Bideni i shqetësuar për financimin e ndihmave për Ukrainën, do të mbajë fjalim të veçantë - NACIONALE

Bideni i shqetësuar për financimin e ndihmave për Ukrainën, do të mbajë fjalim të veçantë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Biden të ShBA-së në mënyrë private kanë thënë se besojnë që kanë mbetur vetëm disa javë para se mungesa e fondeve shtesë për Ukrainën të bëhet shqetësim serioz në fushën e betejës. Ata po mundohen ta shmangin këtë skenar me paralajmërime publike dhe me një fjalim të rëndësishëm nga vetë presidenti.

Gara për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, që nisi me shkarkimin historik të republikanit Kevin McCarthy të martën është sinjal për pasoja potencialisht serioze ndaj përpjekjeve të Bidenit për ta siguruar financimin e ndihmave për Ukrainën, duke e lënë administratën në kërkim të zgjidhjeve, raporton televizioni CNN.

Publikisht, zyrtarët thonë se mbeten të bindur që shumica e amerikanëve – përfshirë anëtarët e Kongresit – e përkrahin ndihmën e vazhdueshme për Ukrainën. Megjithatë, zhvillimet e kësaj jave shfaqin shqetësim të vazhdueshëm se asistenca amerikane për Kievin mund të ngadalësohet së shpejti. Të mërkurën, Bideni la të kuptohej se zyrtarët e administratës kanë qenë duke kërkuar alternativa për metoda të tjera të ofrimit të ndihmës për Ukrainën, nëse nuk plotësohen kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për ndarjen e fondeve.

“Kjo më brengos mua, por e di se është një shumicë e anëtarëve të Dhomës (së Përfaqësuesve) dhe Senatit në të dyja partitë që kanë thënë se e përkrahin financimin e Ukrainës”- tha presidenti amerikan të mërkurën, kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për furnizimin e Ukrainës me ndihmën që ia ka premtuar.

Zyrtarët e administratës e kanë paralajmëruar Kongresin se ky organ duhet të miratojë urgjentisht fonde shtesë për ta ndihmuar përpjekjen e Ukrainës në luftë – “pa dyshim se koha është thelbësore”- theksoi një zyrtar.

Prapëseprapë, pa pasur as gjasa që të mbahet votimi për kryetarin ose kryetaren e re të Dhomës së Përfaqësuesve deri të paktën javën e ardhshme dhe pa rrugë të qartë për votim të ndonjë pakoje të re të ndihmës për Ukrainën pas këtij procesi, mundësia për asistencë të re në aspektin afatshkurtër duket e ulët.

Duke e ndier urgjencën, Bideni u tha gazetarëve të mërkurën se ishte duke planifikuar një fjalim ku do ta paraqesë rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme për Ukrainën.

“Unë do ta paraqes argumentin se është në masë dërrmuese në interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Ukraina të arrijë sukses”- tha ai. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk ofruan hollësi të tjera për këtë fjalim, as kohën se kur presidenti mund ta mbajë atë.

Lajme të ngjashme