoh vende të reja, të njoftoj njerëz të rinj. Jam i lumtur që erdhëm, po ashtu.
Ju patët atë 'shpërthimin' e madh me këngën me Dua Lipën, 'Levitating'...
DaBaby: Nuk do ta quaja 'shpërthim'
Nacionale: Jo, po mendojmë në Kosovë, 'shpërthimin' e madh në Kosovë.
DaBaby: Ah, në Kosovë, po, po, sigurisht. Siguruam vendin e dytë në listën e 'Billboard', pra kënga e dytë më e madhe në botë atë kohë. Ishte e madhe, dhe nuk e dija se ajo (Dua Lipa) ishte nga këtu, mendova se ishte nga Londra. Kështu që, kur e kuptova se ajo është nga këtu ishte edhe më fantastike. Mezi pres ta performoj këngën.
Sa ndikuan në karrierën tuaj komentet homofobike në festivalin 'Rolling Loud'?
DaBaby: Ishte gjë e keqe (për karrierën time). Kaloi, e mposhtëm.
A mendon se këto komente patën impakt në karrierën tënde?
DaBaby: Kjo ngjarje më ka bërë më të fortë, shumë më të fortë.
A po mëson nga gabimet?
DaBaby: Po, sigurisht, nuk do ta quaja gabim. Më shumë, një mësim.
A keni ende të njëjtat qëndrime si atëherë, apo jeni më i hapur ndaj njerëzve gej?
DaBaby: Unë kurrë nuk kam pasur probleme të tilla. Ata thjesht e keqinterpretuan atë që kam thënë.
Pse mendon se jeni targetuar (nga 'kultura e anulimit')?
DaBaby: Sepse jam njëshi.
A mendon se karriera juaj do të jetë më e madhe në të ardhmen, apo jeni rehat me pozitën ku jeni?
DaBaby: Kurrë nuk jam rehat. Nuk ka limite.
