Zyrtari i OKB-së: Ukraina dhe aleatët s'do të guxojnë të sjellin rezoluta kundër Rusisë shkaku i mbrojtjes së Izraelit - NACIONALE

Zyrtari i OKB-së: Ukraina dhe aleatët s'do të guxojnë të sjellin rezoluta kundër Rusisë shkaku i mbrojtjes së Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas izolimit diplomatik në Kombet e Bashkuara për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia duket e vetëkënaqur, përderisa Shtetet e Bashkuara po pësojnë fat të ngjashëm për shkak të përkrahjes së luftës së Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, raporton agjencia “Reuters”.

Më shumë se tri të katërtat e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën mbështetën një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, pasi ShBA-ja kishte bllokuar me veto një masë të ngjashme para pak ditëve.

“Me veton e saj, pala amerikane në thelb lëshoi një leje për të vrarë dhe tani bart përgjegjësi të plotë për secilën viktimë të re të konfliktit në Gaza”- tha pas miratimit të rezolutës ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia.

“Ndarja e këtij faji me ta është diçka që nuk duhet t’u kërkohet anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit dhe anëtarëve të OKB-së si tërësi”- shtoi diplomati i Moskës.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme për armëpushim në Gaza, që u miratua të martën, u mbështet në masë dërrmuese nga 153 shtete. Vetëm Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe tetë vende të tjera votuan kundër saj, ndërsa 23 të tjera abstenuan.

“Ata [rusët] po e duan këtë”- tha një diplomat i lartë evropian, duke folur në kushte anonimiteti e duke iu refuar Rusisë që po e sheh ShBA-në duke u kritikuar në OKB për shkak të përkrahjes për Izraelin.

Para votimit të kësaj rezolute, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli po e humb përkrahjen ndërkombëtare për shkak të fushatës për ta zhbërë Hamasin si rezultat i “bombardimeve pa dallim”.

Izraeli e ka bombarduar Gazën nga ajri, ka vendosur rrethim të enklavës e ka nisur ofensivë tokësore si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, kur u vranë 1.200 njerëz e u morën peng 240 të tjerë, sipas të dhënave izraelite. Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se 18 mijë e 608 persona janë vrarë e mbi 50 mijë të tjerë janë plagosur në Gaza nga fillimi i luftës.

“Diplomatët rusë e shohin luftën në Lindje të Mesme si mundësi të madhe për ta rivendosur pozicionin e tyre në OKB. Ata kanë bërë përpjekje të fuqishme për t’i vënë në pah standardet e dyfishta të ShBA-së për luftën”- tha Richard Gowan, drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në OKB. “Ata e dinë se Ukraina dhe aleatët e saj nuk do të guxojnë që të nxjerrin ndonjë rezolutë për ta shënjestruar Moskën... për ca kohë”- shtoi ai.

Organizata botërore miratoi gjashtë rezoluta për luftën në Ukrainë në vitin e parë – duke e dënuar Rusinë e duke e kërkuar tërheqjen e forcave të saj nga Ukraina. Një rezolutë e tetorit të vitit 2022 – me të cilën dënohet “aneksimi ilegal në tentativë” i katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia – e mori përkrahjen më të madhe – nga 143 shtete.

Megjithatë, disa diplomatë tani kanë sinjalizuar se besueshmëria e ShBA-së për të mbledhur përkrahje në OKB për çështje si Ukraina mund të jetë komprometuar për shkak të mbrojtjes së Izraelit.

“ShBA-ja dhe qeveri të tjera perëndimore me goxha të drejtë kanë marrë pozicione të qarta në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe ligjeve të luftës, kur bëhet fjalë për mizoritë ruse në Ukrainë dhe për mizoritë e Hamasit në Izrael, por e drejta ndërkombëtare vlen në mënyrë të barabartë për të gjithë”- tha Louis Charbonneau nga organizata “Human Rights Watch”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme