Rusia thotë se ShBA është “përfshirë drejtpërdrejt” në luftën në Ukrainë - NACIONALE

Rusia thotë se ShBA është “përfshirë drejtpërdrejt” në luftën në Ukrainë

1 javë më parë

nga Miranda Shala

Rusia ka akuzuar Shtëpinë e Bardhë për ofrimin e informacioneve të nevojshme për Kievin për të kryer sulme me raketa me rreze të gjatë, duke vënë kështu rolin e inteligjencës amerikane nën vëzhgim.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se Uashingtoni ishte "përfshirë drejtpërdrejt" në luftë dhe kishte transmetuar inteligjencë që kishte çuar në "vdekje masive të civilëve".

Më tej ministria tha se, ShBA ishte përgjegjëse për sulmet me raketa nga Kievi në zonat e populluara në Donbasin lindor dhe në rajone të tjera.

“E gjithë kjo vërteton në mënyrë të pamohueshme se Uashingtoni, në kundërshtim me pretendimet e Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit, është i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga ministria.

Edhe pse, administrata Biden deri më tani ka dhënë më shumë se 8 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë një këst shtesë prej 550 milion dollarësh. Vendi mohon fuqishëm se është pjesëmarrëse në konflikt apo se është në luftë me Rusinë.

Komentet e Kremlinit vijnë pas një interviste të dhënë për Telegraph nga Vadym Skibitsky, ushtrues detyre i shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës. Gjatë kësaj interviste të realizuar të hënën, Skibitsky tha se sistemet e artilerisë Himars me rreze të gjatë veprimi të prodhuar nga ShBA-ja kishin qenë jashtëzakonisht efektive në zhdukjen e deponive të karburantit dhe municioneve ruse.

Ai më tej shtoi se imazhet e shkëlqyera satelitore dhe informacioni në kohë reale kishin ndihmuar shumë. E megjithëse mohoi se zyrtarët amerikanë po jepnin informacione të drejtpërdrejta për shënjestrimin, ai pranoi se ka pasur konsultime midis zyrtarëve të inteligjencës amerikane dhe ukrainase përpara sulmeve, kështu që Uashingtoni mund të verifikonte dhe nëse ishte e nevojshme mund të vendoste veto ndaj objektivave të synuara.

Mbi këto komente, ka reaguar edhe zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova. Ajo i tha agjencisë së lajmeve RIA Novosti se: “Nuk kërkohet asnjë konfirmim tjetër për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në armiqësitë në territorin e Ukrainës.

Më tej Zakharova shtoi se: “Furnizimi i armëve nga ShBA po shoqërohet jo vetëm me udhëzime për përdorimin e tyre, por edhe me kryerjen e funksionit të tyre në formën më të pastër”.

Lajme të ngjashme