A mund të marrim frymë në rrugën tonë drejt shëndetit, lumturisë dhe një udhëtimi psikodelik? - NACIONALE

A mund të marrim frymë në rrugën tonë drejt shëndetit, lumturisë dhe një udhëtimi psikodelik?

1 vit më parë

nga Beatrisa Culaj

Çelësi i shëndetit fizik, paqes së brendshme, performancës së përmirësuar dhe vetë-aktualizimit, është diçka që ne tashmë po e bëjmë 20.000 herë në ditë. Sipas përkrahësve të saj – që përfshijnë Simone Biles, Michael Phelps, Gisele Bundchen, duke manipuluar frymëmarrjen – ne mund të rregullojmë mendjen dhe trupin.

Por cilat teknika të frymëmarrjes funksionojnë më së miri? Dhe nëqoftëse ushtrimet me frymëmarrje mund të na ndihmojnë të gjithëve të ndihemi më mirë, pse nuk i bëjmë ato tërë kohën?

Çka janë ushtrimet e frymëmarrjes?

“Këto ushtrime janë çdo lloj i rregullimit të frymëmarrjes” thotë doktori Sundar Balasubramanian, studiues në Universitetin Mjekësor të Karolinës së Jugut dhe themelues i kompanisë PranaScience.

Siç vëren Balasubramanian, ushtrimet e frymëmarrjes kanë qenë përreth nesh për mijëra vjet, me kultura anembanë globit që kanë zhvilluar vetë praktikat e tyre.

Këto metoda ndryshojnë në intensitet, shpejtësi dhe rezultat. A është ky ushtrim shpirtëror apo thjesht po përpiqeni të qetësoni nervat tuaja?

“Unë gjithmonë mendoj se teknikat e frymëmarrjes janë si llojet e çokollatës’ thotë Balasubramanian. “Ekzistojnë kaq shumë lloje”.

Nëse duhet të zgjedhim njërën prej tyre, ai thotë se varet nga mënyra se si ndiheni dhe çka synoni të arrini në një moment të caktuar. Nëse dëshironi të ndiheni të mbushur me energji, provoni një ushtrim me frymëmarrje më të shkurtër, dhe nëse doni të ndiheni të qetë, provoni frymëmarrje më të gjata dhe më të thella.

Si ndikon frymëmarrja në shëndetin dhe mirëqenien tonë?

Ngadalësimi i ritmit të frymëmarrjes sonë në afërsisht gjashtë frymëmarrje në minutë mund të ketë përfitime të shumta shëndetësore, fizike dhe mendore, shpjegon doktor Alessandro Colasantikonsulent psikiatër në Sussex Partnership NHS Foundation Trust. “Këto efekte përfshijnë relaksimin, mirëqenien, reduktimin e stresit.”

Balasubramanian shton se duke zgjeruar plotësisht diafragmat tona gjatë frymëmarrjes, ne mund të përmirësojmë qarkullimin e gjakut në trup. "Shumica e problemeve në lidhje me mënyrën se si indet fillojnë të përkeqësohen me moshën janë për shkak të mungesës së qarkullimit të duhur," shpjegon ai, raporton The Guardian.

A mund t'ju bëjë vërtet frymëmarrja të ndiheni "high"?

"Disa elementë të tij," thotë Colasanti. Ai thotë se studimet kanë treguar se disa teknika me ritëm të shpejtë kanë dhënë rezultate të ngjashme me përvojat psikodelike, “veçanërisht në lidhje me ndjenjat e të jetuarit në një përvojë mistike, të qenit në një gjendje ëndërrimtare ose të lumtur dhe ndjenjës se vetja dhe rrethina ishin të paqarta. “. E përse ndodh kjo, nuk dihet ende.

A është dikush që nuk duhet të merret me këto ushtrime?

Për shkak se puna e frymëmarrjes mund të ngushtojë ose zgjerojë enët e gjakut, Balasubramanian u kërkon individëve që kanë pasur goditje në tru ose që kanë probleme kardiovaskulare të vazhdojnë me kujdes dhe të bëjnë vetëm ushtrime të frymëmarrjes të ofruara nga individë të trajnuar për t'u përballur me ato kushte.

Të mbijetuarit ndaj traumave duhet gjithashtu të bëjnë kujdes, pasi disa mund të mos ndihen rehat duke u fokusuar në ndjesitë fizike.

Sa shpesh duhet të bëjmë ushtrimet e frymëmarrjes?

Ushtrimet meditative, mund të bëhen më gjatë, sepse janë të ngadalta, por ushtrimet me frymëmarrje të shpejtë duhet të bëhen me kujdes dhe me shumë ndërprerje.

“Edhe pesë minuta disa ushtrime të frymëmarrjes para çdo vakti janë mjaft të mira për të shkaktuar disa ndryshime”, - thotë ai.

Ashtu si me çdo praktikë të re, ekspertët rekomandojnë të filloni ngadalë.

Lajme të ngjashme