Zelensky thotë se anija e parë me drithëra s’është asgjë, ekonomia në komë - NACIONALE

Zelensky thotë se anija e parë me drithëra s’është asgjë, ekonomia në komë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e la anash rëndësinë e dërgesës së parë me drithëra nga vendi i tij që nga fillimi i luftës, duke thënë se anija e parë bart vetëm një pjesë të vogël të drithërave që Ukraina duhet t’i shesë për ta shpëtuar ekonominë e rrënuar.

Komenti i tij skeptik, i bërë përmes video-lidhjes para studentëve në Australi të mërkurën, u bë në kohën kur inspektimi i anijes u krye në Turqi para se të vazhdonte për në destinacionin përfundimtar, në Liban, sipas marrëveshjes së nënshkruar me qëllim të lehtësimit të krizës globale të ushqimit.

Anija “Razoni” u nis nga porti ukrainas i Odesës në Detin e Zi të hënën në mëngjes me 26.527 tonë misër për në Tripoli të Libanit. Dërgesa u nis pas marrëveshjes së nënshkruar mes Moskës e Kievit muajin e kaluar – arritje e rrallë diplomatike në luftën që nuk po i shihet fundi.

Sidoqoftë, presidenti ukrainas tha se nevojitet më shumë kohë për të parë nëse do të ketë dërgesa të tjera të drithërave.

“Vetëm rishtazi, duke iu falënderuar OKB-së në bashkëpunim me Turqinë, ne e patëm anijen e parë me dërgesën e drithërave, por ende asgjë. Por ne shpresojnë se është një prirje që do të vazhdojë”, u tha ai studentëve.

Sipas tij, Ukraina duhet të eksportojë të paktën 10 milionë tonë drithëra për ta ulur urgjentisht deficitin buxhetor, që është pesë miliardë dollarë në muaj.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, e mirëpriti dërgesën e parë të drithërave, por gjithashtu tha se ky është vetëm një hap i parë.

Një zyrtar i lartë turk tha se nga tri anije në ditë mund të nisen nga portet ukrainase pas nisjes së anijes “Razoni”, ndërsa ministri ukrainas i Infrastrukturës tha se 17 anije të tjera janë ngarkuar me prodhime bujqësore dhe po presin që ta fillojnë lundrimin.

E njohur si shportë evropiane e bukës, Ukraina shpreson që të eksportojë 20 milionë tonë drithëra që ndodhen në depo dhe 40 milionë tonë nga korrje-shirjet që po kryhen sivjet./Nacionale

Lajme të ngjashme