Zelensky: Nuk ishte një raketë ukrainase, ndoshta ishte ruse - NACIONALE

Zelensky: Nuk ishte një raketë ukrainase, ndoshta ishte ruse

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të mërkurën se shpërthimi që vrau dy persona në Poloni pa dyshim nuk ishte shkaktuar nga një raketë ukrainase, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve Interfax.

Të martën, dy persona u vranë nga një shpërthim rakete në fshatin Przewodow, në Poloninë lindore pranë kufirit me Ukrainën, i cili shkaktoi alarm në të gjithë botën, pasi raketa ra mbi një anëtar të NATO-s që e konsideron një sulm ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithë Aleancës.

“Nuk kam asnjë dyshim se nuk ishte raketa jonë”, tha Zelenskiy për mediat ukrainase, siç raportohet nga agjencia Interfax. Ai tha se besonte se shpërthimi i së martës ishte shkaktuar nga një raketë ruse, duke shtuar se kjo bazohej në përfundimet e ushtrisë ukrainase, të cilave ai "nuk mund të mos i besojë".

Zelenskiy e tha këtë pasi Polonia dhe aleanca e NATO-s thanë se ishte ndoshta një raketë e humbur ukrainase e mbrojtjes ajrore dhe jo një sulm rus.

Presidenti ukrainas tha se ai beson se Ukrainës tashmë duhet t'i ishte lejuar aksesi në vendin e shpërthimit. "A kemi të drejtë të jemi pjesë e grupit hetimor? Sigurisht," tha ai. Të mërkurën, Zelenskiy tha gjithashtu se Rusia nuk e ftoi Kievin në asnjë negociatë paqeje. "Ata nuk komunikojnë me ne," u tha Zelenskiy gazetarëve në Kiev.

Poloni: Nuk ka asnjë provë që Rusia ka lëshuar një raketë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Moska, jo Kievi, ishte në fund të fundit fajtore për fillimin e luftës dhe sulmin që shkaktoi mbrojtjen e Ukrainës.

Presidenti polak Andrzej Duda tha në Varshavë se nuk ka asnjë provë që Rusia e ka gjuajtur raketën dhe deklaroi se sipas informacioneve të disponueshme ishte një raketë S-300 e prodhimit sovjetik që ndoshta ishte gjuajtur nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Më herët të mërkurën, presidenti amerikan Joe Biden e konsideroi të pamundur që raketa të ishte lëshuar nga Rusia. /Nacionale/

Lajme të ngjashme