Zyrtari i lartë i NATO-s paralajmëron se rezervat perëndimore për Ukrainën po harxhohen
Ushtrive perëndimore po u harxhohet municioni për t’ia dhënë Ukrainës, paralajmëruan të martën zyrtarë të NATO-s dhe Britanisë, duke bërë thirrje që blloku ta shtojë prodhimin “për ta mbajtur Ukrainën në luftë kundër pushtuesve rusë”.
Lajmi për mungesën e mundshme të municionit vjen pas mospërfshirjes së parave për blerjen e armëve për Ukrainën në projektligjin për financim të përkohshëm, që u miratua nga Kongresi i ShBA-së në fundjavë për ta shmangur mbylljen e qeverisë, raporton televizioni CNN.
Paqartësia e re për të ardhmen e ndihmave amerikane u ngrit të martën, kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, i cili e mbështeste ndarjen e ndihmave për Ukrainën, u shkarkua nga pozita nga kolegët e partisë së tij.
Këto zhvillime janë lajme shqetësuese për Ukrainën, përderisa lufta kundër Rusisë është në muajin e 20-të dhe ngre pyetje për atë nëse Moska mund të ndihet e aftë për t’i tejkaluar premtimet perëndimore për ndihmë ndaj Kievit.
“Fundi i fuçisë tash është i dukshëm”- tha admirali Rob Bauer i Holandës, drejtor i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe zyrtari më i lartë ushtarak i aleancës, në lidhje me rezervat perëndimore të municionit të martën gjatë një diskutimi në Forumin e Varshavës për Siguri.
“Ne i japim Ukrainës sisteme armësh, që është e mrekullueshme, dhe municion, por jo nga depo që janë plot. Ne filluam që të dhurojmë nga depo gjysmë të plota ose nga depo më të ulëta në Evropë” dhe këto dyqane tani po mbeten me pak mall, tha Baueri.
James Heappey, ministër i Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, duke folur në forumin e njëjtë, tha se edhe pse rezervat mund të jenë të pakta, ndihma për Ukrainën duhet të vazhdojë dhe se vendet perëndimore duhet ta shtojnë kapacitetin për të prodhuar më shumë municion.
“Ne duhet ta mbajmë Ukrainën në luftim sonte dhe nesër dhe pasnesër dhe ditën pas ditës së pasnesërme”- tha zyrtari i lartë britanik. Sipas tij, kjo nënkupton që “të vazhdohet të jepet, vazhdimisht, dhe të rindërtohen rezervat tona”.
Ndërkohë, analistët po paralajmërojnë se “arsenali i demokracisë” i Shteteve të Bashkuara duhet të fillojë që të punojë përtej orarit ose lufta e Ukrainës mund të jetë në telashe.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po dërgojnë në Ukrainë një gamë të gjerë të municioneve, por ato nuk po prodhohen ose dërgohen aq shpejt sa nevojitet”- shkroi javën e kaluar anëtari jorezident i Këshillit të Atlantikut, Thomas Warrick.
Sipas tij, përderisa Ukraina e shtyu fillimin e ofensivës së verës për të dërguar më shumë municion dhe pajisje në vijat e frontit, Rusia arriti që të ndërtonte mbrojtje që e ka topitur në masë të konsiderueshme përparimin e forcave ukrainase.

