Presidenti i Lituanisë kërkon që Ukrainës t’i ofrohet rrugë e shpejtë për në NATO - NACIONALE

Presidenti i Lituanisë kërkon që Ukrainës t’i ofrohet rrugë e shpejtë për në NATO

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, u ka bërë thirrje udhëheqësve të NATO-s që të jenë më të guximshëm për ta adresuar synimin e Ukrainës për anëtarësim në aleancë gjatë samitit që do të mbahet javën e ardhshme në vendin e tij, duke thënë se kjo do ta fuqizonte performancën e Kievit në fushën e betejës, ndërsa Moska çfarëdo rezerve do ta shihte si dobësi.

Në një intervistë me agjencinë “Reuters”, presidenti lituan i këshilloi aleatët e NATO-s që ta shpërfillnin frikën se anëtarësimi i Ukrainës në aleancë do ta provokonte Rusinë, e cila i futi ushtarët në vendin fqinj më 24 shkurt 2022.

“Ne nuk duhet të ngurrojmë për të marrë vendime më të guximshme, sepse, përndryshe, regjimi i Putinit do të vendosë që aleatët perëndimorë janë shumë të dobët, (se ata duhet) të shtyhen në qoshe dhe do të dorëzohen”- tha Nauseda të hënën.

“Fjalët tona më të forta për perspektivën e Ukrainës sigurisht se do ta ngrinin shpirtin luftarak të ushtarëve ukrainas në fushën e betejës dhe kjo është shumë e rëndësishme”- shtoi ai.

Ukraina i ka bërë presion NATO-s që të deklarojë në samitin e 11 dhe 12 korrikut se Kievi do të anëtarësohet në aleancë së shpejti pas përfundimit të luftës dhe që ta përcaktojë planin e anëtarësimit.

Megjithatë, disa anëtare të tjera, si ShBA-ja dhe Gjermania, kanë qenë më të kujdesshme për çfarëdo lëvizje për të cilën ato frikësohen se do ta çonin aleancën më afër një lufte aktive me Rusinë, e cila për një kohë të gjatë e ka parë zgjerimin e NATO-s si dëshmi të armiqësisë perëndimore.

Nauseda tha se një premtim për rrugë më të lehtë drejt anëtarësimit në NATO pas luftës dhe zotimet për më shumë përkrahje ushtarake do të mund t’i ofroheshin Ukrainës në samitin e javës së ardhshme.

“Kemi disa shtete që janë të kujdesshme për fjalët më të forta për perspektivën e Ukrainës, por unë tashmë shoh ca ndryshim në mendjen e udhëheqësve të tyre”- tha presidenti i Lituanisë.

“Ne të gjithë kuptojmë se tash për tash, në mes të luftës, Ukraina nuk mund të anëtarësohet në NATO menjëherë. Ne e kuptojmë këtë. Ukrainasit e kuptojnë këtë, por ne duhet të krijojmë procedura, se si të vazhdojmë... në mënyrë që të mos ketë humbje kohe, nëse lufta përfundon dhe fitorja është në anën ukrainase”- shtoi ai.

Lajme të ngjashme