Ukraina raporton për të paktën katër civilë të vrarë nga një sulm rus në Lviv - NACIONALE

Ukraina raporton për të paktën katër civilë të vrarë nga një sulm rus në Lviv

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një bllok banesor është goditur nga një raketë ruse në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv, ku janë vrarë të paktën katër persona, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Ihor Klymenko.

Ministri shtoi se 32 persona kanë pësuar lëndime nga ai që kryetari i Lvivit e quajti “njëri prej sulmeve më të mëdha" ndaj infrastrukturës civile të qytetit, raporton televizioni BBC.

Presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, u zotua për një kundërpërgjigje “të prekshme” ndaj sulmit që u krye natën nga ata që i quajti “terroristë rusë”.

Ushtria ruse nuk e ka komentuar sulmin e raportuar.

Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, ministri Klymenko tha se të paktën shtatë persona janë shpëtuar nga blloku banesor, duke shtuar se ka frikë se më shumë njerëz mund të ndodhen të ngujuar nën rrënoja.

Kryetari i qytetit, Andriy Sadovyi, publikoi një video ku shiheshin xhamat e thyer në ndërtesën e goditur, e cila dukej se kishte katër kate.

Ai shtoi se disa njerëz u nxorën nga rrënojat para pak çasteve, por ekipet e shpëtimit ishin duke e vazhduar kërkimin, duke besuar se më shumë banorë mund të jenë ngujuar.

Lajme të ngjashme