Zyrtari i lartë izraelit e sfidon Trumpin: Lufta në Gaza s’kryhet pa përfunduar të gjitha fazat e marrëveshjes
Një zyrtar i lartë në Zyrën e Kryeministrit të Izraelit i tha të mërkurën gazetës “The Times of Israel” se lufta në Gaza ende “nuk ka marrë fund” pavarësisht këmbënguljes së presidentit amerikan, Donald Trump, më herët këtë javë për të kundërtën dhe pavarësisht një letre nga Qeveria e Izraelit për familjet e pengjeve, në të cilën thuhej se lufta kishte përfunduar.
“Ne ende jemi në fazën e parë” – tha zyrtari izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti duke iu referuar marrëveshjes për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve, me të cilën iu dha fund dy vjetëve luftime. “Duhet ta kompletojmë. Pa e kompletuar, nuk përfundohet” – shtoi ai.
“Edhe Trumpi thotë se ka marrë fund – por ai madje tha se Hamasi duhet të çarmatoset dhe nëse nuk e bëjnë këtë, “ne do t’i çarmatosim ata” – shtoi zyrtari, duke i cituar fjalët e presidentit amerikan një ditë më parë.
“Ne duam që të vijmë te fundi i kësaj lufte. Askush nuk dëshiron të jetë në luftë, por ne duhet ta përfundojmë luftën me fazat që vërtet janë të përcaktuara në këtë plan” – tha më tej zyrtari i Zyrës së Kryeministrit.
Sipas pikave të fazës së parë të marrëveshjes, Hamasi të hënën i liroi 20 pengjet e gjalla që po mbaheshin ende në robëri, ndërsa Izraeli liroi rreth 2.000 të burgosur palestinezë, përfshirë 250 të dënuar me burgim të përjetshëm.
Zyrtari izraelit gjithashtu hodhi poshtë një raport të gazetës së njohur amerikane, “The Ëall Street Journal”, ku thuhej se Izraeli dhe Hamasi i kanë filluar negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila ka të bëjë me çarmatosjen e Hamasit dhe themelimin e një autoriteti alternativ për ta administruar Gazën.
“Ende jemi në fazën e parë. Do të flasim për fazën e dytë, kur ta kompletojmë të parën” – tha ai./Nacionale