Gjuhë e ashpër në ShBA, Bideni e akuzon Trumpin për gjysmëfashizëm
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka përdorur gjuhë të ashpër dhe ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe përkrahësve të tij, duke e krahasuar ideologjinë e tyre me atë që e quajti “gjysmëfashizëm”.
Associated Press
Të enjten, në një tubim zgjedhor në Rockville, shefi i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje demokratëve që “të votojnë për ta shpëtuar demokracinë edhe një herë” dhe e krahasoi ideologjinë republikane me “gjysmëfashizimin”, kur kanë mbetur edhe 75 ditë para zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Duke folur para mijëra njerëzve të mbledhur në Shkollën e Mesme “Richard Notgomery” në Rockville, presidenti amerikan tha: “E drejta juaj për të zgjedhur është në kuti të votimit këtë vit. Sigurimi Social, për të cilin ju paguat nga koha kur keni pasur një vend pune, është në kutinë e votimit. Siguria e fëmijëve tuaj nga dhuna e armëve është në kutinë e votimit, dhe nuk është hiperbolë, vetë mbijetesa e planetit tonë është në kutinë e votimit.”
“Ju duhet të zgjidhni. A do të jemi vend që lëviz përpara apo vend që lëviz prapa”, shtoi ai.

Nga masat dypartiake për kontrollimin e armëve, për infrastrukturën dhe prodhimin e brendshëm në fushën e teknologjisë, te përpjekjet e demokratëve për t’i luftuar ndryshimet klimatike e koston e kujdesit shëndetësor, Bideni i vuri në pah arritjet e administratës së tij. Ai gjithashtu u mundua që ta theksonte më shumë kontrastin me republikanët, që një herë u panë si favoritë për fitore të konsiderueshme në nëntor.
Para këtij tubimi, presidenti Biden mblodhi rreth një milion dollarë në një tubim me rreth 100 donatorë të Komitetit Demokrat Kombëtar dhe Fondit Themelor të Fitores Demokrate, raporton agjencia “Associated Press”.

Tubimet e së enjtes u bënë pas masave të Bidenit për ta përmbushur premtimin e vjetër të fushatës për t’i falur borxhet e studentëve për ata që kanë të ardhura të ulëta e të mesme. Demokratët besojnë se ky vendim do t’i gjallërojë votuesit me ngjyrë.
Në anën tjetër, republikanët e panë përparësinë e tyre politike në këtë veprim, duke e paraqitur atë si dhënie të padrejtë të fondeve për votuesit e mundshëm të Partisë Demokratike.
“Inflacioni i presidentit Biden po i shtyp familjet punëtore dhe përgjigjja e tij është dhurimi i edhe më shumë parave qeveritare për elitat me paga më të larta. Demokratët, në mënyrë të fjalëpërfjalshme, po i shfrytëzojnë të hollat e amerikanëve punëtorë për t’u përpjekur që t’i blejnë vetës ca entuziazëm nga baza e tyre politike”, tha udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Në tubimin e donatorëve, presidenti Biden pati kritika të ashpra për rivalët politikë. “Ajo që po e shohim tani është ose fillimi, ose kambanat e vdekjes së një filozofie ekstreme MAGA. Nuk është vetëm Trumpi, është e tërë filozofia që e mbështet... – do të them diçka, është si gjysmëfashizëm”, tha presidenti amerikan.
Komiteti Kombëtar Republikan i cilësoi të neveritshme komentet e tij. “Bideni i la amerikanët pa punë, transferoi para nga familjet punëtore tek avokatët e Harvardit dhe e çoi vendin tonë në recesion përderisa familjet nuk mund ta përballojnë koston e benzinës dhe ushqimit. Demokratët nuk mërziten për amerikanët që po vuajnë – ata kurrë nuk janë mërzitur”, tha zëdhënësi i Partisë Republikane, Nathan Brand.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
