Zhvillimet kryesore të ditës të lidhura me luftën Rusi-Ukrainë
Sulmet e vazhdueshme në qytete, dronët e Iranit e shkarkimi i shefit të sigurisë kibernetike në Gjermani – edhe dita e sotme është shënuar me zhvillime të rëndësishme të lidhura me luftën Rusi-Ukrainë.
Të përmbledhura shkurtimisht, Nacionale ju sjell disa nga ngjarjet më kryesore nga konflikti.
- Volodymyr Zelensky u kërkoi trupave të tij të marrin më shumë të burgosur disa orë pasi Ukraina dhe Rusia kryen një nga shkëmbimet më të mëdha të të burgosurve deri më tani, duke shkëmbyer 218 të burgosur.
- Qytetet anembanë Ukrainës u goditën nga një valë e re shpërthimesh, me objekte energjetike mes infrastrukturës kritike të shënjestruar. Zelensky tha se që nga 10 tetori, sulmet ruse kanë "shkatërruar" një të tretën e termocentraleve duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në mbarë vendin.
- Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje banorëve që të përpiqen të kursejnë energjinë elektrike. Ai këshilloi familjet që të rezervonin ujë të pijshëm pasi sulmet kishin ndikuar edhe në furnizimin me ujë të qytetit.
- Dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos pas një sulmi në një objekt energjetik në qytet. Zyra e prokurorit të Kievit njoftoi se kishte hapur një hetim për një "shkelje të mundshme të ligjeve të luftës".
- Kremlini tha se nuk kishte "asnjë informacion" nëse dronët "kamikaze" të prodhuara nga Irani ishin përdorur në sulmet në shkallë të gjerë në qytetet ukrainase këtë javë.
- Zyrtarët perëndimorë ndanë shqetësimin se Irani mund të rrisë ndihmën e tij për Rusinë përtej furnizimit me qindra dronë në raketa më të sofistikuara sipërfaqësore.
- Është raportuar se, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka plane për t'i dhënë fund mobilizimit ushtarak në Rusi pasi objektivi prej 300,000 nuk është arritur ende.
- Ukraina mori 2 miliardë euro ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, kësti i parë i një pakete mbështetjeje prej 5 miliardë eurosh. Kryeministri Denys Shmyhal bëri të ditur se, ndihma do të përdoret për të "mbuluar shpenzimet urgjente buxhetore, veçanërisht për sferat sociale dhe humanitare".
- Në qytetin Lyman, i cili deri vonë ishte i pushtuar nga forcat ruse, janë zhvarrosur trupat e pesë fëmijëve. Tre vajzat dhe dy djemtë – që kishin vdekur nga plagët e predhave – ishin nga mosha një deri në 14 vjeç.
- Ministri i Jashtëm i Ukrainës njoftoi se do t'i paraqesë një propozim Zelensky-t për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, ndërsa u bëri thirrje ministrave të jashtëm të BE-së që të vendosin sanksione ndaj Iranit për ndihmën e Rusisë "në kryerjen e terrorit kundër ukrainasve".
- Ministrja e Brendshme e Gjermanisë shkarkoi shefin e sigurisë kibernetike të vendit, pas akuzave se ai kishte mbyllur sytë ndaj një firme me lidhje me qarqet ruse të sigurisë. Arne Schönbohm, presidenti i Zyrës Federale Gjermane për Sigurinë e Informacionit, u shkarkua nga detyra me efekt të menjëhershëm.
- Më shumë se 400 objektiva të infrastrukturës në të gjithë Ukrainën u dëmtuan në sulmet e orkestruara nga Putin. Që nga 10 tetori, sulmet ruse kanë goditur 408 objektiva – 45 prej tyre stacione energjetike dhe më shumë se 180 ndërtesa civile.
- Numri i të vdekurve nga rrëzimi i një avioni ushtarak në qytetin rus Yeysk u rrit në 15, duke përfshirë tre fëmijë. Bombarduesi SU-34 figher u përplas në një ndërtesë banimi nëntë katëshe të hënën në mbrëmje, me komitetin hetimor të Rusisë që e cilësoi përplasjen si një "mosfunksionim teknik".
- Një komision i Kombeve të Bashkuara zbuloi se forcat ruse ishin përgjegjëse për "shumicën dërrmuese" të shkeljeve të të drejtave të njeriut në fillim të luftës së saj në Ukrainë. U tha se gjatë kësaj kohe, abuzime janë kryer edhe nga trupat ukrainase, duke përfshirë raste të qëllimit, torturimit ose plagosjes së personave që ishin jashtë aksionit.
- NATO do të dorëzojë sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë në ditët e ardhshme për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër sulmeve ruse me dronë.


