Rusët raportojnë për sulme ukrainase brenda territorit të Rusisë dhe plagosje të një gruaje
Rajonet Kursk dhe Belgorod të Rusisë u sulmuan nga forcat ukrainase matanë kufirit në orët e hershme të së mërkurës, thanë guvernatorët e këtyre rajoneve, duke shtuar se nuk ka pasur viktima.
“Qyteza Valuyki është nën zjarr nga forcat e armatosura të Ukrainës”- shkroi në rrjetin “Telegram” në orën 7 e 36 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Glakov.
“Sistemi i mbrojtjes ajrore funksionoi, por ka shkatërrim në tokë”- shtoi ai.
Roman Starovoyt, guvernator i rajonit Kursk, në veri të Belgorodit e në kufi me Ukrainën, tha se një shkollë dhe një shtëpi private u dëmtuan, kur fshati Tyotkino u sulmua, pa e saktësuar mënyrën e sulmit.
Agjencia “Reuters” dhe gazeta “The Guardian” nuk i kanë vërtetuar në mënyrë të pavarur këto raportime.
Më vonë, guvernatori i Belgorodit shkroi në rrjete sociale, duke thënë se një grua është plagosur nga sulmet në këtë rajon.
“Sulmi në qytezën Valuyiki zgjati për më shumë se një orë”- tha ai. Raportohet se një grua pësoi lëndime në gjoks nga copëzat e predhave.
Zyrtari rus tha se forcat mbrojtëse ruse kanë rrëzuar tri objekte ajrore, përfshirë një dronë. Ai shtoi se forcat ukrainase kanë shkrepur 12 herë nga raketahedhësit e tipit “Grad”. Thuhet se të paktën tetë shtëpi private janë dëmtuar nga sulmet.
