Butrint Imeri publikon këngë dhe menjëherë e rrëmben primatin për më të keqen e fundvitit
Për të satën herë do të mblidhemi këtu për të folur për gjëra toksike si degradimet e vazhdueshme muzikore që na vijnë nga çdo anë? Epo, edhe shumë herë, si duket, sidomos nëse Butrint Imeri vazhdon të bëjë gjëra të tillë si kjo e fundit.
Në fakt, i njëjti ka performuar me konsistencë të jashtëzakonshme muzikë të llojit të tillë, ku përfshihen elemente folk/tallava, derisa veç një të tij, nga krejt repertuari i bujshëm me materiale, realisht nuk përjetoj siklet ta dëgjoj.
Çuditërisht ajo vjen në formën e këngës së tij të parë, apo të parës që e futi në hartë, e që daton nga prilli i vitit 2015, "Ki me lyp", ku Real 1 jep një disponim për mbamendje me pjesën e tij.
Sigurisht, gjithçka ka më shumë kuptim, kur i shikon edhe bashkëpunëtorët që merreshin me këtë këngë shtatë vite më parë, me Vig Poppa-n që fshihej prapa melodisë dhe tekstit, ndërsa me miksim merrej Florent Boshnjaku.
Tash, Butrintin e shohim duke punuar me një personel krejtësisht tjetër derisa tekstet ia ka besuar vetes, me emra si Çelik Lipa, Rzon e BigBang, të cilët i shohim vazhdimisht duke punuar - së bashku me ndoshta edhe dy emra të tjerë - me krejt pjesëtarët e skenës muzikore.
Është jashtëzakonisht e pakuptimtë mënyra si funksionojnë artistët e estradës. Qartazi, me mendësi tribale, e çimentojnë marrëdhënien me një grup njerëzish me të cilët bashkëpunojnë vazhdimisht, duke e "riprodhuar" të njëjtin material në vazhdimësi. Natyrisht, një herë si sukses, e pastaj thjesht si irritim për qenien tonë prej vdekatarësh.
Absolutisht mënyrë e keqe e të bërit biznes, me diversitetin e producentëve dhe tekstshkruesve, që duhet të jetë element kyç në jetëgjatësinë e secilit artist, për ta shmangur të pashmangshmen e që është ta gjejnë veten në këpucët e Mirsa Kërçelit brenda 5 - 6 viteve.
Në sytë e mi, Butrinti portretizohet në versionin mashkullor të Kidës, e cila ka punuar aq shumë për ta distancuar veten nga starti dinjitoz i karrierës, sa tash e ke gati të garantuar të dëgjosh diçka që të nxit ta zhdukësh nga faqja e dheut butonin “replay”.
Duket sikur Imeri i ka rënë në fije një metode me trashje të zërit dhe zgjatje të zanoreve, nuk i kursen as bashkëtingëlloret, në pothuajse secilën këngë. Histori e njëjtë, që na ofrohet si mirazh, ndonëse kokëfortësisht na thuhet se është projekt i ri.
Vetëm shikoni e dëgjoni se çka thotë më poshtë në këngën e re, të quajtur "Cigaren", dhe e cila ka grumbulluar 440 mijë klikime brenda 15 orëve deri në kohën e shkrimit të këtij shkrimi.
"Na-na-na, kallma xhan
Kallma cigaren, xhan
Po m'djeg, o, mu, si duhan
Shpirtin ti po ma han"
Në fakt, përsëritja e kësaj i përshkon 43 sekondat e para të këngës, fillimisht duke e kënduar me zë më të qetë, pastaj për ta bërë atë "magjinë" e tij me zë të trashë, (natyrisht), në herën e dytë.
Pas atyre rreshtave të cekur më lart, vjen ura ndërlidhëse mes refrenit dhe versit, që është gati për gajasje:
"Luuuj, pretty girl (vajzë e bukur)
Luuj, s'je normal
Luuj, mos u nal
Luuuj, pah"
Ha-ha-ha-ha! Kur flasim për zanore të zgjatura - gjithmonë janë aty, vetëm duhet të keni durimin ta dëgjoni deri në fund. Në fakt, kësaj radhe, te Butrinti erdhën qysh në start.
Tutje vjen ai që supozohet të jetë vers, por që servohet në formën e urës lidhëse përsëri, me vargjet:
"Jom deh pak, e jom deh pak
Ça kom mrena, krejt i thashë
Jom deh pak, e jom deh pak
Hajde hekma kit konjak”
Është tejet e vështirë, madje mund të tingëllojë edhe irrituese nganjëherë, që të kritikosh çdo gjë, por është thuajse e pamundur të kursehesh pas diçkaje të tillë.
Nëse flasim për gjërat pozitive, e vlerësoj përzgjedhjen e veshjes. Me pantallonat "oversize" dhe shfaqjen e të bardhës nën të zezën, së bashku me akujt në qafë e duar, por që krijojnë njëfarë diskrepance mes asaj që Butrinti supozohet ta thotë në atë veshje dhe asaj çka në të vërtetë e thotë.
Më poshtë, vargjet që pasojnë tutje:
"Ti menon që t'kërkoj unë falje
Mirë e din që s'ma ninë mu fare
Prapëseprapë nuk ki ti rrugëdalje
Dy fjalë me ty i kom"
Nuk është se pres përmbajtje apo vargje kushedi sa përmbajtësore në secilën këngë, por gjithçka që ka të bëjë me këtë projekt, tekst e instrumental, kur e dëgjoj, më duket sikur e gjej veten të rrethuar në ato skenat e famshme të filmit "Borat" në fillim, kur shfaqen pamjet bizare të lagjes, para nisjes për në Amerikë.

