Zelensky s’dëshiron të dëgjojë për zgjedhje në kohë lufte: Krejtësisht e papërgjegjshme - NACIONALE

Zelensky s’dëshiron të dëgjojë për zgjedhje në kohë lufte: Krejtësisht e papërgjegjshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka cilësuar të papërgjegjshme diskutimet për mbajtje të zgjedhjeve në kohë lufte, përderisa rishtazi u shtuan fjalët nëse vendi duhet të organizojë zgjedhje gjatë kohës së sulmit nga Rusia.

Duke bërë thirrje për unitet për t’i shmangur diskutimet e pakuptimta politike, komentet e presidentit ukrainas duket se përjashtojnë çfarëdo sugjerimi se Ukraina duhet të mbajë zgjedhje për të dëshmuar se kredencialet demokratike të saj mbeten në gjendje të mirë, raporton agjencia “Reuters”.

Përderisa ligji i luftës, i shpallur në Ukrainë në fillim të pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar, ua ndalon autoriteteve mbajtjen e zgjedhjeve, ka pasur debate të shtuara brenda vendit dhe jashtë tij për mbajtjen e mundshme të zgjedhjeve në mars të vitit 2024.

Gjatë fjalimit të zakonshëm të mbrëmjes, Zelensky tha se është kritike që përqendrimi të jetë te sfidat ushtarake me të cilat ballafaqohet Ukraina, përderisa vendi po mundohet që t’i largojë forcat ruse që e kanë nën kontroll gati një të pestën e territorit të shtetit.

“Ne të gjithë kuptojmë se tash, në kohë lufte, kur ka shumë sfida, është tërësisht e papërgjegjshme të përfshihemi në tela që lidhen me zgjedhjet në mënyrë të tillë mendjelehtë”- tha ai.

“Ne duhet të pranojmë se kjo është kohë për mbrojtje, kohë për betejë, mbi të cilën varet fati i shtetit dhe i popullit të tij... Unë besoj se zgjedhjet nuk janë të përshtatshme në këtë kohë”- shtoi presidenti ukrainas.

Në kohë paqeje, Ukraina do të kishte mbajtur zgjedhje parlamentare në tetor të këtij viti, ndërsa zgjedhjet presidenciale në fillim të pranverës së vitit 2024.

Senatori republikan i ShBA-së, Lindsey Graham, dhe disa zyrtarë të tjerë perëndimorë i kanë bërë thirrje Kievit që të mbajë zgjedhje për të treguar se mund të organizojë garë të lirë dhe të drejtë në kohë lufte.

Lajme të ngjashme