Anketa e re: Bie dukshëm përkrahja në ShBA për ndihmat ndaj Ukrainës
Përkrahja në mesin e publikut amerikan për t’i dhënë Ukrainës armë dhe ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike është dobësuar, kur po bëhet gati një vit nga fillimi i pushtimit rus, sipas një ankete të re të agjencisë “Associated Press” dhe Qendrës NORC për Hulumtimin e Çështjeve Publike.
48 për qind e pjesëmarrësve në këtë anketë kanë thënë se e përkrahin furnizimin e Ukrainës me armë nga Shtetet e Bashkuara, 29 për qind e tyre kanë thënë se janë kundër, ndërsa 22 për qind as për, as kundër. Në majin e vitit të kaluar, më pak se tre muaj pas fillimit të luftës, 60 për qind e të rriturve në ShBA e përkrahnin furnizimin e Ukrainës me armë amerikane, sipas anketave.
Amerikanët janë të ndarë pothuajse në dy pjesë të barabarta sa i përket ofrimit të fondeve qeveritare. 37 për qind e pjesëmarrësve thanë se e përkrahin këtë masë, ndërsa 38 për qind e tyre e kundërshtojnë. 23 për qind e të anketuarve kanë thënë se as nuk e përkrahin dhurimin e fondeve qeveritare për Ukrainën, as nuk e kundërshtojnë.
Shenjat për dobësimin e përkrahjes së publikut ndaj ndihmave për Ukrainën vjen në kohën kur presidenti Biden pritet të udhëtojë javën e ardhshme në Poloni për ta shënuar përvjetorin e parë të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Jam zemërdhembshur për situatën në Ukrainë dhe ndihem keq për ta, por më duket se së pari duhet të kujdesemi për prioritetet këtu në shtëpi”- tha amerikani 44-vjeçar, Joe Hernandez, nga Kalifornia.
Presidenti Biden disa herë ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Ukrainën “aq gjatë sa të jetë e nevojshme” për ta zmbrapsur pushtimin rus. Në mënyrë private, zyrtarët amerikanë i kanë paralajmëruar zyrtarët ukrainas se ekziston një kufi i durimit të Kongresit të ndarë në dy pjesë pothuajse të barabarta – dhe i publikut amerikan – për kostot e një lufte pa fund të qartë. Kongresi ka miratuar ndihma ekonomike, humanitare e ushtarake me vlerë të rreth 113 miliardë dollarëve.
Sipas anketës, vetëm 19 për qind e amerikanëve kanë shumë besim në aftësinë e Bidenit për ta menaxhuar situatën në Ukrainë, ndërsa 39 për qind e pjesëmarrësve kanë thënë se kanë vetëm ca besim për këtë. 43 për qind e të anketuarve thanë se zor besojnë që ai e ka këtë aftësi.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, para se të zgjidhej në këtë pozitë, ishte zotuar se republikanët nuk do të shkruajnë “çeqe boshe” për Ukrainën, kur të jenë në pushtet.
Megjithatë, shumica e amerikanëve ose 63 për qind e të anketuarve kanë thënë se ende e përkrahin vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, edhe pse edhe kjo përkrahje është pakësuar në krahasim me majin e vitit 2022, kur këtë masë e kishin përkrahur 71 për qind e të anketuarve.

