Zelensky: ShBA-ja po kalon nëpër periudhë të vështirë zgjedhjesh - NACIONALE

Zelensky: ShBA-ja po kalon nëpër periudhë të vështirë zgjedhjesh

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara janë duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë zgjedhjesh. Komenti i tij erdhi në kohën e shqetësimit për tkurrjen e mundshme të përkrahjes financiare të Uashingtonit për Kievin.

Udhëheqësi në kohë lufte u pyet nëse ishte i brengosur që shkarkimi i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, mund ta shkaktojë ngecjen e miratimit të ndihmave të reja për Ukrainën nga ligjvënësit, raporton televizioni CNN.

“Mendoj se është shumë vonë për t’u brengosur. Duhet të punojmë për këtë”- theksoi Zelensky, përderisa po merrte pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës.

Ai pranoi se Shtetet e Bashkuara janë duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë zgjedhjesh me shumë zëra të ndryshëm konkurrues, duke shtuar se situata politike në Uashington mund të diskutohet nga udhëheqësit evropianë gjatë takimit të së enjtes.

Presidenti ukrainas tregoi se si gjatë një udhëtimi në Uashington më herët këtë vit kishte marrë porosi për përkrahje “100 për qind” nga homologu amerikan, Joe Biden, bashkë me mbështetjen e anëtarëve të të dyja partive kryesore.

Dy ndihës të lartë të republikanëve në Kongres i kanë thënë më parë televizionit CNN se ka shtim të thirrjeve nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë që Shtëpia e Bardhë t’i dërgojë Kongresit një projektligj të vetëm shtesë për financimin e Ukrainës, me të cilin do të siguroheshin fondet për këtë shtet gjatë vitit 2024 dhe pas zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme