Bie dukshëm përqindja, shumica e amerikanëve s’e përkrahin dhurimin e armëve për Ukrainën
Ka rënë edhe më shumë përkrahja e amerikanëve në mesin e dy partive kryesore për furnizimin e Ukrainës me armë nga ShBA-ja, sipas një ankete të re të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it.
Në anketën dyditore, që u mbyll të mërkurën, tregohet se vetëm 41 për qind e pjesëmarrësve u pajtuan me deklaratën se Uashingtoni “duhet t’i ofrojë armë Ukrainës”, në krahasim me 35 për qind që nuk u pajtuan, ndërsa pjesa tjetër e pjesëmarrësve nuk ishin të sigurt, raporton agjencia “Reuters”.
Përkrahja e amerikanëve për dërgimin e armëve nga ShBA-ja në Ukrainë shënon rënie në krahasim me muajin maj, kur anketa e kryer nga agjencitë e njëjta tregonte se 46 për qind e amerikanëve e përkrahnin veprimin e tillë, ndërsa 29 për qind ishin kundër.
Anketa u zhvillua në kohën kur udhëheqësit e Kongresit po debatojnë për kërkesën e presidentit Biden për 24 miliardë dollarë fonde shtesë për Ukrainën, nga të cilat 17 miliardë dollarë do të ndaheshin për fushën e mbrojtjes.
Uashingtoni ka ndarë 44 miliardë dollarë për ta furnizuar Kievin me dhjetëra tanke, mijëra raketa e miliona predha e plumba që Ukraina i ka shfrytëzuar për ta mbrojtur veten nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
Disa republikanë, sidomos ata me lidhje më të ngushta me ish-presidentin Donald Trump, përderisa ky synon të kthehet në pushtet vitin e ardhshëm, janë kundër ndihmave të reja për Ukrainën.
“Rënia e përkrahjes është duke pasur ndikim negative në mbështetjen nga Kongresi dhe, eventualisht, në mundësitë për pako shtesë të ndihmave”- tha Elizabeth Hoffman, drejtoreshë për çështje qeveritare dhe të Kongresit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Përderisa përkrahja për furnizimin e Ukrainës me armë nga ShBA-ja ka qenë vazhdimisht më e fuqishme në mesin e demokratëve që nga fillimi i luftës, rënia e re ka ardhur edhe nga ndryshimi i pikëpamjeve të demokratëve të Bidenit.
Vetëm rreth 52 për qind e pjesëmarrësve demokratë në anketën e re e përkrahin dhurimin e armëve për Ukrainën, dukshëm më pak se 61 për qind në maj.
