Zëvendësimi i Truss: Sunak kryeson garën, pritet kandidatura e Johnson
Në garën e Partisë Konservatore për të zëvendësuar Liz Truss si kryeministre, të dielën ka kryesuar ish-shefi i Thesarit Britanik, Rishi Sunak.
Sunak ka fituar mbështetjen publike të mbi 100 deputetëve konservatorë, duke kaluar kështu para dy rivalëve të tij kryesorë: ish-kryeministrit Boris Johnson dhe ish-ministres së kabinetit Penny Mordaunt.
Megjithatë, ka ende shumë pasiguri pasi që mediat britanike kanë raportuar se Sunak dhe Johnson kanë mbajtur bisedime të shtunën vonë, duke shtuar kështu spekulime se dyshja mund të arrinte një marrëveshje për të bashkuar partinë qeverisëse të përçarë nga rënia e shpejtë e Truss, pas rrëzimit të Johnson.
Pas dorëheqjes së Truss, Partia Konservatore urdhëroi me nxitim një garë që synon të finalizojë nominimet të hënën dhe të vendosë një kryeministër të ri - i treti këtë vit - brenda një jave.
Në garën e lidershipit konservator të kësaj vere për të zëvendësuar Johnson - i larguar pas disa skandaleve - pas Truss, Sunak, 42 vjeç, ishte i dyti. Ndërsa të dielën ai konfirmoi se ai do të kandidojë sërish për lidership.
Bëhet e ditur se deri më tani, Sunak ka marrë mbështetjen e të paktën 124 deputetëve konservatorë – shumë më shumë se sa 100 nominimet e nevojshme për kualifikim.
Ndërsa, sipas disa të dhënave jozyrtare, Johnson ka arritur të marrë mbështetje nga 50 deputetë, kurse Mordaunt kishte mbështetje nga rreth 23 deputetë.
Mordaunt dhe Johnson - nëse ai konfirmon kandidaturën - kanë kohë deri të hënën pasdite për të mbledhur 100 nominime. Nëse të tre arrijnë pragun, atëherë deputetët do të votojnë për të eliminuar njërin dhe pastaj do të mbajnë një votim tregues për dy të mbeturit në garë.
Më pas, 172,000 anëtarët e partisë do të vendosin mes dy finalistëve në një votim online që do të zgjedhë drejtuesin e ri të vendit deri ditën e premte.
Sa i përket Johnson, një rikthim i mundshëm i tij në pushtet ka ndarë thellësisht konservatorët dhe ka alarmuar shumë të tjerë. Mbështetësit thonë se ai është një fitues i votave të popullit dhe prandaj mund të ketë mbështetje të mjaftueshme nga deputetët, por shumë kritikë kanë parlajmëruar se një qeveri tjetër e kryesur nga Johnson do të ishte katastrofike për partinë dhe vendin.

