A të vjedhin e ta ‘ngulin’ mekanikët e kerreve? Qe çka thotë populli e vetë mekanikët - NACIONALE

A të vjedhin e ta ‘ngulin’ mekanikët e kerreve? Qe çka thotë populli e vetë mekanikët

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Zeja e mekanikut në Kosovë është një me të cilën do të keni punë, deshët apo nuk deshët, nëse përdorni veturë, motoçikletë, apo çfarëdo pajisje motorike si mjet transporti. Andaj, natyrshëm më lindi kureshtja të kuptoja më shumë rreth përvojave të klientëve e vetë mekanikëve.

Është një ndjesi gjenerale, e frikshme dorën në zemër, sidomos për mua si vozitës i ri, në bazë të asaj që kam dëgjuar ndër vite, kur të vijë kohë t’i drejtohem një mekaniku për ndonjë prishje.

Fatmirësisht për mua, në familjen time të ngushtë kam një të tillë, rrjedhimisht po del se jeta ime do të jetë e lehtësuar goxha gjatë viteve në vijim si vozitës.

‘Mekanikët ma ngulnin një nga një’

“Ty ta paska thy (paske shpëtu)”, më tha një qytetar me emrin Ilir, në diskutim e sipër për temën, kur e njoftova për familjarin në fjalë që rregullon prishje veturash. Sikur për ta nënvizuar sfidën potenciale që do të më priste nëse nuk do ta kisha këtë ‘fat’.

“Në Kosovë nuk ka kulturë të punës. Automekanikët ma kanë ngulë, sa herë që e kanë pa që unë nuk e di as funksionin e ndonjë pjese, as emrin, as çmimin. Dhe si shumë të tjerë, si vozitës i thjeshtë, unë nuk kam as kohë me iu dediku studimeve për kerre… prandaj, e kam ndreqë një pjesë, mu ka prishë prapë, dhe për disa muaj e kam gjetë veten duke punu veç për kerr. Krejt rroga e dy tre muajve më ka shku në ndreqje të kerrit. E kam çu te disa mjeshtër… një herë një i njohur, më ka gjetë zgjidhje, por më pas pata mbetë te mjeshtër që s’i njihja dhe që ma ngulnin me radhë, një nga një”, theksoi Iliri.

Për shkak të përvojave të hidhura, Iliri ishte “detyruar” të ndajë rrugët me mjetin e tij motorik.

“Në fund, vendosa me e shitë kerrin nën çmimin e tregut veç sa me i ikë kësaj kulture të çmendur”, më tha Iliri, prishtinas që në të kaluarën ka vozitur makinë të tipit, Renault Megano, por që duket qartazi se ia ka kërditur shoferllëkun, nëse deklarata e tij e fuqishme më lart është për t’u marrë parasysh.

Një rrëfim i tillë më bëri njëmend të ndiej veten me fat për familjarin mekanik, por, natyrisht, do të ishte jashtëzakonisht e padrejtë nëse do ta gjeneralizonim si përshtypje të përgjithshme eksperiencën e një personi.

Se jo të gjithë mekanikët ‘ta ngulin një nga një’, tregon edhe Shkëlqimi i cili ka pasur fatin e mospërjetimit të stresit e ‘nguljeve’ të vazhdueshme gjatë ndërveprimit me ndreqës veturash kur automjeti i tij ka pasur nevojë për një dorë riparimi.

“Zakonisht veturën e rregulloj veç te një automekanik, prandaj edhe telashe me automekanikë nuk është që kam”, më tha ai në një diskutim spontan gojë më gojë, ashtu siç preferoj për të marrë eksperiencën autentike, të paredaktuar e filtruar nga subjektet.

“Mekaniku që e kam zgjedhur për rregullim të veturës, është korrekt dhe kryen punë brenda afatave që thotë në fillim se mund të kryhet. Më njofton në detaje për defektet dhe për pjesët që duhen ndërruar apo rregulluar. Edhe diçka që ka shumë rëndësi në këtë kohë, është se punon me çmim më të lirë se të tjerët”, u shpreh zotëriu i lartpërmendur.

Një mërgimtar me emrin Shpend, i cili nuk ka 2-3 ditë që ka ardhur në Kosovën Republikë për pushime, po më tregonte një interaksion të tijin tash me ca shitës pjesësh të makinave, të cilët i kishte edhe të afërm. I çuditshëm është fakti që as ata vetë nuk u besojnë shumë shërbimeve të mekanikëve lokalë.

“Kur më pati ndodhë mua një prishje e automjetit, shitësit e pjesëve të makinave, të cilët i kam edhe të afërm, më thojshin me çu në mërgim ku jetoj me rregullu. Edhe ashtu në kontekst të mërgimtarëve ka një bindje kështu të përgjithshme se i vjelin pak këta mekanikët në çmime”, elaboroi Shpendi.

Çka thonë mekanikët

Ishte koha të kuptoja më shumë për logjikën e arsyet prapa funksionalitetit ditor të ‘mehaniçarëve’ – ndjesë profesorëve të gjuhës shqipe për shqetësimin eventual gjuhësor pasi që nuk e di nëse kjo fjalë është shqip apo edhe nëse ekziston në ndonjë fjalor por që gjen përdorim aty-këtu – dhe e gjeta një në qendër të Prishtinës.

Gazmendi, 38-vjeçar, ushtrues me eksperiencë i zejës së automekanikut, pranoi të bashkëpunonte, ndoshta falë edhe insistimit tim që nuk ia lëshoja derën e punëtorisë me këmbëngulje për të kuptuar më shumë, derisa ishte paksa i painteresuar. Normalisht, ai tashmë ishte duke e kryer punën e tij dhe nuk i kishte borxh askujt si unë, që po ashtu po e kryeja punën time, investim energjie, aq më pak përgjigje.

Sidoqoftë, ai më hapi një dimension të ri të këndvështrimit kur fajësoi vetë klientët, duke e forcuar edhe me argumente solide tezën (jo motrën e nënës, por gjykimin logjik) e tij.

“Po, të vërteta janë”, tha ai kur e pyeta nëse janë të vërteta paragjykimet se mekanikët nuk i kryejnë punët si duhet dhe tentojnë të përfitojnë nga injoranca e klientëve.

“Serviset që janë çelë ilegalë. Çelen si servisa t’vogël sa për me ndreqë një kerr, dy. Po klienti i ka fajet se lakmon te çmimi më lirë dhe çdoherë është defekti më i madh. Nëse shkoni te një servis që ka më shumë autoritet, probleme nuk mundeni me pasë”, deklaroi ai.

Sipas Gazmendit, kur klienti paguan më pak se që realisht duhet të paguajë, është e natyrshme të mungojë kualiteti i punës.

Dhe, çuditërisht apo ndoshta jo edhe aq çuditërisht, e kam të vështirë ta përcaktoj (Zot i madh, kaq shumë pasiguri, po e urrej këtë ndjesi), Valentini, 24-vjeçar nga Prishtina që endet me veturë, në njëfarë forme 'legjitimoi’ atë çka tha Gazmendi më lart, me eksperiencën e tij me ata të cilëve ua çon veturën kur të prishet.

Mekaniku ku e kam çu kerrin ma ka ndreqë secilën pjesë që ka pasë nevojë, dhe unë ma kurrë s’kom pasë problem me atë pjesë. Çmimi u konë pak ma i naltë se, me demek, ma profesional, po ia ka vlejtë”, më tha ai.

Një këshillë solide që mendoj se jam në pozitë për ta dhënë pas një dite të tërë të kaluar me mekanikë e pjestarë të popullit që ngasin vetura, është të mos bëheni lakmitarë kur shkoni për të rregulluar veturën.

Siç thuhet, “çorba e lirë, t’i sosë buzët”.

Behxheti, një tjetër mekanik nga Prishtina, më dha një prononcim edhe më interesant kur e pyeta “pse për shembull ka kaq shumë paragjykime rreth mekanikëve që vjedhin e sene, s’të kryjnë punë.” Po, po fjalëpërfjalshëm i thashë kështu. E di, nganjëherë jam folës i tmerrshëm i gjuhës shqipe, sidomos ajo pjesa “pse për shembull”, me t’i thënë i rashë pishman.

Por, për fatin tim, kjo nuk i bëri shumë përshtypje Behxhetit 34-vjeçar, i cili u përgjigj:

“Jo, nuk ekziston më ai mendim (se mekanikët të vjedhin e s’të kryejnë punë)”, u shpreh fillimisht zoti Behxhet.

“Nejse ka hala asi. Ama, njerëzit ma herët s’kanë pasë shumë kushte, e u ka dhimtë zemra (për pare). Nuk i kanë besu kërkujt. Ka hala asi (që të vjedhin e s’ta kryejnë punën) në një përqindje shumë të vogël. Me thonë, n’krejt Kosovën, dy a tre a jon’. Se tash ka pjesë shumë. Nuk ka nevojë me t’i vjedhë pjesët prej kerrit ose mos me t’i montu”, sqaroi ai.

Mekanik Behxheti vazhdoi tutje duke thënë:

“Më herët ka qenë ky termi ‘ruju se t’vjedhë pjesë’, se s’ka pasë pjesë të reja, shumë pak ka pasë. Po tash, në vitin 2022, s’ma merr mendja që ka hala asi mekanika.”

Në miksin e krejt këtyre informatave e këndvështrimeve, unë qëndrova stoik e i palëkundur se dalloja nga shumica e të përfshirëve. Unë kisha një familjar mekanik që do të më kryejë punë me të njofshëm, e do të shpëtoja nga tërë ky stres e ‘luftë’ - mjeshtër kerresh vs popullit.

E universi i mekanikëve e ka një gjuhë të dallueshme, të cilën si njohës laik do të përpiqem ta shpjegoj një ditë tjetër, nëse ky artikull do të pëlqehet e klikohet nga publiku.

Lajme të ngjashme