Zbuten marrëdhëniet Greqi – Turqi, ministri i Mbrojtjes, Panagiotopoulos, do t’i vizitojë zonat e goditura nga tërmeti
Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Panagiotopoulos, do t’i vizitojë disa pjesë të Turqisë fqinje që janë goditur nga tërmeti i fuqishëm i shkurtit, kur të takohet me homologun turk, Hulusi Akar, më 4 prill, pavarësisht nga rivaliteti e mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Ai është ministri i dytë grek që bën vizitë zyrtare në Turqi pas tërmetit shkatërrues që la dhjetëra mijëra të vdekur në juglindje të Turqisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne do t’i vizitojmë zonat e prekura nga tërmeti në juglindje të Turqisë”- tha ministri grek të enjten vonë në një intervistë për televizionin “Mega TV”.
Greqia ishte në mesin e shteteve të para që dërguan ekipe shpëtimi për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat në Turqi.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, i vizitoi zonat e prekura nga tërmeti muajin e kaluar si gjest solidarizimi me vendin fqinj.
Greqia dhe Turqia kanë disa mosmarrëveshje serioze mes vete, përfshirë të drejtat për eksplorim në Detin Egje, hapësirën ajrore dhe çështjen e Qipros së ndarë në bazë etnike.
