Shkon në 10 numri i të vrarëve nga sulmi në Lviv, Zelensky kërkon hapa konkretë nga NATO-ja
Numri i viktimave nga një sulm i forcave ruse në Lviv të Ukrainës të enjten ka shkuar në dhjetë, bëri të ditur administratori rajonal, Maksym Kozytskyi.
“Si rezultat i sulmit të djeshëm me raketë në një ndërtesë banesore në Lviv, dhjetë persona u vranë. Një person u gjet natën, një tjetër këtë mëngjes. Për më tepër, 42 persona u lënduan. 16 prej tyre janë dërguar në spital”- shkroi ky zyrtar në rrjetin “Telegram”.
Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje udhëheqësve të NATO-s që në samitin e javës së ardhshme të ndërmarrin hapa konkretë drejt anëtarësimit të Ukrainës në aleancë.
Ai e bëri këtë koment gjatë një vizite në Pragë, ku e mori përkrahjen nga presidenti çek, Petr Pavel, i cili e mbështeti synimin e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO, raporton gazeta “The Guardian”.
Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për shumë më shumë se deklarata e përgjithshme se dera e aleancës është e hapur.
“Po flasim për një sinjal të qartë, disa gjëra konkrete në drejtim të një ftese. Kemi nevojë për këtë motivim. Kemi nevojë për sinqeritet në marrëdhëniet tona”- tha ai.
Vizita e Zelenskyt në Çeki u zhvillua pas qëndrimit të tij në Bullgari. Këshilltari diplomatik i tij, Ihor Zhovkva, tha se Kievi e kishte siguruar përkrahjen e Bullgarisë për anëtarësim në NATO “sa më shpejt që e lejojnë kushtet”.
Të premten, Zelensky pritet që ta vizitojë Turqinë për të biseduar me homologun turk, Rexhep Erdogan, rreth marrëveshjes për eksportimin e sigurt të drithit.

