Shkarkohet shefi i sigurisë kibernetike në Gjermani, dyshohet për lidhje me Rusinë - NACIONALE

Shkarkohet shefi i sigurisë kibernetike në Gjermani, dyshohet për lidhje me Rusinë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas disa raportimeve të mediave për lidhje të dyshuara me Rusinë, është shkarkuar nga puna kreu i agjencisë gjermane të sigurisë kibernetike.

Sipas një zëdhënësi të ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, Arne Schönbohm, kreu i Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit, është shkarkuar nga ministrja gjermane Nancy Faeser.

"Nuk kishte më asnjë besim në udhëheqjen e Schönbohm," është shprehur zëdhënësi për CNN.

Shkarkimi i tij vjen pas raportimeve të fundit të mediave gjermane që pretendonin se ai kishte lidhje me njerëz të përfshirë me shërbimet e inteligjencës ruse. Sipas këtyre raportimeve ai ishte i lidhur me Rusinë përmes rolit të tij në Këshillin e Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë.

Në vitin 2012, Schönbohm kishte bashkëthemeluar organizatën, e cila e përshkruan veten si politikisht neutrale dhe këshillon sektorin privat dhe publik për çështjet e sigurisë kibernetike. Ndërsa, midis anëtarëve të kësaj organizate është një kompani gjermane që është një degë e një firme ruse të sigurisë kibernetike e themeluar nga një ish-anëtar i KGB-së.

Përmes një deklarate, zëdhënësi është shprehur se, “në vazhdën e situatës aktuale të krizës në lidhje me luftën hibride ruse, akuzat kanë dëmtuar përgjithmonë besimin e nevojshëm publik në neutralitetin dhe paanshmërinë e detyrës së Schönbohm si kreu i autoritetit më të rëndësishëm të sigurisë kibernetike të Gjermanisë".

Më tej, zëdhënësi ka shtuar se, “të gjitha akuzat ndaj tij, do të hetohen tërësisht dhe fuqishëm dhe do t'i nënshtrohen një vlerësimi të detajuar.”

Schönbohm ishte kreu i BSI që nga shkurti i vitit 2016, ndërsa nuk ka komentuar ende në lidhje me akuzat ndaj tij.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kibernetike, ka refuzuar të komentojë mbi Schönbohm, por ka thënë se kompania kishte "paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se aktorët rusë mund të shfrytëzonin dobësitë në mbrojtjen kibernetike gjermane".

“Fokusi ynë në të ardhmen do të vazhdojë të jetë në forcimin e arkitekturës së sigurisë kombëtare sa më mirë që mundemi. Kjo përfshin në mënyrë eksplicite kërcënime të mëtejshme të mundshme nga Rusia”, ka shtuar zëdhënësi.

Lajme të ngjashme