Zyrtari amerikan: Aeroplanët izraelitë hodhën raketa balistike nga Deti i Kuq në Katar
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka thënë se aeroplanët izraelitë që ndodheshin mbi Detin e Kuq hodhën raketa balistike për t’i vënë në shënjestër krerët e Hamasit në Katar javën e kaluar, në atë që ishte metodë e re, me gjasë për t’iu shmangur mbrojtjes ajrore të Katarit dhe hyrjes në hapësirën ajrore të shteteve të huaja.
Në sulmin e 9 shtatorit u vranë gjashtë njerëz në kryeqytetin e Katarit, Doha. Përpos pasojave në njerëz, mbeti pezull puna prej muajsh e diplomacisë, përkatësisht ndërmjetësimi nga Katari për arritjen e një armëpushimi në Gaza. Sulmi në Doha ka shkaktuar frikë në shtete të tjera se edhe ato mund të sulmohen, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ushtria izraelite e shfrytëzoi elementin e befasisë duke i hedhur raketat nga një drejtim që ndoshta nuk është pritur nga Katari ose Shtetet e Bashkuara, të cilat operojnë në Bazën Ajrore “Al Udeid” në Katar.
Edhe nëse këto dy shtete do të ishin në dijeni, ekspertët thonë se bateritë e mbrojtjes raketore “Patriot” në Katar me gjasë nuk do të ishin në gjendje që t’i pengonin raketat që po fluturonin nëpër hapësirë me shpejtësi disa herë më të madhe se ajo e zërit.
“Ne ndoshta po flasim për pak minuta nga shkrepja deri tek goditja, pra fare kohë e gjatë” – tha Sidharth Kaushal, ekspert i raketave dhe hulumtues i lartë në Institutin e Bashkuar Mbretëror të Shërbimeve me bazë në Londër.
Zyrtari amerikan i mbrojtjes i tha agjencisë “Associated Press” se raketat u hodhën nga aeroplanët luftarakë izraelitë që ndodheshin mbi Detin e Kuq, kur krerët e Hamasit ishin mbledhur në Katar për të shqyrtuar një propozim për armëpushim në Gaza. Zyrtari kishte njohuri të drejtpërdrejta për atë se si Izraeli e ka kryer sulmin dhe foli në kushte anonimiteti.
Një zyrtar tjetër amerikan i mbrojtjes, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti, tha se sulmi izraelit ishte “mbi horizont”, nga jashtë hapësirës ajrore të Katarit. Ushtria amerikane e përdor këtë term zakonisht për të përshkruar sulme ajrore që kryhen nga një largësi e madhe.
Duke i hedhur raketat në hapësirë, Izraeli i mbajti ato jashtë hapësirës ajrore të shteteve të tjera të Gjirit Persik përreth Katarit, sidomos Arabisë Saudite, me të cilën Izraeli për një kohë të gjatë ka synuar të arrijë marrëveshje për njohje diplomatike.
“Është faktori politik, nuk po fluturon nëpër hapësirën ajrore saudite dhe nuk po e shkel sovranitetin e saj gjatë procesit, gjë që qartazi është e dobishme, nëse mban shpresë për... normalizimin e gjërave me sauditët” – tha Kaushal.
Raketat gjithashtu u hodhën nga perëndimi drejt lindjes, që me gjasë nuk ka qenë duke u vëzhguar nga sistemet e mbrojtjes ajrore në Katar të menaxhuara qoftë nga ky shtet, qoftë nga Shtetet e Bashkuara. Rreziqet kryesore rajonale për të cilat janë brengosur shtetet e Gjirit Persik kryesisht vijnë nga veriu, pra nga Irani, i cili më parë ka kryer një sulm ndaj Katarit, ose nga jugu, nga zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen.
Raketat balistike fluturojnë lart deri në pjesën e sipërme të atmosferës ose madje deri në hapësirë, para se të kthehen poshtë me shpejtësi disa herë më të lartë se ajo e zërit. Përderisa sistemi “Patriot” nuk mund të godasë raketa në atë lartësi, një gjë të tillë mund ta bëjë sistemi THAAD. Një të tillë Katari e porositi në maj, gjatë vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e kanë njoftuar Katarin porsa kanë marrë vesh për sulmin izraelit, por zyrtarët në Doha thonë se paralajmërimi erdhi vetëm pasi raketat ranë në tokë.
Një zyrtar izraelit, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth hollësive të sulmit, tha se rreth dhjetë aeroplanë morën pjesë në mision dhe hodhën rreth dhjetë raketa. Izraeli nuk ka dalë publikisht me deklarata për llojin e armëve që janë përdorur gjatë sulmit./Nacionale