Zelensky përmend data se kur nis vendosja e ushtarëve të parë koreanë në fushëbetejë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se Rusia planifikon që të vendosë trupa të Koresë së Veriut në fushën e betejës duke filluar nga 27 dhe 28 tetori, duke cituar raportime të inteligjencës.
“Sipas inteligjencës, ushtarët e parë të Koresë së Veriut pritet të vendosen nga Rusia në zona të luftimeve që nga 27 e 28 tetori. Ky është eskalim i qartë nga Rusia” – shkroi presidenti ukrainas në rrjetin X pas pranimit të raporteve nga komandanti i ushtrisë, raporton agjencia “Reuters”.
Zelensky nuk tregoi se në cilët sektorë të vijës së frontit pritet të dërgohen ushtarët e Koresë së Veriut dhe as nuk dha hollësi të tjera.
I received a report from Commander-in-Chief Syrskyi on the current situation at the frontline, with particular focus on the Pokrovsk, Kurakhove, and Lyman directions. In the Donetsk region, the situation remains difficult, but our combat brigades are holding their positions and…
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) October 25, 2024
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha të enjten se njësitet e para nga Koreja e Veriut tashmë ishin regjistruar në rajonin kufitar rus, Kursk, ku ushtria ukrainase ka qenë duke operuar që nga fillimi i një operacioni domethënës në gusht.
Rreth 12 mijë trupa nga Koreja e Veriut, përfshirë 500 oficerë dhe tre gjeneralë, tashmë ndodhen në Rusi, ndërsa trajnimet janë duke u kryer në pesë baza ushtarake, tha më tej inteligjenca ushtarake e Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë parë dëshmi të trupave të Koresë së Veriut në Rusi, ndërsa disa ligjvënës të Koresë së Jugut kanë thënë se rreth tre mijë ushtarë nga vendi fqinj janë dërguar për ta mbështetur luftën e Kremlinit në Ukrainë, ndërsa më shumë do të dërgohen më vonë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se është punë për Moskën se si do të zbatojë një traktat bashkëpunimi me Penjanin, për të cilin ai tha se përfshin një klauzolë për mbrojtje reciproke, që secila palë ta ndihmojë tjetrën për sprapsjen e agresionit të jashtëm.
Putini nuk mohoi se trupa të Koresë së Veriut ndodhen në Rusi. “Kjo është punë e jona” – tha ai.
Aleatët perëndimorë kanë thënë se përfshirja e ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin e Ukrainës mund të jetë përshkallëzim i madh. Zelensky ka thënë se kjo nuk mjafton.
“Përfshirja e vërtetë e Koresë së Veriut në luftime nuk duhet të pritet me indiferencë e komente të paqarta, por me trysni të prekshme ndaj Moskës dhe Penjanin” – tha ai.
Prokurorët ukrainas thanë të premten se kishin nisur një hetim për mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftë si krim i mundshëm agresioni./Nacionale