Boris Johnson kthehet nga Karaibet, bëhet gati për rikthimin e mundshëm politik - NACIONALE

Boris Johnson kthehet nga Karaibet, bëhet gati për rikthimin e mundshëm politik

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Boris Johnson është rikthyer në Londër të shtunën në mëngjes, me shpresë për të nisur një rikthim triumfues në Downing Street.

Johnson, i cili u rrëzua nga posti i kryeministrit në muajin korrik pas një serie skandalesh, ishte me pushime në Karaibe, ndërsa tani sipas PA Media, ai është rikthyer me qëllim t’i bashkohet garës për zëvendësimin e Liz Truss si kryeministre.

PA Media ka raportuar se, Johnson i ka thënë ministrit të tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar James Duddridge se ai ishte "i gatshëm për këtë", duke treguar se do të kandidojë në garën për udhëheqje pavarësisht faktit se është ende nën hetim parlamentar për akuzat se ka gënjyer deputetët.

Kujtojmë se, Truss dha dorëheqjen të enjten, vetëm gjashtë javë në mandatin e saj të kryeministres që e futi Britaninë në trazira politike dhe ekonomike.

Ndërsa, sa i përket Johnson, ish-ministrja e Brendshme Priti Patel, është bërë një nga mbështetësit më të mëdhenj të rikthimit të tij si kryeministër.

“Boris ka mandatin e popullit dhe një histori të dëshmuar për marrjen e vendimeve të mëdha si duhet”, ka shkruar ajo në Twitter.

Megjithatë, diskutimi për rikthimin e tij të mundshëm në post, ka ndarë opinionet brenda Partisë Konservatore, me shumë zyrtarë që janë të tmerruar nga perspektiva e një posti të dytë si kryeministër për Johnson.

Kundër rikthimit ka dalë edhe ish-zëvendëskryeministri dhe sekretari i tij i jashtëm Dominic Raab i cili është shprehur për BBC-në, duke thënë se, "ne nuk mund të kthehemi mbrapa".

Graham Brady, kreu i Komitetit të 1922, i cili përfaqëson anëtarët konservatorë të parlamentit, tha se kryeministri i ri do të zgjidhet të premten e ardhshme. Ai ka bërë të ditur se kandidatët për të zëvendësuar Trussin do të kenë nevojë për të paktën 100 nominime nga deputetët e partisë. Ky prag i vendosur ngushton numrin e kandidatëve në një maksium prej tre.

E nëse Johnson arrin të marrë numrin e kërkuar të mbështetësve, ai do t'i bashkohet ish-kancelarit të Thesarit Rishi Sunak, i cili raportohet se tashmë ka arritur pragun prej 100 nominimeve.

Lajme të ngjashme