Zelensky do të lejojë legalizimin e partneriteteve civile për LGBTQ+ në Ukrainë - NACIONALE

Zelensky do të lejojë legalizimin e partneriteteve civile për LGBTQ+ në Ukrainë

1 javë më parë

nga Miranda Shala

Në përgjigje të një peticioni që kërkonte lejimin e martesave të personave të të njejtit seks,presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hapur derën për legalizimin e partneriteteve civile për ta.

CNN shkruan se, në një përgjigje me shkrim në internet, Zelensky shpjegoi se ndërsa vendi ishte në luftë tani do të ishte e pamundur të legalizoheshin martesat e të njëjtit seks, sepse do të kërkonte një ndryshim në kushtetutë.

Por ai tha se qeveria e tij kishte "përpunuar zgjidhje në lidhje me legalizimin e partneritetit civil të regjistruar në Ukrainë, si pjesë e punës për krijimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut".

Thirrja për të lejuar martesat e të njëjtit seks në vend është përshpejtuar nga lufta, për shkak të numrit të personave LGBTQ+ që shërbejnë në ushtri dhe mbrojtjeve më të mëdha ligjore që kanë civilët e martuar.

"Kodi i Familjes i Ukrainës përcakton se familja është njësia parësore dhe kryesore e shoqërisë. Një familje përbëhet nga persona që jetojnë së bashku, janë të lidhur nga jeta e përbashkët, kanë të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Sipas Kushtetutës së Ukrainës, martesa bazohet me pëlqimin e lirë të një gruaje dhe një burri (neni 51),” shkroi Zelensky në faqen e internetit të Presidencës ukrainase.

“Kushtetuta e Ukrainës nuk mund të ndryshohet gjatë një gjendjeje ushtarake ose gjendjeje të jashtëzakonshme (neni 157 i Kushtetutës së Ukrainës),” shpjegoi më tej ai.

Megjithatë, Zelensky tha se do të punonte me ministrat e tij për të "siguruar të drejtat dhe liritë" e të gjithë ukrainasve.

“Në botën moderne, niveli i shoqërisë demokratike ndër të tjera matet përmes politikës shtetërore që synon të garantojë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Çdo qytetar është pjesë e pandashme e shoqërisë civile, ai ka të gjitha të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutën e Ukrainës”.

Më tej, Zelensky falënderoi gjithashtu më shumë se 28,000 njerëzit që nënshkruan peticionin për "pozicionin e tyre aktiv qytetar". Sipas ligjit të Ukrainës, presidenti duhet të shqyrtojë peticionet që marrin më shumë se 25,000 nënshkrime.

Në qershor, OKB-ja identifikoi njerëzit LGBTQ+ si një grup të prekur në mënyrë specifike nga lufta dhe tha se refugjatët LGBTQ+ nga vendi "shpesh janë në rrezik të shtuar të përjashtimit, shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit si dhe përballen me rreziqe të veçanta mbrojtjeje".

Ukraina legalizoi homoseksualitetin pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por qëndrimet dhe ligjet anti-LGBTQ mbeten në fuqi në vend deri më tanu. Diskriminimi në vendin e punës bazuar në orientimin seksual është i ndaluar, por nuk ekziston asnjë njohje ligjore e marrëdhënieve të të njëjtit seks dhe çiftet e të njëjtit seks janë të ndaluar të birësojnë fëmijë dhe sipas vëzhguesit ILGA-Europe, janë të pambrojtur nga ligjet e krimit të urrejtjes.

Organizata e rendit Ukrainën në vendin e 39-të nga 49 vendet evropiane për të drejtat LGBTQ+.

Zakonisht në Kiev, çdo vit organizohet një paradë krenarie, por në qershor organizatorët bashkuan forcat me Poloninë fqinje, dhe ndërsa në Kiev ishte luftë ata festuan në Varshavë.

Lajme të ngjashme