Demokratët dhe republikanët, të pavendosur për atë se kush duhet t’i udhëheqë
Përderisa presidenti Joe Biden i ShBA-së, Joe Biden, dhe paraardhësi i tij në këtë pozitë, Donald Trump, po përgatiten për një ballafaqim të ri të mundshëm më 2024, një anketë e re shfaq mungesë të dukshme të entuziazmit brenda partive të tyre për të dy politikanët që të jenë udhëheqës të partive dhe një hapje të qartë për udhëheqës të rinj.
Rreth një e treat e demokratëve dhe e republikanëve nuk janë të sigurt se kë e dëshirojnë si udhëheqës partie, sipas një ankete të re nga agjencia “Associated Press” dhe Qendra NORC për Hulumtim të Çështjeve Publike.
Rezultatet e anketës pasqyrojnë një ndjenjë të thellë të paqartësisë për të ardhmen e partive politike amerikane dhe për sfidat me të cilat të dyja ballafaqohen për t’i mbajtur bashkë grupet e tyre të zemëruara – dhe ndoshta të zhgënjyera.
Për demokratët, kjo është një shenjë tjetër për thellësinë e përkrahjes për Bidenin në mesin e shqetësimeve për nominimin e një personi që do të ishte 86-vjeçar në fundin e mandatit të dytë.
“Ai është qartazi në një moshë që nuk do të garojë për pushtet, do të largohet”- tha David Townsend-i, menaxher 58-vjeçar i shërbimeve në Indianapolis, i cili anon nga Partia Demokratike.
Ai tha se do ta përkrahte Bidenin, nëse nominohet, por se dëshiron që një zë i ri të udhëheqë me vrull e energji. Menaxheri sugjeron që Bideni do të mund të kishte një rol në formësimin e së ardhmes.
Pavarësisht statusit të tij si president aktual që ka përmbushur shumë nga prioritetet e partisë, më pak se gjysma e demokratëve – 41 për qind – e identifikojnë Bidenin si udhëheqës të tanishëm të partisë. Vetëm 12 për qind e pjesëmarrësve në anketë kanë thënë se duan që Bideni ta udhëheqë partinë.
Në anën tjetër, në mesin e republikanëve, 22 për qind e pjesëmarrësve kanë thënë se duan që partia të udhëhiqet nga guvernatori i Floridës, Ron DeStantis, ndërsa 20 për qind votuan për ish-presidentin Donald Trump.
Vetëm 38 për qind e republikanëve thonë se janë optimistë për të ardhmen e Partisë Republikane, ndërsa 36 për qind thonë se janë pesimistë. 24 për qind thonë se nuk ndihen as optimistë, as pesimistë. Megjithatë, pesimizmi është rritur nga tetori, kur 27 për qind kishin thënë se janë pesimistë.
Sidoqoftë, demokratët kanë më shumë shpresë. 44 për qind e pjesëmarrësve në anketë kanë thënë se janë optimistë për të ardhmen e Partisë Demokratike, ndërsa 26 për qind pesimistë. 30 për qind thanë se nuk janë as optimistë, as pesimistë për këtë gjë.

