A mund të rikthehet vërtet Boris Johnson si lider i Britanisë? - NACIONALE

A mund të rikthehet vërtet Boris Johnson si lider i Britanisë?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Për ata që po e përcjellin situatën jashtë Britanisë së Madhe, mund të jetë i çuditshëm paralajmërimi se Boris Johnson mund të rikthehet si kryeministër, vetëm pak muaj pasi dha dorëheqje pas disa skandaleve.

Megjithatë, pas njoftimit për dorëheqje nga Liz Truss, pas vetëm 45 ditësh në detyrë, rikthimi i Johnson u bë pikë kryesore e diskutimeve në Westminster.

Aleatët e Johnson besojnë se ai është i vetmi person që mund të bashkojë partinë qeverisëse Konservatore dhe të parandalojë një zhdukje elektorale që mund ta vendosë partinë në opozitë për një kohë të gjatë.

Do të jetë e saktë të thuhet se Truss ka lënë prapa një rrëmujë që do të duhet të zgjiedhet nga pasardhësi i saj, pasi plani i saj ekonomik i dështuar, vetëm sa i përkeqësoi gjërat për njerëzit që tashmë ishin në përballje me një krizë të madhe të kostos së jetesës.

Pra, pse mendohet se Boris Johnson është zgjidhja?

Si fillim, lind pyetja edhe për të drejtën e tij për të kandiduar. Dorëheqja e Johnson erdhi pasi një varg skandalesh që e bënë pozicionin e tij të paqëndrueshëm. Shumë besojnë se rënia e tij erdhi pasi përdori pushtetin për të mbrojtur një aleat politik për të cilin u zbulua se kishte shkelur rregullat e bllokimit të Covid.

Më pas, filluan të shfaqen raporte se këto rregulla ishin thyer edhe brenda Downing Street, madje edhe nga vetë Johnson.

Pas këtyre raporteve të cilat fillimisht u mohuan në parlament, dolën foto e video si dëshimi e si pasojë e të cilave, Johnson u gjobit nga policia për shkelje, duke u bërë kryeministri i parë i vendit në detyrë që shpallet fajtor për shkelje të ligjit.

Më pas, Johnson u përpoq të qëndronte në detyrë, por refuzimi i tij për t’u larguar solli një valë dorëheqjesh të tjera që rrëzoi kryeministrinë e tij.

E gjithë kjo ngjarje mund të duket si një skualifikim për një post të ardhshëm, por në ligjin britanik nuk ka asgjë që pengon rikthimin e një politikani.

Përtej kësaj, mbështetësit e tij thonë se Johnson është i vetmi kandidat me mandat nga populli për të qeverisur. Argumenti i tyre është se Johnson e udhëhoqi partinë drejt një fitoreje dërrmuese në vitin 2019, duke fituar një shumicë prej 80 vendesh në parlament.

Ata thonë se kjo shumicë e fituar, është shumica e tij.

Mundësia e kthimit të Johnson, u shfaq fillimisht nga Nadine Dorries, e cila shërbeu si ministre e kabinetit nën Johnson. Duke shkruar në Twitter, ajo tha se: “Një person u zgjodh nga publiku britanik me një mandat deri në janar 2025. Nëse Liz Truss nuk është më kryeministre. Deputetët duhet të kërkojnë kthimin e Boris Johnson.”

Ajo shtoi se, “kurorëzimi i dikujt tjetër do të ishte antidemokratik, duke shtuar se në vend të kësaj do të duhej të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme.”

Boris Johnson është duke e menduar një rikthim mahnitës, thonë aleatët

Megjithatë, skeptikët e Johnson janë të shqetësuar se në sytë e publikut, ai është i njëjti njeri siç ishte kur dha dorëheqjen në korrik. Ata kanë frikë se, rikthimi i tij vetëm se do të zemëronte më tej publikun britanik.

Johnson ende është duke u përballur me një hetim parlamentar nëse ka mashtruar apo jo parlamentin, e nëse do të dilte fajtor ai mund të pezullohej nga parlamenti.

Pra, tani është e vështirë të thuhet se sa e mundshme është një rikthim i Johnson. Por, sipas CNN ai është duke e marrë çështjen shumë seriozisht. E megjithëse nuk dihet nëse ai i ka 100 mbështetësit që kërkohen për të marrë pjesë në votimin e anëtarëve, nëse ai arrin të shkojë deri në votimin përfundimtar, është shumë e drejtë të thuhet se një fitore për Johnson do të ishte e sigurtë.

Kujtojmë se, muajt e fundit kanë qenë të jashtëzakonshëm në politikën britanike, me Johnson që ka pasur një rol jo edhe aq të vogël, e ndërsa rikthimi i tij mund të sjellë një ndjenjë qetësie, në të njejtën mënyrë edhe mund të përkeqësojë giithçka.

Lajme të ngjashme