Fuqia e Trumpit: Kandidatja e përkrahur prej tij e mposht vajzën e ish-nënpresidentit Dick Cheney - NACIONALE

Fuqia e Trumpit: Kandidatja e përkrahur prej tij e mposht vajzën e ish-nënpresidentit Dick Cheney

1 vit më parë

nga NACIONALE

Votuesit në shtetin amerikan, Wyoming, e kanë rrëzuar kongresisten Liz Cheney, kritikuese e rrallë nga Partia Republikane e ish-presidentit Donald Trump. Ajo u mposht nga kandidatja e përkrahur nga Trumpi, Harriet Hageman.

Cheney, 56-vjeçare ishte vetëm njëra nga dy anëtarët e partisë së saj që ishin bërë pjesë e komisionit të Kongresit për hetimin e përpjekjeve të Trumpit për të mbetur në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale.

Cheney e përshkroi humbjen e saj si fillim të një kapitulli të ri në karrierën e saj politike përderisa iu drejtua një grupi të vogël të përkrahësve, përfshirë babanë e saj, ish-nënpresidentin Dick Cheney, shkruan "Associated Press".

“Puna jonë është larg përfundimit”, tha ajo të martën në mbrëmje, duke i sjellë ndër mend fjalët e ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, i cili gjithashtu i kishte humbur zgjedhjet në Kongres, por më parë ishte bërë president.

Rezultatet në Wyoming janë shenjë e fuqishme për animin e shpejtë të Partisë Republikane drejt së djathtës. Një parti që dikur mbizotërohej nga konservatorët e orientuar nga siguria kombëtare e raportet miqësore me biznesin si babai i saj, tash i përket Trumpit, i gjallëruar nga thirrja e tij populiste dhe, mbi të gjitha, mohimi i humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Këto gënjeshtra, që janë kundërshtuar troç nga zyrtarët federalë e shtetërorë të zgjedhjeve, e shndërruan zonjën Cheney nga një kritike e rëndomtë e ish-presidentit në zërin më të qartë brenda paralajmërimit të Partisë Republikane se ai përfaqëson rrezik ndaj normave demokratike.

“Kam thënë nga 6 janari se do të bëj gjithçka që nevojitet për t’u siguruar që Donald Trumpi të mos jetë kurrë më askund afër Zyrës Ovale – dhe e kam me gjithë mend”, tha ajo.

Mbi 6.400 kilometra në lindje nga vendi ku Cheney e mbajti fjalimin për pranimin e humbjes, Hageman para përkrahësve tha: “Pa dyshim që ne të gjithë i jemi mirënjohës presidentit Trump, i cili pranon se Wyoming-u ka vetëm një përfaqësuese në Kongres dhe ne duhet ta bëjmë këtë që të vlejë”, tha Hageman.

Duke u bërë jehonë teorive konspirative të Trumpit, ajo pretendoi në mënyrë të rreme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “të montuara”.

Trumpi dhe ekipi i tij e festuan humbjen e zonjës Cheney, që mund ta përfaqësojë fitoren e tij më të madhe politike në periudhën e zgjedhjeve brenda partisë.

“Liz Cheney duhet të turpërohet nga vetja, nga mënyra se si veproi dhe për fjalët e saj keqdashëse e moralizuese e për veprimet ndaj të tjerëve. Tash, ajo më në fund mund të zhduket në thellësitë e harresës politike ku – jam i sigurt – do të jetë shumë më e lumtur se që është tash. Faleminderit WYOMING!”, shkroi ai në rrjetin e vet social./Nacionale

Lajme të ngjashme