Të trishta e qesharake njëkohësisht: Pyetjet e popullit për Shefqet Krasniqin meritojnë më shumë vëmendje - NACIONALE

Të trishta e qesharake njëkohësisht: Pyetjet e popullit për Shefqet Krasniqin meritojnë më shumë vëmendje

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Spektakli pyetje-përgjigje me protagonist Shefqet Krasniqin, është një që premton shumë, dhe ne jemi këtu për ta shijuar e dokumentuar.

Ideja është kjo: një prej personaliteteve më të ndjekura të fesë islame në Kosovë paraqitet në një ambient imobil, me shumë libra në prapavijë, tavolinë e llaptop përpara, shfaqet i gatshëm të flasë. Shefqet Krasniqi, imam që shpesh është bërë temë për komentet e tij kontraverse, i drejtohet një audience të gjërë që kanë lloj-lloj ankesash e shqetësimesh, për të cilat kërkojnë këshillim nga hoxha.

Pyetjet janë të ndryshme dhe që ngërthejnë në vete segmente sociale nga më të çuditshmet. Çdo ndihmë nga çfarëdo zëri që konsiderohet si një i arsyes, është i mirëseardhur kur jeni në kërkim të 'ilaçit' shëndetësor e spiritual. E aspekti metafizik, jo rrallëherë është i ndërlidhur ngushtë me ndjesinë e fajit për thyerjen e rregullave morale të vendosura në një shoqëri patriarkale e religjioze.

Përgjigjet janë ashtu siç janë nga Shefqet Krasniqi, jurist i së drejtës islame, i cili gëzon kredibilitet nga publiku, t’u përgjigjet atyre që e pyesin për këndëvështrimin e thirrur. Andaj, në këtë artikull do të merremi veç me pyetjet e popullit.

Një pyetje në të cilën rastisa në një video në YouTube, për të cilën kërkohej përgjigje nga hoxhë Krasniqi ishte "a është haram me nejtë me ateista?" Pra, a është e ndaluar të rrish me jobesimtarët.

Hmm... e kuptueshme nga çfarë rrethanash mund të derivojë një pyetje e tillë. Besimi dhe vlerësimi në një fuqi kontrolluese supernjerëzore, veçanërisht në një Zot të përvetshëm ose zotëra, është pikërisht ajo çka thuhet të përfaqësojë religjioni. Feja, një botëkuptim që ka preokupuar intelektualisht njeriun që nga lashtësia.

Tash që po flasim rreth kësaj, m'u kujtua për miqtë e mi ateistë. Pavarësisht se e identifikoj veten si mysliman, asnjëherë nuk më ka prerë mendjen narracioni nëse është haram të kaloj kohë me ta...

Edhe nëse del të jetë e ndaluar, vështirë se fjalët e hoxhës do t'më bënin t'ia ktheja shpinën krejt marrëdhënies së shëndoshë që kemi investuar bashkërisht për ta ndërtuar, pasi besimi personal i dikujt, pa cenuar asgjë dhe askë, qenka haram.

Por, ndoshta ky jam veç unë... hej, jam i hapur për teori të ndryshme, andaj - si një mysliman minimalist - e kam të vështirë të vë fenë mbi relacionet e shëndosha me njerëzit e afërt, të cilët nuk besojnë në një zot apo shumë zotëra.

Për më shumë, konsideroj se të qenët mysliman i devotshëm në të njëjtën kohë kur gëzoni një raport të shëndoshë njerëzor me një ateist, e të distancoheni pasi religjioni nuk e lejon, më shumë krijon probleme e pikëpyetje mbi besimin, sesa që ju zgjidh pozicionin e të qenit në rrugën e drejtë të shtruar nga krijuesi.

Dorën në zemër, e kam të vështirë të besoj se dikush do të shkojë në ferr, pavarësisht gjithçkaje e çdo gjëje, për shkak të një besimi personal, i cili është konstruktuar në rrethana të caktuara sociale.

“E kam humbë shtëpinë dhe lokalet në fajde, tash vetëm pi alkool...”

Në fakt, kjo nuk duket as pyetje, por është thjesht një fjali nga një përcjellës, mbi të cilën elaboron hoxhë Krasniqi në një prej videove të tij.

Nga eksperiencat personale po flas, gjithmonë si një vdekatar urban, në rrethana të tilla kur "humb shtëpinë dhe lokalet me fajde", më së paku ju kryejnë punë këshillat e një hoxhe.

Varësia nga kumari është problem i gjerë social, andaj vështirë se një hoxhë mund t'ju thotë diçka që ju tashmë nuk e dini.

Si person që në rritje e sipër - më së shumti gjatë shkollës së mesme - ka qenë i ekspozuar plot herë ndaj lojërave të fatit, më së shumti në gara me qen, varësinë më së paku e ndihmojnë gjykimet apo leksionet morale nga të tjerët.

Është një gjë që quhet 'reflektim personal', e që të kryen punë më shumë se dhjetëra hoxhallarë e familjarë. Vështirë se dikush mund t’ju dojë më shumë se ju veten, andaj injoranca absolute për të kërkuar zgjidhje prej hoxhës, me shumë gjasë ju bën të ndiheni edhe më të zbrazët përbrenda.

Për më tepër, duke njohur reputacionin e karakterin e Krasniqit, është e qartë se me pyetje të tilla e vini veten në pozitë të volitshme për 'pjekje' publike nga hoxha në fjalë.

“Gruaja më ofendon dhe nuk më dëgjon”

Kjo është goxha qesharake, dorën në zemër. Një tjetër koment e jo pyetje, mbi të cilën elaboron Krasniqi. As që ka nevojë për nënvizim sa shumë gjëra nuk janë në rregull me këtë koment.

Imagjinoni aq shumë të keni probleme me mosdëgjimin që ju bën gruaja, sa t'i drejtoheni një hoxhe për këshillë. Vetë hipoteza mbi të cilën është ndërtuar ky koment se gruaja është aty për të dëgjuar burrin, është për studim. Mosdëgjimi i gruas, sipas komentit në fjalë, duket se vjen më shumë në formën e jobindjes ndaj asaj që i thotë zoti komentues, sesa në mosdëgjimin realisht për shkak të distancës, ose problemeve me veshë, mes folësve.

Si person në marrëdhënie, asnjëherë nuk më paska prerë mendjen mendimi se e dashura nuk po më dëgjon, në kuptimin nuk po më bindet, kur i jam drejtuar me një kërkesë apo sugjerim. Si burrë i dashuruar, tash do ta kem si pjesë të pandashme në mendje, ndoshta një që do të më kryejë shumë punë. Ajo duhet të më dëgjojë, e nëse nuk e bën, ndoshta hoxha do të më bëjë një zgjidhje.

“E kam humbur virgjinitetin në moshën 16-vjeçare, çka të bëj tash?”

Jo befasisht, videoja afër pesëminutëshe ku Krasniqi i përgjigjet kësaj pyetjeje, ka grumbulluar rreth 1 milion klikime.

Sipas njohësve të ligjit në Nacionale, marrëdhënia seksuale në moshën 16-vjeçare është e kundërligjshme, pavarësisht konsentit.

Martesa në një moshë të tillë mund të vijë veç me vendim specifik të gjykatës. Andaj, para gjithçkaje e çdo gjëje tjetër, këtu qëndron një problem i madh te ligjshmëria e aktit që nuk ka një të tillë dhe interpretimi i një hoxhe është gjëja e fundit që duhet të merret parasysh.

Lajme të ngjashme