Muzeu i parë LGBTQIA+ në Mbretërinë e Bashkuar - NACIONALE

Muzeu i parë LGBTQIA+ në Mbretërinë e Bashkuar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për vite me radhë, historia queer është errësuar, është fshirë, është fshehur dhe ka qenë e vështirë për t’u gjetur. Ndërsa interneti ka shfaqur historitë e LGBTQIA+, duke na mundësuar të kthehemi tek e kaluara jonë, institucionet kulturore, muzetë dhe institucionet arsimore nuk kanë vepruar me të njëjtën ritëm. Queer Britain, muzeu i parë i LGBTQIA+ në Mbretërinë e Bashkuar, shpreson ta ndryshojë këtë.

Ideja për muzeun, i cili u hap në maj të vitit 2022 në “King’s Cross” të Londrës, ishte e Joseph Galliano. Ndërsa punonte si redaktor i revistës queer “Gay Times” gjatë viteve 2000-2010, ai kuptoi se shumë të rinj LGBTQIA+ ishin pak të informuar rreth historisë queer. Galliano e bluajti këtë ide për një dekadë, derisa vuri re një transformim të dukshëm në sektorin kulturor të Mbretërisë së Bashkuar, si ekspozita e artit britanik queer të vitit 2017 në galerinë “Tate Britain” dhe ngritjen e lëvizjes për përfaqësimin më të theksuar të kulturës queer në muze, e cila bëri të mundur shfaqjen e koleksioneve në muzeun “V&A” dhe Muzeun Britanik, të rivlerësuara përmes lenteve të LGBTQIA+.

“Kisha frikë se nëse dikush nuk do të zotohej të siguronte që energjia të mos venitej, atëherë do të duheshin edhe 50 vite përpara se të ndodhte diçka”, thotë Galliano. “Gjithashtu donim të ofronim diçka në mënyrë që transgjinorët, gratë, njerëzit me ngjyrë dhe me aftësi të kufizuara – një grup shumë më i gjerë dhe i larmishëm në komunitetet tona – të kishin mundësi ta shihnin veten si kurrë më parë, dhe që zëri i tyre të dëgjohej”.

Së bashku me bashkëthemeluesin Ian Mehrtens, me një bord të larmishëm administruesish, vullnetarë të panumërt dhe donatorë bujarë, gjatë këtyre pesë viteve të fundit Galliano u përkushtua që ta kthente ëndrrën Queer Britain në realitet. Edhe pse kishte pak hapësirë, efekti ishte i fortë. Hapja e ekspozitës së përkohshme përfshinte një paraqitje fotografike kohore të të drejtave LGBTQIA+ në Mbretërinë e Bashkuar dhe portrete të familjeve të zgjedhura queer.

We Are Queer Britain (“Ne jemi queer-ët e Britanisë”), ekspozita e radhës në muze, e cila u hap këtë javë, do të jetë “një trazirë e objekteve historike, artefakteve dhe gjërave që nuk janë parë kurrë më parë”, thotë Galliano. “Do të kontribuojmë edhe në një nga ekspozitat e Queer British Art ku do të ekspozojmë derën e qelisë së Oscar Wilde në burgun e Reading. Do të shfaqen edhe dokumente nga komuniteti ynë që kanë të bëjnë me aktivizmin, historinë sociale, ndryshimet ligjore dhe aktivitetet sociale. Po bëjmë shumë edhe pse në hapësirë të vogël”.

Lisa Power, një nga administratoret e muzeut, e cila e ka kaluar jetën e saj duke mbrojtur të drejtat e LGBTQIA+ në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se këmbënguli që muzeu të përfshinte histori queer nga i gjithë vendi. “Unë jetoj në Uells dhe e kisha të qartë se doja që të ishim për Britaninë, dhe jo vetëm për Londrën”, thotë ajo. “Dhe dua që të jemi në festë për njerëzit queer që kanë ardhur në Mbretërinë e Bashkuar nga e gjithë bota, të cilët shpesh janë larguar për shkak të persekutimeve, por që kanë gjetur një familje këtu”.

Në vitin 2022, jeta e njerëzve LGBTQIA+ nuk ka qenë kurrë më e dukshme dhe suksesi i një institucioni si Queer Britain vetëm e përforcon këtë. Megjithatë, ndërsa vëmë re një rritje të krimeve të urrejtjes kundër LGBTQIA+ dhe ligje të tilla si ai Floridës “Mos thuaj gej”, nevoja për vigjilencë është ende e domosdoshme. “Mënyra se si i kundërpërgjigjemi kësaj është duke u treguar të gatshëm dhe duke këmbëngulur që të ketë gjithëpërfshirje brenda kufijve të asaj jemi duke bërë”, thotë Galliano.

Por Galliano nuk e kishte kuptuar se cilat do të ishin pasojat emocionale. “Ka pasur raste ku njerëzit janë futur brenda në muze dhe kanë shpërthyer në lot. E gjitha ka të bëjë me vlerësimin. Për disa, kjo ka qenë vërtet prekëse”, thotë ai.

“Shpresoj që kjo t’i nxitë njerëzit që ta vlerësojnë historinë e tyre”, thotë më tej Power. “Shpresoj që një adoleshent që u tregon prindërve se është gej, mund t’i sjellë ata në muze dhe t’u tregojë se kush jemi ne dhe gjithashtu se kush janë ata”.

Alim Kheraj është shkrimtar i pavarur dhe drejtues i podkastit “Queer Spaces”. Libri i tij i parë “Queer London”, është një udhërrëfyes i LGBTQIA+ për Londrën, për të kaluarën dhe të tashmen

Lajme të ngjashme