Lufta në Ukrainë: Ndërprerje të energjisë në 1162 qytete dhe fshatra pas sulmeve të Rusisë
Më shumë se një mijë qytete dhe fshatra në të gjithë Ukrainën mbeten pa energji pas sulmeve masive ruse në ditët e fundit, kanë thënë zyrtarët ukrainas, raporton BBC.
Zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës Oleksandr Khorunzhyi tha se më shumë se 70 njerëz ishin vrarë në sulmet me raketa dhe dronë që nga 7 tetori.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se 30% e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar në tetë ditët e fundit.
Disa pjesë të kryeqytetit Kiev nuk kanë energji dhe ujë pas granatimeve të reja të martën.
Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko tha se të tre viktimat e sulmeve të fundit ruse ishin punonjës të "infrastrukturës kritike", duke shtuar se dy objekte në kryeqytet ishin goditur.
Energjia dhe uji u ndërprenë në Zhytomyr, në perëndim të kryeqytetit dhe një objekt energjetik u godit në qytetin juglindor të Dnipro.
Në konferencën e së martës në Kiev, zoti Khorunzhyi tha: "Në periudhën nga 7 deri më 18 tetor, si rezultat i granatimeve të objekteve energjetike, rreth 4,000 vendbanime në 11 rajone [të Ukrainës] mbetën pa energji elektrike."
"Aktualisht, sipas ministrisë së energjisë, 1,162 vendbanime mbeten pa energji," tha zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës.
Pasi pësoi një seri humbjesh të dhimbshme në fushën e betejës, Rusia ka shtuar sulmet në javët e fundit ndaj infrastrukturës së energjisë elektrike në qytete larg vijave të frontit.
Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së presidentit, tha se "të gjithë duhet të jenë të gatshëm, së pari, për të kursyer energjinë elektrike dhe së dyti, ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë janë gjithashtu të mundshme nëse sulmet vazhdojnë."
Sulmet e fundit erdhën 24 orë pasi dronët "kamikazë" - që besohet se ishin furnizuar nga Irani - vranë të paktën nëntë persona në Kiev dhe Sumy, në veri-lindje.
Sulmet e tjera herët të martën përfshinin:
- Në Zhytomyr, kryebashkiaku tha se nuk kishte energji apo ujë në qytet dhe spitalet po punonin për energjinë rezervë
- 11 fshatra në rajonin Zhytomyr ishin gjithashtu pa energji elektrike, thanë zyrtarët.
- Furnizimi me energji dhe ujë u ndërprenë në qytetin qendror të Dnipros, ku u shkatërrua një objekt i madh energjetik dhe zyrtarët thanë se ndriçimi i rrugëve do të fiket.
- Granatimet u raportuan në qytetin verilindor të Kharkiv
- Infrastruktura në qytetin jugor të Zaporizhzhia u godit, megjithëse zyrtarët lokalë thanë se askush nuk ishte lënduar.
- Në disa qytete, ukrainasit po blejnë gjeneratorë të energjisë dhe ndezës gazi. Disa qytete tashmë po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.
Fabrika - më e madhja në Evropë - është e pushtuar nga forcat ruse, por stafi i saj ukrainas vazhdon të punojë atje në kushte të vështira.
"Ne prisnim që Rusia të intensifikonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe infrastrukturës civile dhe të rriste luftën urbane drejt vjeshtës - dhe ja ku jemi pikërisht me atë skenar që po ndodh," tha deputetja ukrainase Lesia Vasylenko për BBC.
Sipas vlerësimit më të fundit të inteligjencës së mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, ka shumë të ngjarë që që nga dështimet e saj gjatë luftës, Rusia të intensifikojë sumet drejtë objekteve ushtarake dhe civile.
Sulmet ruse me raketa dhe dron kanë shtyrë qeverinë ukrainase të kërkojë edhe një herë armë të mbrojtjes ajrore.
Më herët, SHBA deklaroi se ishte dakord me partnerët e saj në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar që blerja e dronëve nga Irani shkeli një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me një marrëveshje bërthamore që ndalonte transferimin e pajisjeve të caktuara ushtarake.
Dronët e përdorur në sulmet vdekjeprurëse në Kiev dhe Sumy janë identifikuar nga Ukraina si automjete ajrore pa pilot Shahed-136 (UAV). Në Rusi, ato quhen Geran-2.
Vedant Patel i departamentit të shtetit amerikan tha se Uashingtoni nuk do të hezitonte të përdorte sanksione. BE tha se po mblidhte prova dhe ishte gati të vepronte.
Si Rusia ashtu edhe Irani kanë mohuar se janë përdorur dronë iranianë.
Megjithatë, zyrtarët perëndimorë në Ukrainë thanë se nuk kishte dyshime se dronët kishin ardhur nga Irani dhe ishte e qartë se Rusia po kërkonte të sulmonte rrjetin e energjisë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se do të kërkojë që presidenti Zelensky të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.