Zelensky kërkon armë me rreze të gjatë nga ShBA-ja për të luftuar kundër rusëve
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një vizite në Republikën Çeke të premten se Kievi ka nevojë për armë me rreze të gjatë nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar kundër forcave pushtuese ruse.
“Pa armë me rreze të gjatë, është vështirë jo vetëm të kryhet një mision sulmi, por edhe një operacion mbrojtës”- tha ai në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kryeministrin çek, Petr Fiala, raporton agjencia “Reuters”.
“Pikë së pari, po flasim për sisteme me rreze të gjatë me Shtetet e Bashkuara dhe sot kjo varet vetëm nga ta”- shtoi presidenti ukrainas.
Zelensky po e viziton Pragën si pjesë e një udhëtimi në disa shtete para samitit të NATO-s javën e ardhshme. Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve të aleancës që të bëjnë hapa konkretë gjatë këtij samite për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Në Pragë, Zelensky bëri thirrje edhe për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian këtë vit për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
