Zelensky thotë se Ukraina do ta humbë luftën, nëse ShBA-ja ia ndal ndihmat - NACIONALE

Zelensky thotë se Ukraina do ta humbë luftën, nëse ShBA-ja ia ndal ndihmat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën vonë në televizionin “Fox News” se vendi i tij do ta humbë luftën, nëse Shtetet e Bashkuara, përkrahëset kryesore, i ndërpresin fondet.

Zelensky tha se do të ishte “shumë e rrezikshme, nëse ne do ta humbnim unitetin në Evropë dhe, çfarë është më i rëndësishmi, është uniteti mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”, raporton televizioni BBC.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka bërë fushatë me premtimin se do t’i japë fund përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në luftëra dhe, në vend të kësaj, do t’i shfrytëzojë të hollat e taksapaguesve për ta përmirësuar jetën e amerikanëve.

Ai ka thënë se do t’i japë fund luftës Rusi – Ukrainë brenda 24 orëve, por nuk ka treguar se si do ta arrijë këtë.

“Nëse ata do t’i ndërpresin [ndihmat], mendoj se ne do të humbim. Natyrisht, sidoqoftë, ne do të qëndrojmë, do të luftojmë, e kemi prodhimin tonë, por ai nuk është i mjaftueshëm për të ngadhënjyer dhe mendoj se nuk është i mjaftueshëm për të mbijetuar” – shtoi presidenti ukrainas.

Kur u pyet nëse Trumpi do të jetë në gjendje që të ndikojë te presidenti rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës, Zelensky tha: “Nuk do të jetë e thjeshtë, por po, ai mundet, sepse ai është më i fortë se Putini.”

“Putini është më i dobët se Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Shteteve të Bashkuara i ka fuqinë, autoritetin dhe armët dhe ai mund ta ulë çmimin e burimeve të energjisë” – shtoi ai.

Të martën, Ukraina hodhi për herë të parë drejt territorit rus raketa me rreze të gjatë të dhuruara nga ShBA-ja, ATACMS, një ditë pasi Shtëpia e Bardhë dha leje për përdorimin e tyre.

Presidenti amerikan në largim, Joe Biden, gjithashtu është pajtuar që Ukrainës t’i jepen mina tokësore kundër personelit, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes që ka biseduar me BBC-në./Nacionale

Lajme të ngjashme